0030 210 33 18 483

Samiti BETurqi për refugjatët vendimet shtyhen për më 18 mars

08 Mars 2016

Liderët e Bashkimit Europian dhe kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, kanë dështuar në arritjen e një ujdie lidhur me krizën e refugjatëve, në samitin e jashtëzakonshëm të së hënës, 7 mars, duke i detyruar të takohen sërish pas dhjetë ditësh, kur shpresojnë se do të finalizojnë një marrëveshje. Pas 16 orë bisedimesh, liderët europianë janë mjaftuar të deklarojnë arritjen e një marrëveshjeje paraprake “mbi parimet kryesore” dhe se vendimi përfundimtar do të merret dhjetë ditë më vonë, në një tjetër samit që do të mbahet më 17-18 mars. Liderët kanë pranuar thuajse të gjithë kërkesat e Ankarasë. Ata kanë rënë dakord të hapin “sa më shpejt që të jetë e mundur” kapitujt e rinj në negociatat për anëtarësim të Turqisë në BE, si dhe të përshpejtojnë disbursimin fillimisht të 3 miliardë eurove që i janë akorduar Turqisë së ndihmë për çështjen e refugjatëve. Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, shprehu kënaqësinë në përfundim të punimeve, duke thënë se “ka një marrëveshje në parim me Turqinë” dhe se marrëveshja përfundimtare pritet të nënshkruhet në samitin e radhës të BE, më 17 dhe 18 mars. Juncker shtoi se Greqia duhet të ndihmohet në çdo nivel. Presidenti i KE deklaroi gjithashtu se objektivi i gjithë përpjekjeve është ndërprerja e emigracionit ilegal dhe asgjesimi i rrjeteve të trafikantëve, ndërsa theksoi se funksionimi normal i zonës Shengen do të rikthehet deri në fund të vitit. “Ditët e emigracionit të paligjshëm në Europë po mbarojnë”, deklaroi nga ana e vet presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, duke vënë njëkohësisht në dukje se diskutimet u përqendruan edhe në kërkesa të tjera të Turqisë, si përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave, hapja e kapitujve të rinj në negociatat për anëtarësim në BE dhe financime shtesë për Turqinë nëse kjo konsiderohet e domosdoshme. Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu tha ndër të tjera se një marrëveshje BE-Turqi është e rëndësishme si paketë ndihme për refugjatët, por edhe si një strategji për Turqinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Davutoglu deklaroi se objektivi i vendit të tij është të “pengojë trafikun e qenieve njerëzore dhe të ndihmojë njerëzit që duan të vijnë në Europë përmes rrugëve ligjore dhe në mënyrë të disiplinuar”. Ai shtoi se liderët kishin rënë dakord të liberalizojnë më herët vizat për qytetarët turq. Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se konsultimet me kryeministrin turk ishin intensive. Sa i përket Greqisë, Merkel theksoi se “duhet ta ndihmojmë Greqinë që të mbrojë kufijtë e saj të jashtëm dhe të ralizojë rikthimin e atyre refugjatëve që nuk përfitojnë azil”. Sipas Merkel, propozimi i Turqisë që të pranojë gjithë emigrantët e paligjshëm (që kanë hyrë në territorin e BE nga Turqia), do të jetë spektakolar nëse realizohet. Turqia, tha kancelarja gjermane, do të pranojë emigrantët e parregullt, ndërsa refugjatët do të mbeten në BE, ndërsa nënvizoi se Ankaraja u deklarua e gatshme që të zbatojë marrëveshjen. Tribuna

Ndaje me miqte