Rrezikon konsensusi për Reformën në Drejtësi. Meta ndërpret vizitën në SHBA. &ldquoLuftë&rdquo deklaratash PSPD
TRIBUNA
27 Korrik 2016
Duket se janë rikthyer tensionet politike, pas kërkesës së shumicës për të miratuar me shpejtësi ligjin për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e ka ndërprerë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, Meta e ndërpret këtë vizitë për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditët e fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 korrikut për reformën në drejtësi.
Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës, Fatmir Xhafaj, ka kërkuar mbledhjen e anëtarëve për të bërë përshtatjet e nevojshme në përputhje me ndryshimet që u përfshinë në projektin përfundimtar të Reformës.
“I kam kërkuar parlamentit që ta përshpejtojë këtë proces. Do te ishte pozitiv miratimi i te shtatë ligjeve, por në pamundësi të kësaj të miratohet ligji i “vetting”-ut”, u shpreh ai.
Pr/ligji e ka mbyllur formalisht procedurën në komision, sqaroi Xhafaj, por ka ende nevojë të reflektojë disa elementë që lidhen me projektin kushtetues të miratuar nga parlamenti. Ndaj ai do duhet të rikalojë në komisionin e posaçëm, sapo të ketë pëlqimin e të gjitha palëve, edhe të opozitës, që për momentin nuk e ka dhënë këtë pëlqim, u shpreh Xhafaj për mediat.
Ndërkohë, ai shtoi se komisioni nuk arriti ta zhvillonte mbledhjen e paralajmëruar për të mërkurën, për shkak të deputeteve te PD-se.
Fatmir Xhafaj e lidhi mungesën e opozitës me ndërprerjen e vizitës së Ilir Metës në SHBA.
Xhafaj tha se u ka dërguar të gjithë anëtarëve të tij draftin me ndryshimet, së bashku me thirrjen për mbledhjen e komisionit për t’i aprovuar ato. Sipas tij, akush nuk duhet të thotë se nuk ka pasur kohë ta studiojë.
Por ndërkohë, opozita ka bërë të ditur se kërkon më shumë kohë për ta shqyrtuar draftin dhe pas kësaj do të ketë një qëndrim. Këto mesa duket janë shenjat e një përplasjeje të re politike, edhe pasi reforma në vetvete u miratua në senacën maratonë të 21 dhe 22 korrikut.
“Më vjen keq që Partia Demokratike i prishi vizitën Ilir Metës në Shtetet e Bashkuara. Përfaqësuesit e opozitës duhet të kishin ardhur në komision dhe të mos e kishin bojkotuar atë”, tha Fatmir Xhafaj.
Bylykbashi: Ftesa jonë për konsensus i nervozon përfaqësuesit e mazhorancës
Nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së kreut të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafajt.
“Lexova sot një reagim të Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi. Normalisht dikush do të habitej pse ftesa jonë për konsensus i nervozon përfaqësuesit e mazhorancës. Në fakt "pse"-në e kupton kushdo me arsye; thjesht nuk e duan sepse u prish hesapet që nisën me kohë, por që ua prishën Opozita, Komisioni i Venecias, propozimi hibrid i zj. Nuland, letra e Komisionerit Hahn dhe votimi me konsensus me 22 korrik”, shprehet Bylykbashi.
Nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi ka theksuar se përfaqësuesit e opozitës po punojnë me intensitet mbi draftin e shpërndarë vetëm një natë më parë.
“Opozita është e gatshme të kontribuojë me konsensus, tani! Ekspertët e saj po punojnë me intensitet mbi draftin që Kryetari i Komisionit shpërndau vetëm mbrëmë në ora 22:20 të datës 26 korrik, ndërkohë pretendonte të bënte mbledhje sot. Imagjinoni ç'transparence ka ky proces, transparencën e errësirës, të faktit të kryer dhe afateve ultimative”.
Opozita po punon për të përmbyllur ligjin e “Vetting”-ut, shprehet Bylykbashi. Ai e cilëson si gafë juridike miratimin e ligjit këtë javë pa hyre në fuqi amendamentet kushtetuese.
“Por të pretendosh që Parlamenti mund të miratojë ligjin këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese më datë 11 gusht, është një gafë që as ai që ka mbaruar juridikun pa shkëputje nga puna dhe natën, nuk e bën. Pra është provokim politik për konsum mediatik. Ftesë: durim, gatishmëri për konsensus, vullnet pozitiv dhe respekt i kushtetutës! Sa për kujtese, komisioni ka 5 anëtarë të mazhorancës dhe 5 të opozitës, pra është histori konsensusi dhe jo protagonizmi kryetaresh”, përfundon deklarata e Bylykbashit.
Ndaje me miqte