0030 210 33 18 483

Programi i rikthimit vullnetar të emigrantëve përfitojnë edhe shqiptarë

30 Maj 2015

Komisioni Europian ka propozuar që 16.000 azilkërkues nga Greqia dhe 24.000 nga Italia, të vendosen në shtete të tjera të Unionit. Sipas komisionerit për çështjet e brendshme dhe emigracionin, Dimitris Avramopulos, kjo masë propozohet me qëllim që në Bashkimin Europian të ketë “një minimum solidariteti”, por në të njëjtën kohë edhe “të sigurohen kufijtë e Europës dhe të shpëtohen jetë njerëzore”. BE u sensibilizua pas tragjedisë së prillit të këtij viti, kur më shumë se 900 refugjatë humbën jetën nga mbytja e anijes që po i çonte drejt brigjeve të Italisë. Italia dhe Greqia kanë shënuar fluksin më të madh të refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm vitin e fundit, me një rritje respektivisht 277 dhe 153%. Athina do të kërkojë që numri i refugjatëve nga Greqia që do të vendosen në shtete të BE-së, të dyfishohet, një përpjekje që të përballojë flukset që paralajmërohen të rriten gjatë muajve të verës. Për shkak edhe të krizës ekonomike, shërbimi grek i azilit është totalisht joproduktiv dhe shumica e refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm, enden pa shpresë rrugëve të Greqisë, pa pasur as kushtet më minimale për mbijetesë. Në këto kushte, si një zgjidhje e mirë, konsiderohet programi për kthimin vullnetar të emigrantëve, një program që financohet 75% nga Komuniteti Europian dhe 25% nga shteti grek. Daniel Esdra, shef i zyrës së Greqisë të organizatës ndërkombëtare të emigracionit, IOM, thotë se ky program nisi të zbatohet në vitin 2010, me hapa të drojtur fillimisht: “Në fillim nuk besonte askush se do të kishte njerëz që dëshironin të ktheheshin vullnetarisht. Dhe prandaj na dhanë një fond vetëm për 400 persona. Mirëpo, sapo filluam, brenda një muaji ishin paraqitur dymijë aplikime. Aty u kuptua nga të gjithë se ishte një program që kishte perspektivë dhe se kishte shumë njerëz që nevojiteshin ndihmë për t’u kthyer në vendin e tyre. sot, pas katër vjetësh e gjysmë, kemi ndihmuar më shumë se 27 mijë emigrantë që të kthehen në atdhe”. Sipas zotit Esdras, programi u drejtohet njerëzve që kanë humbur çdo alternativë për të qëndruar në Greqi. Të cilët përveç mungesës së një dokumenti të ligjshëm qëndrimi, nuk mund të gjejnë një punë as në tregun e zi dhe as kanë mundësi që të shkojnë në një vend tjetër të Europës. Kështu që, e vetmja zgjidhje që u mbetet, është të kthehen në atdhe. “ështja është se si do të kthehet në vendin e tij? Natyrisht, jo me pranga në duar, siç do ta kthente policia. Por me një perspektivë, me siguri, me dinjitet. Ne çfarë bëjmë? Fillimisht, kemi një bashkëpunim shumë të mirë me komsullatat e vendeve pritëse, për t’u nxjerrë emigrantëve një dokument udhëtimi, pa të cilin është e pamundur që ata të udhëtojnë. E dyta, bileta që u jepet është për fluturim normal, siç udhëton çdo pasagjer i zakonshëm, me gjithë ofertat që ka secili pasagjer. Së treti, u japim me vete një shumë parash, që ndryshon në varësi të mundësive tona, mund t’u japim 200, 300, 500, me qëllim që të përballojnë shpenzimet e para kur kthehen në atdhe”. Tasia Christodoulopoulou, ministre e politikës së emigracionit, thotë se programi është një zgjidhje e mirë. “Ky program është shumë i mirë, sepse u ofron një rrugëdalje emigrantëve që janë pa punë, që nuk munden të gjejnë diçka në Greqi, diçka që t’u sigurojë mbijetesën dhe në të njëjtën kohë nuk dëshirojnë t’u futen peripecive dhe ta kërkojnë fatin e tyre në një vend tjetër të Bashkimit Europian. Në këto raste, IOM është një zgjidhje shumë e mirë dhe kjo dëshmohet nga fakti se ka shumë emigrantë që aplikojnë për t’u përfshirë në program, ka një listë pritjeje të gjatë”. Muajt e fundit, nga programi i rikthimit kanë filluar të përfitojnë edhe emigrantë shqiptarë. “Ne e filluam programin e rikthimit të shqiptarëve këto muajt e fundit, në janar-shkurt. Meqenëse ka disa raste njerëzish që kanë vërtet nevojë, domethënë, një fëmijë, një grua e keqtrajtuar, një invalid, një i sëmurë, një i moshuar, që kanë nevojë për ndihmë, përse mos t’ua ofrojmë këtë ndihmë?... Janë rreth 120 shqiptarët që kanë përfituar nga programi i rikthimit, këto dy muajt e fundit dhe vazhdojnë. Duhet patur parasysh se, që të përfshihet dikush në këtë program, duhet më së pari të mos ketë dokumente të rregullta qëndrimi”, nënvizon zoti Esdra. Zyrtari i organizatësa ndërkombëtare të emigracionit, komenton edhe fenomenin e shfaqur muajt e fundit, me azilkërkuesit shqiptarë nëpër Europë: “Eshtë e qartë se nuk mund të pëtfitojnë azil. Para një muaji nisha në Oslo të Norvegjisë dhe u takova me shumë shqiptarë që kishin aplikuar dhe prisnin të merrnin përgjigjen për azil. E dinin edhe ata vetë se nuk kishin për të marrë. Unë i mirëkuptoj, ata përpiqen për një jetë më të mirë. ështja është se nuk kanë për ta gjetur. Dhe duhet t’u themi këtë: Që shumë herë, më mirë të kem një kafshatë bukë në shtëpinë time, se sa të rrezikoj jetën time në një vend të pasur, ku do të më mungojë edhe kafshata e bukës... Unë e kuptoj se të gjithë kanë shpresa për diçka më të mirë. Etiopianin që nuk ka as kafshatën e bukës, e justifikoj. Mirëpo shqiptari nuk ka problem të tillë, mbijetese dua të them. E kuptoj, kërkon një punë më të mirë dhe një të ardhme më të mirë. Mirëpo, shumë herë, e ardhmja jonë është pranë nesh dhe ne nuk e shohim”, thekson shefi i zyrës së Greqisë të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit.

Ndaje me miqte