Rama pyetjepërgjigje mbi programin qeveritar
Tribuna
12 Shtator 2017
Pas paraqitjes së programit të qeverisë, kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve që i kishin adresuar grupet parlamentare. Tribuna veçoi ato pyetje-përgjigje që mendojmë se kanë më shumë interes për lexuesin dhe në një farë mënyre “zbardhin” më mirë pikat e programit të qeverisjes.
PYETJE- Cilat janë prioritet e qeverisë për investimet publike?
PERGJIGJE: E thashë shkurt në paraqitjen time sot paradite, infrastruktura rrugore, arsimore dhe shëndetësore. Për më shumë them që prioritare mbetet sigurimi i financimeve publike në nivelin e 5% të Prodhimit të Brendshëm për Investimet, duke dhënë mbështetjen e duhur buxhetore të rritjes ekonomike. Përsa i përket infrastrukturës thelbi mbetet garantimi i lëvizshmërisë dhe i ndërlidhjes që do të orientojë investimet, me synim zhvillimin e sektorëve të turizmit, të bujqësisë dhe të trashëgimisë kulturore, përveçse atë që nënvizova, rimëkëmbjen tërësore të gjithë sistemit të rrugëve kombëtare. Do të ndërhyjmë në sistemin e rrugëve kombëtare me një projekt madhor që po përgatitet dhe besoj do ta sjellim edhe në këtë Parlament. Ndryshimi në qasje do të jetë thelbësor dhe sektorët prioritarë do të mbështeten jo vetëm nga investimet publike të financuara prej buxhetit të shtetit, por edhe përmes partneritetit publik-privat, si dhe tërheqjes së investimeve të huaja nëpërmjet një sërë lehtësirash specifike për sektorët e rëndësisë së veçantë, që po ashtu do t’ia paraqesim Kuvendit me paketën e re fiskale.
PYETJE - Sa për qind e Prodhimit të Brendshëm do të dedikohet për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë, sepse nga programi nuk ka asnjë qartësi si do prioritarizohen me financime këta sektorë?
PERGJIGJE: Leximi i vëmendshëm i programit mbase do ta kishte ezauruar këtë pyetje, po unë jam këtu për t’u përgjigjur. Gjatë gjithë mandatit të parë kemi pasur rritje të konsiderueshme të mbështetjes për shëndetësinë në 3% të Prodhimit të Brendshëm dhe vazhdojmë të shikojmë në drejtim të këtij sektori, me bindjen që për kujdesin shëndetësor të arrijmë në 60-65% të shpenzimeve të përgjithshme të shqiptarëve për shëndetësinë, një shifër që, për kujtesë, e gjetëm vetëm 43% në vitin 2013 dhe të sigurojmë që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të shpenzimeve për kujdes shëndetësor. Përsa im përket arsimit dhe shëndetësisë po ashtu jemi të qartë për domosdoshmërinë vazhdimit të mbështetjes prioritare ndaj mësuesve, po edhe mjekëve dhe infermierëve, duke e konsideruar si synim plotësisht të realizueshëm rritjen e pagave të tyre deri në 40% brenda këtij mandati. Po ashtu jemi duke punuar për një skemë të re financimi, për të nxitur mjekët specialistë që të punojnë pranë spitaleve rajonale, apo spitaleve bashkiake jashtë Tiranës. Eshtë ende në diskutim, por ideja është që t’ju ofrojmë këtyre mjekëve specialistë, një pagë të përafërt me atë që mund të përfitojnë pa llogaritur taksat, nëse shkojnë të punojmë ne Itali, për shembull.
Bujqësia do të vijojë të mbetet një degë shumë e rëndësishme në këndvështrimin tonë. Qëllimi është që të ecim shumë më shpejt, me një riorganizim tërësor dhe me fokus të posaçëm në fermat mbi 5 ha dhe zmadhimin e tyre të vijueshëm. Nga ana tjetër, tanimë jemi shumë të qartë që 100% e tokës bujqësore nën ujë është një angazhim tërësisht i arritshëm dhe brenda dy viteve të para të mandatit do të jetë një realitet. Në katër vite, sipërfaqja e tokës bujqësore e ujitshme u dyfishua dhe sot janë 225 mijë ha që vaditen dhe kullohen normalisht, krahasuar me 110 mijë në vitin 2013. Por objektivi mbetet për të mbuluar 100% të asaj toke që është në dispozicion dhe është një tokë bujqësore e punueshme që kërkon ujitje.
PYETJE - Premtimi juaj është që për katër vitet e ardhshme do të mbulojmë plotësisht 75% të nevojave për ujë në të gjithë territorin. ?farë do të thotë kjo?
