0030 210 33 18 483

Presidenti i ri amerikan dhe pritshmëria shqiptare

Afrim KRASNIQI 20 Janar 2017

Donald Trump merr sot detyrën si President i 45 i SHBA-ve. Në këtë post ai bëhet njëherësh njeriu më i pushtetshëm dhe më me ndikim në botë. Për shqiptarët ai përfaqëson edhe kryetarin e shtetit më me ndikim në hapësirën tonë. Për këtë arsye, zgjedhja e Presidentit amerikan është dhe mbetet një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për vendin e tij, por edhe për botën, dhe brenda saj, edhe për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarë. Si një shoqëri me kulturë masovike dhe populiste, e cila zhvillimet në botë i lexon me mendje simpliste, shoqëria shqiptare, sidomos ajo politike, e prêt mandatin e ri presidencial amerikan me emocione province, - plot pasion, në garë me mullinjtë e erës dhe i tejmbushur me mite e alibi, të cilat të thëna shpesh e në mënyrë periodike, fillojnë të besohen edhe prej atyre që i thonë të parët. Shqiptarët nuk kanë të drejtë dhe as aftësinë të gjykojnë zgjedhjen e popullit amerikan. Shqiptarët vetëm mund ta respektojnë në çdo rast, sido që të jetë ato. Gafa e liderëve tanë politikë që vrapuan në drejtimin e gabuar të garës përmes lobimit apo përmes daljeve mediatike, janë një rast i mirë për të mësuar nga gabimet, për të reflektuar dhe për të kuptuar se fatet tona politike e shtetërore ka ndodhur e mund të ndodhë të përcaktohen në kancelaritë e mëdha perëndimore, por fatet e këtyre të fundit nuk ka ndodhur, nuk ndodh dhe nuk mund të ndodhë të përcaktohen nga kancelaritë folklorike të Tiranës. Donald Trump përfaqëson Amerikan, aleatin dhe shtetin tek të cilët shqiptarët besojnë me shumë dhe nderojnë më shumë. SHBA ishte përcaktuese kur u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, ishin në krahun tonë gjatë Luftës II Botërore, ishin në anën e duhur në përpjekjet për të evituar vendosjen e komunizimit, ishin rezistentë e konsistentë në vlerat e qëndrimet antikomuniste, ishin forcë vendimtare shtytëse për ndryshimin e vitit 1990, ishin përcaktuese në çlirimin e Kosovës dhe më pas edhe në pranimin e Shqipërisë në NATO. Në politikën e ditës SHBA janë forca kryesore shtytëse për reformën në drejtësi, për konceptin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve funksionale kushtetuese, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të medias, të besimit dhe të një ekonomie konkurruese. Ata janë “rojet” e shtetit të Kosovës dhe lobuesit kryesorë të njohjes e progresit të saj. Ne jemi pjesë e misioneve paqësore me SHBA në Afganistan e Irak, jemi në marrëveshje partneriteti strategjik në NATO dhe në strehimin e disidentëve iranianë, ashtu siç jemi prej vitesh një nxënës shembullor në raportet miqësore me fqinjët në veri e jug të Kosovës. Me këtë bilanc është në interesin jetik tonin që SHBA të vazhdojë të jetë në të njëjtat linja angazhimi dhe vëmendje ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Kur ditët e dehjes protokollare të kalojnë, të gjithë ne do drejtojmë sytë e veshët tek Presidenti i ri dhe administrate e tij për të pritur dhe ndjerë natyrshëm konfirmimin e kësaj linje e miqësie me Shqipërinë. Gjatë fushatës elektorale dhe në komentet e shumta në media, siç ka ndodhur me çdo president tjetër, edhe me Presidentin Trump shqetësimet tona nuk ishin dhe nuk mund të ishin pjesë e tyre. Disa lajme pro serbe u përgënjeshtruan brenda 6 orësh. Indirekt ne kemi deklaratat e fundit dhënë medias gjermane e britanike, për një rishikim të angazhimit ndaj NATO (ku ne jemi pjesë), një qëndrim kritik mbi projektin e BE-së (ku ne aspirojmë) dhe këshillën kundër