0030 210 33 18 483

Regjistrimi i emigrantëve: Deklaro banesën që ke blerë jashtë vendit ndryshe penalizohesh

11 Shkurt 2016

Në projektligjin e ri të qeverisë parashikohet “një afat prej 90 ditësh për emigrantët kudo që janë, që të deklarojnë banesat ku jetojnë jashtë vendit, në të kundërt do t’u ndërpriten shërbimet në ambasada, apo konsullatat shqiptare”. Nga Robert Goro Nga mënyra se si është formuluar, është e qartë se nuk bëhet fjalë për banesat ku emigrantët rrinë me qera, po për ato që kanë në pronësinë e tyre. Sepse, banesa ku rri me qera, detyrimisht është dhe adresa jote që do të deklarosh pranë qeverisë shqiptare... atëherë, përse nevojitet që të deklarosh edhe benesën që ke në pronësi e madje të kërcënohesh me penalizim, nëse nuk e deklaron? I reklamuar si një shenjë e prekshme e kujdesit të qeverisë ndaj emigrantëve, klauzola në fjalë, tregon se “diku fle lepuri”. Emigrantët i kanë blerë banesat e tyre me hakun e djersës së tyre të ndershme, me sakrifica e privacione të mëdha. Të paktën në rastin e Greqisë, ata paguajnë taksa ashtu si dhe gjithë qytetarët grekë që kanë banesa në pronësi të tyre. Atëherë, përse duhet të deklarojnë banesën edhe në Shqipëri? Ky është një nga momentet më të këqija-për mendimin tim- të ligjit mbi regjistrimin e emigrantëve që po lançon me shumë bujë qeveria Rama. Sipas mediave të Tiranës, që pasqyrojnë punimet e komisionit të ligjeve në kuvend, deputetë jo vetëm nga opozita, por edhe nga LSI, e kanë kundërshtuar me forcë këtë klauzolë në projektligjin përkatës... Madje, deputetët që i përkasin maxhorancës qeveritare kanë qenë mjaft të ashpër në komentet e tyre ndaj kësaj klauzole të projektligjit. Drafti i zhdukur pa lënë gjurmë... Tribuna dëshiron të theksojë se po e kërkon prej disa ditësh një kopje të projektligjit, por deri në momentin që po shkruhen këto rreshta (paradite, 11 shkurt 2016), kjo ende nuk ka qenë e mundur. Pavarësisht se projektligji u miratua në mnbledhjen e këshillit të ministrave më 11 janar, në portalin e Kryeministrisë nuk ka asnjë lajm për këtë, ndërsa në portalin e ministrisë së brendshme, është publikuar vetëm teksti i prezantimit nga ana e ministrit Tahiri. Por as në portalin e Kuvendit, ku normalisht duhet të publikohen gjithë draftet e paraqitura në komisionet përkatëse, nuk gjetëm asnjë gjurmë. Nuk duam të besojmë që kjo është bërë qëllimisht, mirëpo një projektligj që vetë qeveria e ka trumpetuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm e novator, mendojmë se do të duhej të ishte në dispozicion të publikut. Tribuna nuk ka për të shtuar asgjë në komentin e deputetes së LSI, Silva Caka, e cila mendon se një masë e tillë penalizuese “u nxin jetën emigrantëve” “Sepse ata pikërisht për këtë arsye kanë ikur nga ky shtet, që t’u shmangen këtyre pezullimeve dhe refuzimeve. T’ua nximë jetën dhe tani atje ku jetojnë me pezullime dhe me refuzime është e tepërt. Pikërisht kjo është arsyeja që ata janë larguar nga ky shtet. Nuk i detyrojmë dot” “Refuzim” apo “pezullim”, rezultati është i njëjtë Në projektligjin e ri të qeverisë parashikohet një afat prej 90 ditësh për emigrantët kudo që janë, që të deklarojnë banesat ku jetojnë jashtë vendit, në të kundërt do t’u ndërpriten shërbimet në ambasada, apo konsullatat shqiptare. Por deputetët e Lë[ëvizjrs Socialiste për Integrim në Komisionin e Ligjeve e kanë quajtur si ekstreme këtë pikë të ligjit. Kreu i Grupit të LSI¬s-ë, Petrit Vasili, kërkoi që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje sepse nuk mund t’u refuzohen shërbimet qytetarëve. “Nuk duhet të jemi kaq kategorikë, si fjala “refuzohet” një shërbim. Kjo është një fjalë e rëndë për dikë që jeton me vite jashtë Shqipërisë, mund të ketë jetuar gati 20 vjet dhe i ka sjellë Shqipërisë para për shtetasit këtu, që ne s’ia kemi mbajtur dot. Dhe ne këtu, për një vetëdeklarim që s’e ka bërë në kohë, t’i refuzojmë një shërbim?! Mund të gjenden dhe përcaktime të tjera