0030 210 33 18 483

Prof. Dr Priamo BOLLANO: Shënime historike nga veprimtaria e Kryepleqësisë së Himarës (1)

09 Qershor 2015

Në periudhën pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe me pushtimin nazist Krahina e Himarës ndodhej në një situatë të nderë e të paqëndrueshme. Falë pozitës së saj gjeostrategjike pushtuesit nazistë synonin që Bregdeti Jonian, nga Karaburuni deri në Sarandë, të ishte një zonë e lirë për forcat e veta, e çliruar nga forcat e lëvizjes nacional-çlirimtare, por edhe për të përballuar ndonjë zbarkim të mundshëm të aleatëve anglo-amerikan. Për këtë arësye: “Komanda gjermane,- siç shkruan në kujtimet e veta Kleanth Andoni nga Vunoi, pjesëmarrës në Lëvizjen Nacionalçlirimtare- , më shumë se ajo italjane, e konsederonte hapsirën Llogora - Sarandë, si pikë me rëndësi të madhe strategjike. Vetë Komanda e Lartë e Vermahtit e kishte klasifikuar atë si njërën nga shtatë “ pikat me rëndësi të veprimtarisë armike në Shqipëri. (K.Andoni, "Himara në breg të detit", shënime historike dhe kujtime,fq.115). Në këto kushte, Krahina ndodhej në një situatë të nderë dhe kërcënohej të kthehej në një teatër luftimesh ndërmjet forcave partizane që përfaqësonin Frontin Antifashist Nacional-lirimtar nga njera anë dhe, forcave pushtuese naziste dhe atyreve nacionaliste të përfaqësuara nga Balli Kombëtar etj, nga ana tjetër. Një situatë e tillë mbartte mbi vete pasoja shumë të rënda për popullsinë vendase. 1. Kalimi në vetëqeverisje Për t’iu shmangur kësaj situate, Paria e Krahinës në një mbledhje historike të vetën, në mesin e vitit 1943, shpall vetëqeverisjen e Himarës - pra autonominë. Ajo drejtohej nga Kryepleqtë dhe Pleqësia (Dhimojerondia) krahinore, në përbërjen e së cilës bënin pjesë përfaqësuesit e fshatrave të saj (me përjashtim të Vunoit), me Kryetar Jeorji Bollanon, dhe nënkryetarë Milo Mërkurin dhe Jerasimo Dunin. Në lidhje me rolin e veprimtarisë së Pleqësisë së Himarës Autonome, për mos shndërrimin e Himarës në një shesh luftimesh të përgjakur, kanë rëndësi kujtimet dhe mbresat e Kleanth Andonit nga Vunoi, i cili megjithëse ishte pjesëmarrës në Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kundërshtar ideologjik i Pleqësisë së Himarës, pranon realitetin kur shkruan: “Në tërërsi në ato ditë të vështira, burrat dhe gratë e Bregdetit dhanë edhe një herë prova trimërie, besnikërie dhe fisnikërie. Në një ryp toke të i zoluar në lindje prej maleve të lartë të mbuluar me borë dhe në perëndim prej detit, si dhe të përshkuar nga xhadeja ku lëviznin trupa gjermane e banda balliste dhe të kërcënuar me pushkatim në vend, po të strehonin partizanë, Bregdetasit përsëritën traditat e tyre të lashta dhe u dhanë me vetmohim besë e strehë të sigurtë dy batalioneve... Edhe në ato fshatra ku hyrjet daljet ishin bërë shumë të vështira, gratë dhe vajzat e Krahinës gjetën mënyrat dhe rrugët për t’u ardhur në ndihmë. Kështu edhe brenda në fshatin Himarë u strehuan mjaft burra vunjotës, kur bora e të frohtit i detyroi të zbresin nga mali ku ishin fshehur për t’i shpëtuar terrorit hitlerian. Nëpër miqtë e tyre në këtë fshat e gjetkë gjetën strehim edhe disa familje të partizanëve nga Kuçi, etj...”. (Vepër e cit.) Në vitet e vështira të Luftës, Kryepleqësia e Himarës Autonome lojti një rol të rëndësishëm gjithashtu edhe në zgjidhjen e në trajtimin sipas zakonit të mosmarrëveshjeve të ndryshme të lindura midis popullsisë së fshatrave. E kësaj natyre ishte ndër të tjera edhe mosmarrëveshja e lindur në kohën e luftës italo-greke midis banorëve të Sasajt për vrasjen e disa barinjve nga fshati Pilur. Për shkak të luftës ata, së bashku me bagëtitë e tyre, ishin shpërngulur në malet për rreth Sasajt. Vrasja e barinjve piluriotë ishte një ngjarje tepër e rëndë, që fare mirë mund të çonte në një përplasje të armatosur, me viktima të shumta dhe në gjak derdhje midis popullsisë së dy fshatrave. Për të shmangur këtë konflikt të mundshëm, me ndërmjetësinë dhe iniciativën e Kryetarit të Himarës Jeorji Bollano, pas disa takimeve jo të sukseshme për pajtim të zhvilluara në kodrat për rreth Lukovës afër Sasajt, u thir më 28 mars të vitit 1943, në katundin Kudhës të Himarës, Kuvendi