0030 210 33 18 483

Pezullohet sërish ligji i ri për lejet e qëndrimit dhe nënshtetësinë???...

08 Shtator 2015

Shprehja popullore shqiptare se “Nga e thëna në të bërë shkon në mes një lumë i tërë”, duket se i shkon për shtat ligjit të ri grek për lejet e qëndrimit dhe nënshtetësinë, që u votua në muajin korrik nga parlamenti. Ligji që u propagandua me kaq bujë, u vonua rreth gjysmë viti që të kalonte për votim, që u tha se zbatimi fillonte më 1 shtator, por pastaj u shty për më 30 shtator, tashmë duket se do të fillojë të zbatohet jo më parë se në prill... 2016! Sipas informacionit që dha për “tribuna-news”, eksperti i çështjeve të emigracionit dhe drejtues i organizatës “Arogji-Përkrahje”, Fatos Malaj, vonesa i dedikohet faktit se ende nuk është gati sistemi elektronik i ministrisë së brendshme, në të cilin sistem duhet të kalojnë detyrimisht gjithë të dhënat dhe procedurat. Autoritetet kompetente greke kanë kontraktuar një firmë të re për ndërtimin e sistemit, dhe kontrata parashikon që ky sistem do të jetë gati në prill të vitit të ardhshëm. Zoti Malaj tha se e ka marrë informacionin nga një burim më se i sigurtë dhe se ai po interesohet që të ketë edhe një konfirmim zyrtar. Por “tribuna-news” konsideron se do të ishte një mrekulli sikur lajmi të dilte i pavërtetë, gjë që edhe e uron shumëkush. Sepse në të kundërt, gjithë përfituesit nga ligji i ri (4332/15), do të duhet të presin edhe shtatë muaj të tjerë, vetëm që të shkojnë e të paraqesin aplikimet! Kujtojmë se nga dispozitat e ligjit të ri përfitojnë: - Brezi i dytë që i mundësohet marrja e nënshtetësisë greke; - Nënat që kanë lindur fëmijë në Greqi dhe që sipas ligjit të ri mund ta marrin direkt lëeje qëndrimi për bashkim familjar; - Një numër jashtëzakonisht i madh emigrantësh që ose nuk kanë patur kurrë leje qëndrimi, ose e humbën atë për shkak të krizës. Kuptohet se çdo vonesë në zbatimin e ligjit, vë në një pozitë mjaft të vështirë sidomos këtë kategori të fundit, e cila mund të përballet nga momenti në moment me largimin nga Greqia. Emigrantët duhet të reagojnë Në vazhdim të bisedës me “tribuna-news”, zoti Fatos Malaj thekson se, në pritje të konfirmimit të lajmit mbi pamundësinë e vënies sa më parë në eficencë të sistemit elektronik, emigrantët dhe shoqatat e tyre, duhet të reagojnë. Zoti Malaj sjell në vëmendje faktin se në fund të gushtit organizata Arogji iu drejtua qeverisë greke duke apeluar për nënshkrimin sa më parë të qarkoreve që kishin mbetur pezull, dhe apelimi pati rezultat- pavarësisht se tashmë po dalin vështiritë e reja, siç thamë që në fillim. Një metodë reagimi, sipas zotit Malaj, është hartimi dhe nënshkrimi i një peticioni që t’i drejtohet qeverisë teknike dhe gjithë partive politike të spektrit demokratik, ku t’i sensibilizojnë mbi pasojat mjaft të rënda që do të ketë për emigrantët vonesa e fillimit të procesit. Përtej anës praktike, problemi ka edhe një aspekt politik, teksa në rast të mos reagimit të duhur nga ana e politikës dhe e shtetit grek, vihet në diskutim predispozicioni pozitiv që u tregua kohët e fundit ndaj emigrantëve. Por jo vetëm kaq: mos përgjigjja me vepra do të dëmtonte edhe imazhin e partisë SYRIZA, që i inicoi ndryshimet favorizuese dhe që më 209 shtator do të këtkojë sërish votën e qytetarëve grekë. Mos të harrojmë se në këto votime marrin pjesë edhe një numër i konsiderueshëm emigrantësh. Në pritje Gjithsesi, nuk duam që t’i alarmojmë lexuesit. Ne qëndrojmë në pritje dhe duke shfrytëzuar dhe statusin e gazetarit do të përpiqemi të marrim më shumë informacion, të cilin do t’i jua përcjellim menjëherë. Robert Goro

Ndaje me miqte