më lejuese”, tha Petrit Vasili. Por gjatë diskutimit, relatori i ligjit, Bashkim Fino, propozoi zbutjen e masës nga ndërprerje shërbimi, në pezullim të ofrimit të shërbimeve. Por për deputeten e LSI-¬së, Silva Caka, shqiptarët kanë ikur në emigracion për të shpëtuar nga ky shtet dhe sipas saj, nuk mund të vazhdohet t’u nxihet jeta edhe në emigracion. “Refuzimi dhe pezullimi bëjnë të njëjtën gjë. Ne nuk jemi askush. Sepse ata pikërisht për këtë arsye kanë ikur nga ky shtet, që t’u shmangen këtyre pezullimeve dhe refuzimeve. T’ua nximë jetën dhe tani atje ku jetojnë me pezullime dhe me refuzime është e tepërt. Pikërisht kjo është arsyeja që ata janë larguar nga ky shtet. Nuk i detyrojmë dot”, tha Caka, e cila abstenoi gjatë votimit. Por kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u shpreh se për këtë çështje do të shprehet Komisioni i Sigurisë, i cili drejtohet nga deputeti i LSI¬së, Spartak Braho. Debati në Komisionin parlamentar E përditshmja “Panorama” ka publikuar pjesë nga debati i zhvilluar në komisionin parlamentar, ka shfaqen krejt qartazi qëndrimet e deputetëve pjesëmarrës, si të maxhorancës, edhe të opozitës. Petrit Vasili: Nuk duhet të jemi kaq kategorikë, si fjala “refuzohet” një shërbim. Kjo është një fjalë e rëndë për dikë që jeton me vite jashtë Shqipërisë, mund të ketë jetuar gati 20 vjet dhe i ka sjellë Shqipërisë para për shtetasit këtu, që ne s’ia kemi mbajtur dot. Dhe ne këtu, për një vetëdeklarim që s’e ka bërë në kohë, t’i refuzojmë një shërbim?! Mund të gjenden dhe përcaktime të tjera më lejuese. Eduard Halimi: Duhet të hiqen sanksionet në mënyrë të padiskutueshme. Bashkim Fino: Ju jeni kundër në parim dhe bëni vërejtje nen për nen- Oerd Bylykbashi: Po ligji është i mbushur plot me budallallëqe- Bashkim Fino: Ju votoni kundër në parim dhe nen për nen, po për kë i bëni vërejtjet? Në nenin 11, ku thuhet “i refuzojnë atij shërbimin e kërkuar”, të zëvendësohet me “pezullohet shërbimi i kërkuar”- Oerd Bylykbashi: Qytetari ka hall, ju ia pezulloni! Eduard Halimi: Sot qytetarët shqiptarë që banojnë jashtë e marrin këtë shërbim dhe ju thoni që, në qoftë se ata nuk përmbushin një sërë dokumentesh, që duhen bërë- deklarimi kërkon kontratën e qirasë etj. Por po nuk i bëri këto dokumente, ju ia pezulloni! Qoftë pezullimi, qoftë refuzimi, kjo do të ishte idiotësi. Por pezullimi nuk e zgjidh problemin antikushtetues. Qytetarët, derisa procesi është me iniciativë të qytetarëve, atëherë s’mund të ketë sanksione. Mos i bëni këto ndaj qytetarëve shqiptarë- Të hiqet sanksioni! Kjo është çmenduri! Bashkim Fino: Pikërisht për këtë, që askujt nuk mund t’i refuzohen shërbimet, ne bëjmë rregullimin që nga refuzim i shërbimeve, themi i pezullohet shërbimi. Në moment që ne bëjmë këtë ndërhyrje ne nuk ia refuzojmë shërbimet. Por i themi që të behet e ndërgjegjshme, të thotë ku banon dhe të regjistrohet. Oerd Bylykbashi: Ju i gënjeni shqiptarët emigrantë dhe u thoni që e keni me vetëdeklarim, me vullnetin tuaj. Kurse në nenin 9 u thoni që e kanë detyrim, që brenda 90 ditësh, të regjistrohen. Pra ligji nuk është vullnetar, por i detyrueshëm. Dhe pezullimi është i barabartë me mohimin e shërbimit. Ju po i regjistruat në këtë mënyrë, ua hiqni të drejtat, ose i taksoni më pas. Ne, do thuash ti zotëri, merr pagë 2 mijë euro në muaj, 15% do të ma paguash mua. Silva Caka: Refuzimi dhe pezullimi bëjnë të njëjtën gjë. Unë nuk kam ndonjë propozim konkret, por mendoj se duhet të rregullohet në mënyrë absolute. Ne nuk jemi askush. Sepse ata pikërisht për këtë arsye kanë ikur nga ky shtet, që t’u shmangen këtyre pezullimeve dhe refuzimeve. T’ua nximë jetën dhe tani atje ku jetojnë me pezullime dhe me refuzime është e tepërt. Pikërisht kjo është arsyeja që ata janë larguar nga ky shtet. Nuk i detyrojmë dot. Fatmir Xhafaj: Ju keni mendimin që të rregullohet, pra abstenoni. Komisioni i Sigurisë është komision përgjegjës, do ta shqyrtojnë ata-

Ndaje me miqte