PERGJIGJE: Kjo do të thotë që të shtrish këmbët sa e ke jorganin dhe padyshim që mund ta kishim jorganin sot jorganin ca më gjatë, nëse qeveria jonë e përbashkët e mandatit të parë do të kishte qenë më e përqendruar tek jetësimi i reformës së ujit. Sidoqoftë dua të saktësoj se 75% e nevojave nuk do të thotë që 25% e popullsisë do ta pinë ujin direkt nga shtrati i lumit, apo do ta marrin direkt nga qielli nëpërmjet shiut, por që niveli i furnizimit do të arrijë 75% në raport me 100% që është një normë optimale e vendeve normale të Europës.
PYETJE - Për familjet në nevojë, cila është paketa sociale, apo sërish do të kemi paketën e lëmoshës?
PERGJIGJE: Programi tradicional i ndihmës ekonomike do të zëvendësohet nga programi mbështetje për riintegrim, i cili do të kushtëzojë dhe njëkoheshiosht do të rrisë ndihmën financiare për familjet e varfra, me përfshirjen e tyre në programe apo në shërbime të ndryshme të personalizuara arsimore, shëndetësore, formimi e punësimi. Po ashtu synojmë rritjen e aksesit në ndërmarrjet sociale, në biznesin sociale dhe në punët komunitare. Besoj që ju që e keni bërë pyetjen e dini, se kemi qenë bashkë një mandat të tërë, që ne e trefishuam ndihmën ekonomike nga 1.5 mijë në 4.5 mijë lekë. Eshtë padyshim pak, po është shumë më shumë seç ishte, ashtu sikundër nga 3 mijë në 8 mijë lekë. Edhe 8 mijë nuk janë aspak shumë, po janë shumë më tepër se 3 mijë lekë. Deri në vitin 2021, ajo që ne kemi qëllim, me programin e ri që e transformon qasjen ndaj familjeve në nevojë dhe e vë fokusin tek riintegrimi, është që në dy familje, një të jetë përfituese e kësaj mbështetjeje për riintegrim dhe e përfshirë në nënprogramin “Shqipëria punon”, me synimin që deri në vitin 2025, shtrirja në kohë e këtij programi të bëjë të mundur që tre në katër familje të përfshihen në këtë kategori përfituesish. Paketa e re e riintegrimit parashikon një rritje të masës së ndihmës, duke e hequr tavanin 8 mijë lekë, që është maksimumi sot për familje. Nga ana tjetër, skema sot është goxha e pastruar në raport me 4 vite më parë, por kërkon rritje të mëtejshme të transparencës dhe kjo do të bëhet si rezultat i shtrirjes kapilare të programit të nisur me projektet pilot të Bankës Botërore në të gjithë territorin.
Do të kemi një paketë të re vlerësimi të aftësisë së kufizuar për 154 mijë invalidë dhe persona me aftësi të kufizuar, duke i rishikuar pagesat e tyre dhe duke ofruar shërbime të plota rehabilituese për ta. E një nga mekanizmat e shumtë që do të ndryshojnë në ristrukturimin tërësor të qeverisë dhe të qeverisjes është se nuk do të lëmë më një hapësirë boshe për aq shumë pisllëk dhe korrupsion midis kërkesave për statusin e aftësisë së kufizuar dhe kempeve, komisioneve, historive me nuk e di sesa vula, që me siguri do kemi rastin t’ia numërojmë publikut, por do ta ristrukturojmë gjithë këtë proces dhe do të krijojmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis atyre që janë në nevojë për këtë status dhe spitaleve në mënyre të drejtpërdrejtë, pasi faktikisht spitalet e bëjnë punën e tyre, por pastaj duhet të futet në mes një lojtar gri, njësoj si policia gri për të riverifikuar shumë vulat që merren ndërkohë nëpër spitale.
PYETJE - A do kemi më shëndetësi falas, apo qeveria është bërë pishman?
PERGJIGJE: Ne s’jemi bërë pishman që qeverisim bashkë katër vjet, jo më të bëhemi pishman për këtë qëllim kaq të lartë të shërbimit shëndetësor falas. Kështu që politika jonë e mbulimit universal në shëndetësi do të vijojë, duke rritur investimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin për të ecur sistematikisht drejt horizontit të shërbimit të plotë me mbulim universal. Do vijojmë të mbështesim fort parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm. Financimin publik për kujdesin shëndetsor synojmë ta cojmë në 60-65 % të shpenzimeve totale të shqiptarëve për shëndetsinë. E po ashtu do vazhdojmë ta zgjerojmë ndjeshëm kujdesin shëndetësor pa pagesë sepse faktikisht sot ka një pjesë shumë më të konsiderueshme të kujdesit shëndetësor pa pagesë sesa ç ‘kishte 4 vite më parë.