zgjerimit me anëtarësime (ku ne synojmë të kundërtën). Ka raportime të vazhdueshme gjithashtu për një raport të ri midis shtetit më demokratik të botës dhe Rusisë, një vend, i cili dukshëm vijon të jetë në anën tjetër të interesave tona kombëtare. A janë këto deklarata të mjaftueshme për të paragjykuar mandatin e ri presidencial nga këndvështrimi ynë? Jo. Presidenti Obama gjatë fushatës së parë elektorale ka bërë deklarata shumë më kritike ndaj nesh, (kritika ndaj ndërhyrjes në Kosovë dhe sulmit të NATO-s ndaj Serbisë), megjithatë koha tregoi se ai ishte vijues i vendosur i linjës amerikane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Bilanci i tij në Tiranë e Prishtinë është pozitiv. E njëjta mund dhe duhet të ndodhë edhe me Presidentin e ri. Sa herë Presidentët amerikanë ndërrohen në “Ibër”, “Merdarë”, “Tetovë” apo “Ulqin” ndodh dicka, sic historia e fundit me trenin apo Haradinaj. Ballkanasit e njëjtë duan të testojnë, as ne, as veten, por Uashingtonin. Ata morën përgjigjen e përpara 20 janarit. Sot jemi me 20 janar dhe përgjigjia është në fuqi. A duhet të jemi të shqetësuar? Po. Natyrisht. Jo për Presidentin e vendit mik, jo për shtetin mik, jo nga miqësia dhe gëzimi i miqve, por nga ndryshimi i pa-testuar, nga nevoja jetike për të pasur SHBA-të në krah. Të shqetësuar jo nga përrallat me Soros që dëgjohen në Tiranë, Shkup e ndonjë kryeqytet tjetër para-demokratik; jo nga mitet se “fatet tona po rivendosen papritur diku larg nesh”, por nga kureshtja që krijon ri-formatimi i politikës dhe gjeopolitikës, nga fakti se pa e kuptuar bota ka ndryshuar, të gjithë kanë ndryshuar, - vetëm ne kemi mbetur vendnumëro, të njëjtat fytyra, të njëjtat probleme, të njëjtat skena dhe të njëjtat aspirata. Ne vijojmë të kemi 1000 probleme “shqiptare”: një shtet të dobët, një elitë politike të korruptuar, një media e shoqëri civile të vakët, një ekonomi jo konkurruese dhe një botë shqiptare të lodhur, në ikje dhe në krizë vlerash e besimi. Dhe kur jemi kaq të brishtë kemi nevojë për dritë jeshile, për besim, për shpresë, - pritshmëri që prej më se 26 vitesh i kemi adresuar drejt Uashingtonit, Berlinit, Londrës, Vjenës, Romës e Parisit. Presidenti Reagan, i cili në momentin e zgjedhjes kishte elementë të shumtë të njëjtë me Presidentin e ri (të sotëm) amerikan, është shprehur se SHBA është e fortë sepse më shumë sepse kanë institucione, kanë vlera, kanë parime dhe kanë aftësi t’i çmojnë, promovojnë dhe pasurojnë ato. Me siguri se kjo traditë e jashtëzakonshme e vendit model të demokracisë në një botë gjithnjë e më të trazuar do të konfirmohet sot, siç është konfirmuar disa herë pas zgjedhjes, nga Presidenti Trump. Prej nesër, me siguri ne do të harxhojmë edhe një javë duke komentuar ftesat, biletat, telegramet, fotot dhe në fund të javës, - do të duhet të ulemi me këmbë në tokë për tu marrë me gjërat tona më emergjente, të cilat janë kaq të shumta në numër dhe kanë kaq pak shanse e përkujdes të zgjidhen. Së fundi, por me rëndësi: urimi ynë sot, përveç suksesit të vendit mik, suksesit të Presidentit të ri, nevojës për konfirmim e thellim të raporteve midis dy vendeve, - na lejon të shpresojmë për një ndryshim pozitiv, - urimin që Perëndimi ta kuptojë se vende si Shqipëria, më shumë sesa stabilitet formal nën sundimin e pakicës, kanë nevojë për demokraci funksionale me vendimmarrjen e shumicës. Demokracia e sjell edhe stabilitetin, e anasjellta ndodh rrallë e më rrallë, - një thënie e Presidentit të parë dhe të fundit (deri tani) që ka vizituar Shqipërinë! *)Afrim Krasniqi është drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë

Ndaje me miqte