0030 210 33 18 483

Prof. Dr Priamo BOLLANO: Shënime historike nga veprimtaria e Kryepleqësisë së Himarës (2)

20 Qershor 2015

Në pjesën e parë të këtij punimi, kemi parë se si krahina e Himarës, menjëherë pas kapitullimit të Italisë, vendosi të kalonte në vetëqeverisje. Kjo u vendos nga paria Himarës në mesin e vitit 1943. Vetëqeverisja ushtrohej nga Kryepleqtë dhe Pleqësia (Dhimojerondia) krahinore, në përbërjen e së cilës bënin pjesë përfaqësuesit e fshatrave të saj (me përjashtim të Vunoit), me Kryetar Jeorji Bollanon, dhe nënkryetarë Milo Mërkurin dhe Jerasimo Dunin. Nga Prof. Dr Priamo BOLLANO Gjatë mësymjes armike të dimrit 1943-1944 Komanda naziste gjermane gjatë dimrit 1943-1944 grumbulloi forca të shumta, edhe në Zonën e Bregdetit, për një mësymje të përgjithshme. Qëllimi i saj ishte, nga njera anë, të thyente vullnetin e popullit dhe të shkatërronte lëvizjen Nacional-lirimtare dhe, nga ana tjetër, në kushtet kur forcat aleate forcave naziste u shkaktonin disfatë pas disfate dhe në horizont dukej qartë tatëpjeta e tyre e plotë, u nevojitej krijimi i një zonë të lirë për tërheqjen e trupave nga Greqia për në veri. Për përballimin e kësaj mësymjeje, focat e lëvizjes Nacional-lirimtare përforcuan ato të terrenit duke dërguar në Himare, javën e fundit të janarit 1944, batalionin e tretë të Brigadës së V-të, me zëvëndëskomisar Zaho Kokën, më 3 shkurt batalionin e katërt dhe më 4 shkurt batalionin e dytë. Në këtë përleshje përveç forcave të shumta naziste dhe kolaboracioniste kuislinge djemtë e lëvizjes nacional-çlirimtare u duhej të përballonin edhe motin e keq, dimrin e ashpër të vitit 1943-1944, krahas mungesave në bazën materiale, në ushqime dhe në teknikën luftarake. Kur presioni armik, sidomos në shkurt të vitit 1944, ishte rritur, mbasi kishte kaluar në zbatimin e operacionit plotësues “und doch” (dhe megjithëatë), moti sa vinte e keqësohej, bora kishte mbuluar malet për rreth deri edhe në lartësirat e ulëta hipsometrike, ndërsa trashësia e saj por rritej vazhdimisht. Në këto kushte forcat e lëvizjes u vendosën në grykat dhe shpellat përreth, si në shpellat e Kranesë, në atë të Ilqes, në grykën e përroit të Grivianit, në shpellën e Dhimrrokut, në Ksirollak, në Merteo, Kastane etj. Njëkohësisht, për forcat e lëvizjes, vaçanërisht për ata me aftësi të kufizuar, për arësye moshe, sëmundjeje, ose edhe për plagosje, vend strehimi, në kushtet e dimrit të ashpër, u bënë shumë familje himariote. Me mikpritjen, besnikërinë dhe besën e dhënë, me dijeninë edhe të Parisë së Kryepleqësisë gjetën strehim në familjet himariote shumë njerëz të lëvizjes, ndërmjet tyre: Hasan Pula, në atë kohë Kryetar i Këshillit Nacional lirimtar të Qarkut dhe N/Kryetar i Shtabit të Zonës Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, pjesëmarrës të tjerë aktivë në lëvizjen Nacional lirimtare dhe të plagosur në përpjekjet me pushtuesit si: Jaho Gjoliku, Komandant i Brigadës VI-të S, Kristo Papajani, Fejzo Bino e mjaftë të tjerë antarë të Qarkorit ose të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, Me një pjesë prej tyre, përfshi edhe ing. Zenel Hamitin, kam pasur nderin të bashkëpunojë për vite të tëra gjatë punës sime në Tiranë, në Komisionin e Planit të Shtetit. Përmes kujtimeve dhe nbresave të pashlyeshme ata shprehnin mirrënjohjen dhe respektin për mikpritjen dhe fisnikërinë e treguar nga familjet himariote, në vitet e Luftës Antifashiste Nacional-lirimtare. Përveç të tjerave, në gjashtëmujorin e parë të viti 1974, për arësye shërbimi ndodheshim në Vlorë: Në mbrëmje pas bërjes së bilancit të përditëshëm të punës, biseda kaloi për vitet heroike të Luftës