Dhe për fazën e rehabilitimit të sëmundjes në funksion të shkurtimit të kohës së qëndrimit në institucionet shëndetësore dhe për të pakësuar barrën, që deri më sot përballohet nga vetë buxhetet familjare, ka një hapësirë të konsiderueshme sipas dhe shumë konsultave që kemi bërë me profesionistët e fushës.
Patjetër që do vijojmë bashkëpunimin me institucionet jo publike shëndetësore për të shtuar ofertën e financuar me paratë publike, si edhe për të ulur në afate të pranueshme kohën e pritjes për ekzaminime apo trajtime te specializuara. Kantierin do vazhdojmë ta zgjerojmë me vepra të reja të infrastrukturës spitalore dhe siç e thashë edhe me një program rindërtimi, në të gjithë ato pjesë të spitaleve ekzistuese, duke filluar nga ato rajonale që ende kanë nevojë për dorën e shtetit pas shumë e shumë vitesh.
PYETJE - Sa projektohet të jetë minimumi jetik në 4 vitet, nga sot deri në mbyllje të mandatit?
PERGJIGJE: Në fakt nuk ka patur një përllogaritje zyrtare të minimumit jetik në Shqipëri sepse përllogaritja do marrë për bazë disa indikatorë që janë të lidhur me punësimin, me zhvillimin ekonomik, me asistencën sociale dhe mbi të gjitha duhet të marrë për bazë pjesën e fshehur të parasë që paguhet, por nuk deklarohet dhe ne këtë e dimë shumë mirë, që është një fenomen me të cilin kemi marrë disa masa në letër për t’u marrë shumë seriozisht.
PYETJE -?farë do të bëjë qeveria më mirë për të hapur negociatat me BE?
PERGJIGJE: Ajo që unë mund të them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejtë, pastaj është temë për diskutim, çelja e negociatave nuk është më një çështje që lidhet me çfarë bëjmë ne më mirë. Po kthehem pak pas dhe po ju kujtoj që ecuria me 5 prioritetet ishte e tillë që nga komisioni u vendos si pikë fundore, reforma kushtetuese në drejtësi për të hapur negociatat. Reforma kushtetuese në drejtësi kaloi, negociatat nuk u hapën. Pastaj u vu vettingu. Vettingu kaloi dhe sigurisht pritet implementimi i vettingut, por kjo është si ta marrësh, sepse implementimi i vettingut ka nisur. Rezultatet e para do të vijnë shumë shpejt, por nëse për arsyet e veta Bashkimi Europian do kërkojë më shumë kohë, atëherë mund të vazhdojë të thotë, “ vazhdoni thellohuni, thellohuni, me implementimin”. Ne e dimë mirë këtë “thellohuni” se çfarë do të thotë. (Nëse nuk e dini, Luan Rama mund t’jua shpjegojë.)
Pastaj dolën zgjedhjet e lira. Edhe zgjedhjet kaluan dhe të paktën në kuptimin tonë, janë vlerësuar pozitivisht.
Ndërkohë hyri dhe doli, hyri dhe doli, por është dhe aty, s’është dhe aty, - kanabisi. Besoj që, jo ne, por vetë Komisioni Europian, vetë partnerët ndërkombëtarë, do të kenë të gjithë mundësinë të konstatojnë faktikisht në fund të këtij sezoni mbjelljesh, kultivimesh dhe beteje kundër kanabisit, rezultatin spektakolar të kësaj beteje. A do të mjaftojë kjo? Nuk e di.
Tani ka dalë, - nuk e thonë zyrtarisht, s’mund të them, - por ka dalë dhe vërtitet fantazma e “krimit etnik” shqiptar. Sigurisht në media të caktuara e nxitur nga burime, forca të caktuara, por çështja është si dhe sa kjo temë do të mbetet në atë nivel, apo do të kthehet edhe ajo në një lloj kushtëzimi që, “zgjidhni njëherë problemin e krimit etnik shqiptar, pastaj shohim e bëjmë”.
Sidoqoftë, përgjigja ime është gjithashtu e thjeshtë dhe optimiste, sepse reformat e thella që ne po vazhdojmë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit që do ta përshkallëzojmë, implementimi i mëtejshëm i vetting-ut dhe i Reformës në Drejtësi që ne do ta shtyjmë shumë fort, në tërësi modernizmi i shtetit dhe demokratizimi, për të cilin ne do bëjmë gjithçka mundemi dhe shpresoj të kemi dhe mbështetjen, sugjerimet, këshillat e opozitës janë vetë procesi i integrimit europian. Shqipëria europiane është ajo që iu detyrohemi të parëve dhe fëmijëve tanë. Nuk është një detyrë që na e jep Brukseli dhe ne duhet ta përmbushim me siklete dhe buzët varur.