i pleqve të Himarës, Kurveleshit dhe Rrëzomës- Vilajeti siç thuhet në proces verbalin e mëposhtëm. Ai pasi diskutoi dhe shkëmbeu mendimet rreth konfliktit në fjalë, përmes një proces-verbali, të nënshkruar një zëri nga të gjithë pjesëmarrësit, miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme. Përmbajtja e procesverbalit të këtij Kuvendi historik është si vijon: “Të nënshkruarit përfaqësues të katundeve Nivicë-Bubar, Shën-Vasili, Lukovë, Piqeras, Borsh, Fterë, orraj, Kallarat, Palasë, Dhërmi, Vuno, Himarë, Qeparo dhe Kudhës, në mungesë të përfaqësuesve të katundeve Kalasë, Tatzat, dhe Bolenë, që ishin ftuar nga katundet Nivicë-Bubar, Shën-Vasili, Lukovë, Piqeras, për të biseduar rreth konfliktit që ekzistos mes fshatrave Sasaj dhe Pilur, të mbledhur sot më datën 28 mars 1943 (njëmijë e nëntëqint e dyzet e tre) në katundin Kudhës të Himarës, biseduam rreth konfliktit në fjalë ku shkëmbyem mendime të gjëra tërë ditën e sotme me zëra të përbashkët: Vendosëm: 1- Qysh nga dita e sotme e deri në mbarimin e luftës së përbotëshme dhe në qetësimin e plotë të brendshëm të vendit, të dy katundet, Sasaj dhe Pilur, do të kenë një armë pushim të plotë, duke mos u prekur asnjëri prej dy anëve, sido që të takojë gjatë kësaj lufte që është në zhvillim. 2-Në mbarim të plotë të luftës secilado anë që ta quajë vështirë të detyruar nga an tjetër, ka të drejtë të provokojë mbledhjen e një vilajeti të ri, para të cilit të të gjitha pretendimet e saj, për të siguruar të drejtat e zakonit. 3- Në rast se ndonjëra palë (Sasaj-Pilur) brenda kohës së caktuar në pikën e parë të këtij vendimi do të guxojë të shkelë dispozitat e këtij vendimi, duke diktuar palës tjetër për hakmarrjen, atëhere do të quhet në luftë të hapët e të drejtë me të gjitha katundet që përfaqëson vilajeti me këto rrjedhime e masa: A- Në rast të një vepre kriminale nga një ose më shumë persona, ekzekutimi i menjëhershëm i fajtorit ose i fajtorëve do të kryhet prej popullit të katundit të vet dhe në rast refuzimi të këtij ekzekutimi prej popullit të katundit të fajtorit e të fajtorëve, atëhere gjithë katundi quhet bashkëfajtor dhe u mbetet gjithë krerëve pjesëmarrës në këtë vilajet detyra e ekzekutimit. B- Në rast se krimineli ose kriminelët i shpëtojnë ekzekutimit, arratisje ose mëshefje, mirren këto masa: u digjet shtëpia, u konfiskohet pasuria, u dëbohet familja prej katundit të vet, ashtu edhe prej katundeve të përfaqësuara sot. C- Cilido që bëhet strehë për familjen e për fajtorët si nga katundi i vet dhe mgas katundet e tjera të këtij vilajeti, do të ketë po atë dënim që përmendet në pikën B të nenit tre të këtij vendimi. 4- Në këtë armëpushim, në pikat dhe dispozitat të këtij vendimi zë edhe katundet q1ë quhen ose mund të quhen të implikuar me konfliktin Sasaj e Pilur. 5- Ky vendim mbahet në tre kopje origjinale, nga të cilat njëra i shkon Këshillit të katundit Kuç, e dyta Këshillit të Himarës dhe e treta Këshillit të katundit Nivicë-Bubar. Këto të tre këshilla ngarkohen të shpërndajnë kopje të njëjta me origjinalin e këtij vendimi nëpër katundet e thirrura në mbledhjen e sotme të paraqitur. Këshilli i Kuçit do të shpërndajë kopjet e këtij vendimi në këto katunde: Bolenë, orraj, Kallarat, Tatzat, Kalasë, Këshilla e Himarës ndër këto katunde: Qeparo, Kudhës, Vuno, Dhërmi e Palasë. Këshilla e Nivicë-Bubar në katundet: Shën-Vasili, Lukovë, Piqeras e Borsh. 6- Ky vendim pasi u redaktua u lexua me zë të lartë, u dëgjua prej të gjithëve, u pëlqye dhe nënshkruhet”. (Arkivi familjar, Thanas Spiro Bollano, kopjuar në vitet ’80 në muzeun e fshatit Qeparo; shih edhe: Rami Memushi, "Histori e Kurveleshit I", bot, TOENA, Tiranë 2004, fq.139-140) Për Himarën procesverbalin e Kuvendit e firmosën: Jeorgji Bollano dhe Niko Kaçelano, për Kudhësin Miço Gjini, Mino Llambro dhe Jorgo Kabuci, për Qeparon Naqe S. Gjika, Kozma Mali dhe Grigor Polo, për Vunonë Taso Pilo, për Dhrimadhes Kostë Gorea, për Palasën Grigor Vera, për Pilurin Pano Bala, Dhimitër Gërdhuqi dhe Dhimitër Lapa dhe me radhë përfaqësuesit e Piqerasit, Nivicë-Bubar, Lukovës, Borshit, Kuçit, Kallaratit, orrait, Fterës dhe Shën Vasilit. (Vijon)

Ndaje me miqte