Antifashist. Në këtë bisedë të ngrohtë dhe shumë dashamërrëse, Zenel Hamiti pjesëmarrës në lëvizjen antifashiste nacional-çlirimtare, me detyrë, përveç të tjerave, edhe Komisar i batalionit III të Brigadës V Sulmuese, pasi foli për vështirësitë që përballuan partizanët gjatë mësymjes së përgjithëshme naziste të dimrit 1943-1944, ndër të tjera vazhdoi: “Ishte dimri i vitit 1944, shtabi i Brigadës V S, së bashku me shokun Hysni Kapon dhe Zaho Kokën, ishin vendosur në shpellat e Ilqes. Bashkë me ta ndodhej dhe Hasan Pula, që në krahasim me njerëzit e tjerë të lëvizjes, i kishte mbushur të pesëdhjetat. Për shka edhe të moshës me vështirësi ai do të mund të përballonte kushtet e motit. Me porosi të shokut Hysni na u dha porosi që me çdo kusht ta strehonim, në siguri të plotë, në një familje himariote. Së bashku edhe me shokët e tjerë shkëmbyem mendime të ndryshme. Më në fund me ndërhyrjen edhe të riut himariot Kozma Dani, vendosëm që të hynim në tentativë për ta strehuar Hasan Pulën tek familja e Nestor Pilo Bollanos. Strehimi në familjen e Barba (Tata) Neços, siç e thërrisnin fisi, u pa si zgjidhje më e pranueshme, jo vetëm nga fakti se ai ishte një njeri i pjekur, bujar, i besës dhe me mjaft miq nga Lumi i Vlorës, por edhe sepse shtëpia e tij e ndodhur në Lartësinë Vurlea, midis vendbanimeve Merteo dhe Kastane të Himarës, me fushë pamje të pastër, ishte mjaft e përshtatëshme për t’i bërë ballë ndonjë sulmi eventual nga forcat naziste të garnizonit gjerman, të përforcuar me forca, që ndodhej në Spile. Pasi morëm detyrën, së bashku me një partizan tjetër dhe me Kozma Danin, i ri himariot si udhërrëfyes, sepse e njihte mirë terrenin ku do të kalonim, grupi u nisë për realizimin e misionit”. Ishte mbasdite dhe dielli po perëndonte kur grupi po ngjitej për në Vurlea, ku ndodhej shtëpia e Neço Bollanos. Ndonjë kliometër larg saj, në luginën Stravoliso, u takuam rastësisht me djalin e madh të tij Nikollën, që ishte me bagëtitë e familjes. Pas përshëndetjes së zakonëshme, grupi e pyeti për gjëndjen shëndetësore të familjes dhe sidomos të Barba Neços, si dhe i thamë se kishin nevojë ta takonim dhe të bisedonin me të. Nikolla pa e zgjatur, vazhdonte tregimin e tij Zenel Hamiti na u përgjigj: “Tata në shtëpi është dhe patjetër do të jeni të mirëpritur nga ai për të biseduar. Me ndihmën e Kozmait mund të shkoni në shtëpi, ose pas pak, që do të mbledh edhe unë bagëtitë, mund të shkojmë bashkarisht. Dhe kështu bëmë. Duke ecur për në shtëpinë e Neço Bollanos në mëndjen e grupit partizan qarkullonin lloj-lloj mendimesh, me shqetësimin e vetëm se si do ta priste plaku i moçëm ofertën tonë. Më në fund, kur mbërritëm në oborrin e shtëpisë, gjithçka ndryshoi. Ishte një gjë e papritur dhe e paimagjinueshme për ne, që një burrë i gjatë, shpatullgjërë, i moshuar, me mustaqe të përdredhur hijshëm dhe të zbardhur nga vitet, që shumë pak dallohej nga sa kishim dëgjuar dhe mësuar, në vitet e rinisë, për Kreshnikët e Maleve, na dolli përpara dhe na uroi mirë se ardhjen. Ishte vetë i zoti i shtëpisë që priti në hyrje të saj grupin tonë”. Pasi u ulën këmbëkryq, nusja e shtëpisë, shpejt e shpejt, shtroi mësallën, vuri në të shishen e rakisë dhe një meze të sajuar, siç e kishte zakon vendi. Barba Neçua, pa vonuar, i uroi grupit shëndet dhe, duke trokitur gotat pyeti: “Djelmo! Përse e keni marrë mundimin jeni lodhur për t’u ngjitur deri këtu, në Vurle, në këto ditë të ftohta të dimrit?”