PYETJE -Si i përgjigjeni pretendimeve se në bregdetin Jon, përkatësisht në zonën e Himarës ka zhvillime urbanistike që bien ndesh me të drejtat e minoritetit, shfaqje arrogance dhe harbutërie nga forcat e rendit dhe të Inspektoratit dhe po ashtu një proces planifikimi për zhvillim në funksion të interesave të të ashtuquajturve “oligarkë”?
PERGJIGJE: Përgjigja mund të jetë e gjatë, mund të jetë dhe shumë e shkurtër. Në atë zonë, si në të gjithë zonat e Shqipërisë po zhvillohet një proces krejt normal dhe krejt integral me atë që po bëhet në të gjithë Shqipërinë në funksion të Rilindjes Urbane, të rigjenerimit urban, të ripërtëritjes urbane. Nuk ka absolutisht asnjë tendence dhe më kujtohet që kam bërë një interpelancë këtu me Vangjelin, i kam thënë dhe përsëri ua përsëris të gjithë atyre që janë të interesuar për këtë temë, qofshin deputetë të Partisë Socialiste, qofshin deputetë të Partisë Demokratike, qofshin të partive të tjera, qoftë dhe vetë Vangjeli që nuk e di i kujt partie është në këtë moment që, të sjellin një dokument të vetëm, një provë te vetme dokumentare që tregon se në atë zonë ka një qasje, apo një veprim asimetrik me çfarë ndodh nga Tropoja deri në Konispol.
Nga ana tjetër, unë nuk e kam dëgjuar kurrë, është hera e parë që e dëgjoj që planifikimi, pra një Plan Rregullues të bëhet për të dëmtuar interesa të caktuara njerëzish që kanë pronë. Kjo nuk ekziston. Eshtë një koncept që nuk ka lidhje me si funksionon një Plan Rregullues, aq më tepër që studioja e projektimit është një studio e njohur dhe drejtuesi i të gjithë procesit të Planit është një vëlla grek.
PYETJE -A do të sjellë qeveria në parlament gjatë këtij sesioni ligjin e të drejtave të minoriteteve?
PERGJIGJE: Këtu mund të flisja më gjatë, por e vërteta është që ne e kemi miratuar që në muajin prill të këtij viti projektligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. I ka ardhur Kuvendit. Pra është në Kuvend. Projektligji është produkt i një konsultimi shumë të gjerë ndërinstitucional. Duhet thënë se premtimi për një projektligj të tillë është dhënë 10 vjet më parë, jo nga ne. Për këtë arsye, ky është një angazhim madhor që besoj është i të gjithëve dhe është një provë e prekshme e faktit që kjo qeveri ka vërtet në fokus të drejtat e njeriut dhe objektivin për të reflektuar në legjislacionin kombëtar një realitet historik të bashkëjetesës në shoqërinë tonë. Do kemi kohë të flasim për projektligjin. E thashë, është në Kuvend, në procedurë. Besoj që s’ia vlen të marrim të gjithë kohën që do doja të shfrytëzoja për të folur këtë projekt. Por projektligji në tërësi ka specifikisht një sërë risish të konsiderueshme, të cilat, ma ha mendja që japin një tjetër shembull të Shqipërisë si një vend me vullnetin e plotë për të rrezatuar një model që, ju siguroj, në rajon duhet ta kenë zili për sa iu përket standardeve më të larta europiane në respektimin e të drejtave të pakicave.
PYETJE - A mund të jeni më specifik mbi idenë e parandalimit të zjarreve, përmes një organizmi rrënjësor, sikurse u nënkuptua në fjalën e paraqitjes së programit, ndërkohë që u përmend thjesht kalimi i Emergjencave Civile në varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes?
PERGJIGJE: Brenda 100 ditëve të para, ne do të paraqesim në shumë aspekte dhe për çdo sektor planet e ristrukturimit dhe riorganizimit. Në këtë rast, mund të them vetëm se, ka një ligj në Republikën e Shqipërisë që nuk e kemi miratuar ne, kohë më parë, që është një bazë e mirë për të zhvilluar më tej një proces përfshirje në raste emergjencash, jo vetëm të forcave të angazhuara përditë, që kemi në dispozicion, por edhe të grupeve të ndryshme, qofshin grupe punonjësish, qofshin grupe qytetarësh, gjë që e bën e gjithë bota e qytetëruar.
Në asnjë vend të Bashkimit Europian, kur ka një emergjencë civile reagimi nuk mbetet vetëm i forcave të organizuara brenda strukturave shtetërore për Emergjencat Civile. Por, përkundrazi, ka një mobilizim më të gjerë që bën të mundur edhe një rezultat shumë më të mirë se rezultatet që kemi ne, përballë disa fenomeneve që kanë nevojë për një adresim, natyrisht, shumë më të gjerë se kaq, siç janë zjarret në këtë rast.
Ndaje me miqte