. Ngrohtësia e mikëpritjes dhe fisnikëria që u ofroi ky burrë i moçëm dhe i zakonit, e lehtësoi shpirtin, i çliroi pjesëmarët e grupit nga stresi. Ndërsa Zenel Hamiti, si përgjegjës i tij, duke e marrë fjalën falemnderoi të zotin e shtëpisë për mikpritjen bujare dhe në vazhdim theksoi: “Ju e dini, se armiku ka ndërmarrë një mësymje të përgjithshme ndaj lëvizjes nacionaçlirimtare. E kryer kjo edhe në kushtet e vështira të motit, borës dhe gricave të mëdha e të mungesave të tjera, vështirëson shumë punën tonë. Kushtet e motit janë tepër të vështira, sidomos për njerëzit tanë të moshuar, ose edhe të plagosur. Midis nesh, në malet me dëborë, pa bukë, me mugesa në ushqime, në barna e në materiale të tjera, ndodhet edhe një shok me mjaft përgjegjësi, i quajtur Hasan Pula. Ai njihet edhe nga himariotët, sepse në vitin 1921, megjithëse në moshë te re, për një kohë të shkurtër ka shërbyer në Himarë si Zv/komisar i policisë. Shtabi i Brigadës ka menduar që këtë njeri, që tashmë është në të pesëdhjetat e tij, ta sistemojë, në rast se Ju merrni përsipër edhe mbrojtjen e tij, nga ndonjë operacion i mundshëm nazist, pranë familjes suaj”. Plaku i moçëm, pas një pushimi të shkurtër, me pjekurinë, bujarinë dhe urtësinë që e karakterizonte u përgjigj: “Djema! Kohët janë me të vërteta të vështira, nga të gjitha anët. Që zgjidhni familjen time për strehim dhe njëkohësisht për mbrojtje të njeiut tuaj - të nderuarit Hasan Pula, i cili njëkohësisht do të jetë edhe njeriu i jonë, është nderë i madh që më bëhet mua dhe në tërësi fisit Bollano. Njeriu i juaj i ka dyert të hapura të shtëpisë sime, le të urdhërojë, ai është i mirëpritur. Sa për mbrojtjen e jetës së tij, që ma theksuat disa herë në këtë takim miqësor, të kini parasysh”. Pas një pauze të vogë barba Neçua, me zërin e tij karakteristik, vazhdoi: “Të kini parasysh. Jeta e njeriut tuaj dhe njëkohësisht e njeriut tonë, për deri sa futet midis nesh, do të mund të rrezikohet vetëm në rast se në një përpjekje eventuale me nazistët: në radhë të parë, ata të mund të kenë kaluar mbi trupat e familjes së Neço Bollanos, më tej në se ata do të mund të shuajnë fisin Bollano dhe, më në fund, Hasan Pula mund të bierrë në duart e pushtuesve nazist, vetëm në rast se shuhet gjithë Himara. Kjo ishte dhe mbetet besa himariote”, e mbylli tregimin e tij ing. Zenel Hamiti, i cili gjatë operacionit të madh nazist të dimrit të viteve 1943-1944, bashkë me batalionin e III-të veproi dhe u strehua në Himarë. Në darën e terrorit të kuq Eshtë fakt i pamohueshëm se Krahina e Himarës, përfshi këtu dhe kryeqëndrën e saj, ku vepronte edhe një garnizon i përforcuar nazist, kurdoherë me mundësitë dhe mjetet që dispononte ndihmoi dhe dha çdo gjë për lëvizjen nacional çlirimtare. Në të morrën pjesë aktive mjaft nga djemtë e Himarës, jo vetëm të inkuadruar në etën e Bregut, por edhe në formacionet e tjera të ushtrisë partizane, si Fane Bollano, Simo Milo, Perikli Llazari, Fane Veizi, Milto Beleri, Aleko Rapo etj. Më vonë u rreshtuan në formacionet partizane edhe Pavllo e Harilla Bollano, djemtë e vëllait të Jeorji Bollanos, si dhe Jani Kokaveshi, Petro dhe Vadh Beleri, Aleko Stoli, Dhimitër Rondo e shumë të tjerë. Vlen të përmëndet këtu, veç të tjerave, se batalioni i katërt i Brigadës VI Sulmuese, themeluar në Pilur më 24 maj të vitit 1944, kishte për komandant, burrin trim - kapedan Pilo Bollanon, kushëririn e parë të Kryetarit të Himarës- Jeorji Bollano. ?ë takimet e shpeshta pune që kam patur, sidomos pas viteve 1977-1980, me Haki Toskën, ish anëtar i Byrosë Politike të PPSH, në atë kohë Ministër i Financave, i cili në kohën e Luftës ishte ndër kuadrot kryesorë të Qarkorit dhe të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirkastër dhe Komisar i Brigadës VI, me një respekt të veçantë, më ka folur dhe treguar mjaftë episode trimërie për këtë burrë të pjekur himariot - kapedan Barba Pilo Bollanon. Ai më ka treguar njëkohësisht edhe mjaftë momente nga veprimtaria luftarake e trimit tjetër, legjendar himariot, komandantit të kompanisë së tretë, të batalionit të tretë të kësaj Brigade, dëshmorit të pas lirimit Fane Kristo Bollano. Në këto takime, Haki Toska duke treguar jo vetëm për aktivitetin e gjërë të Fane Bollanos në interes të lëvizjes dhe lidhjet me Qarkorin, në vitet 1941-1943, periudhë që shërbente në xhandarmërinë fashiste në fillim në Vlorë dhe më pas në Gjirokastër, ku përveç të tjerave për të mos rënë në duart e karabinierisë, disa muaj para kapitullimit të Italisë fashiste, rrëmben një triçikël të pushtuesve, kthehet në Himarë dhe hidhet në ilegalitet, duke vepruar në fillim në përbërjen e njësitit vëndas gueril. Më vonë, në saje të përgaditjes së tij profesionale, sepse kishte mbaruar Akademinë e Xhandarmërisë në Itali, u inkuadrua në fillim në Brigadën e V-të S., në të cilën merrte pjesë edhe eta e Bregut dhe më vonë vazhdoi luftimet kundër pushtuesve nazistë në përbërjen e Brigadës VI S partizane. Si pjesëtar i Ushtrisë Nacional lirimtare, Fane Bollano mori pjesë në luftime të ashpra me nazistët gjerman jo vetëm brenda Shqipërisë në Himarë, Kurvelesh, Peqin, Tiranë, Macukull, Shkodër etj, por ndoqi pushtuesit dhe jashtë kufirit shtetëror, në Mal të Zi e deri në Boshnjë, në Vishegrad. Për një kohë bashkë me Brigadën e VI-të venproi gjithashtu në Kosovë, deri sa në verën e vitit l945 kthehet në Tiranë dhe fillon punën në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas thenjeve të Haki Toskës, ai kudo u dallua për aftësitë e tij luftarake, sidomos për zbatimin me përpikmëri dhe krijimtari të artit të luftës partizane në realizimin e detyrave të caktuara nga njësia që ai drejtonte, si dhe pas lirimit në organizimin e shërbimit të kriminalistikës në Shqipëri Eshtë fakt i pa diskutueshëm se, jo vetëm Vunoi, por të gjitha fshatrat e Himarës ishin dhe mbetën bazë e rëndësishme për partizanët. Jo vetëm familjet që kishin shtëpitë e tyre larg qëndrave rurale, si në Malidhe, në Skutara, në Jal, në Stavridh, në Kallam, në Kastane, në Merteo, në Zamar, në Qafë Lerë etj, por edhe brenda në Himarë, në Ajio Mihaili, në Dhërmi etj, të zotërit e tyre i mbajtën kurdoherë të hapura dyert për djemtë e lëvizjes, duke ndarë me ta bujarisht edhe kafshatën e gojës. Në ato ditë të vështira të Luftës burrat po se po, por edhe gratë kurajoze himariote, dhanë prova të larta trimërie dhe treguan akte besnikërie, fisnikërie dhe heroizmi. Të ngarkuara në kurriz, ose më kafshët e shtëpisë, nën hundën e pushtuesve, ato u çonin djemëve të lëvizjes jo vetëm bukë e ushqime, por edhe materiale e municione ushtarake shumë të domosdoshme për kohën e Luftës. Gjithashtu, për hir të së vërtetës, duhet vënë në dukje se në Himarë asnjë partizan ose pjesëmarrës në lëvizjen nacional-çlirimtare nuk u dekonspirua dhe as iu dorëzua nazistëve gjerman ose forcave kolaboracioniste me ta. Edhe në rastet kur nazistët së bashku me kolaboracionistët bënin kontrolle dhe bastisje në shëpitë e himariotëve, për të gjetur partizanë të strehuar ose të plagosur, himariotët me mënçurinë dhe pjekurinë e tyre, gjenin forma e mënyra të ndryshme, duke i veshur edhe si gra etj, për t’i fshehur njerëzit e lëvizjes dhe për të mos rënë në dorë të pushtuesve. Kudo në çdo shtëpi dhe familje himariote partizanët gjetën ngrohtësinë, bujarinë, fisnikërinë dhe besë-mbajtjen. Dhe kjo ndodhte, pavarësisht se anëtarët e Kryepleqësisë së fshatrave dhe të Krahinës, cilësoheshin nga lëvizja si armiq dhe bashkëpunëtorë me pushtuesit nazifashist etj. (Vijon)

Ndaje me miqte