Sërish tension në marrëdhëniet e Athinës me FMN
05 Prill 2016
Raportet midis qeverisë greke dhe FMN janë acaruar sërish, pas publikimit nga Wikileaks të një bisede të zyrtarëve të fondit, rreth strategjisë që duhet ndjekur me Greqinë.
Gazeta gjermane “Tagesspiegel”akuzoi shpërbimin informativ grek, se ka përgjuar bisedën e tre zyrtarëve të FMN-së dhe më pas ia ka kaluar Wikileaks-it.
Duke iu refreuar shefit të shërbimit informativ grek, gazeta berlineze shkruan: “Janis Rubatis u përket ndoshta atyre që fërkojnë duart. Shefi i shërbimit informativ grek-EYP, është njeri i kryeministrit Tsipras, rrjedhimisht do të mund të ishte ai burimi i materialit të publikuar, çka dëmton klimën gjithsesi të sëmurë të besimit midis kreditorëve dhe qeverisë greke.
“Një telefonatë nga hoteli Hilton në Athinë me selinë e FMN në Uashington u përgjua dhe u publikua në platformën Wikileaks”, shënon Tagesspiegel”.
Ndërkaq, shefi i shërbimit informativ grek, u prononcua rreth aludimeve të gazetës gjermane.
“Misioni i shërbimit informativ kombëtar është mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe e sovranitetit kombëtar. EYP funksionon mbi bazën e legjislacionit grek, dhe kërkohet gjithmonë porosia e prokurorisë për të përballuar akte kriminale apo kërcënime të tjera”, deklaroi Rubatis.
Gjithsesi, media greke komentoi se shefi i shërbimit inteligjent, as konfirmoi, por as përgënjeshtroi atë çka kishte shkruajtur gazeta gjermane.
Në bisedën e zhvilluar më 19 mars, dhe që u publikua të shtunën nga Wikileaks, shefi i departamentit europian të FMN-së, Paul Thomsen, kërkon të vonohen negociatat aktuale me qeverinë greke. Sipas tij, qëllimi është që vendi të gjendet sërish nën rrezikun e falimentimit dhe atëherë Athina të detyrohet të pranojë kërkesën e FMN-së për masa të reja të ashpra, që nuk përmbahen në marrëveshjen për paketën e tretë të shpëtimit.
Pas këtij publikimi, kryeministri grek, Aleksis Tsipras, i dërgoi një letër drejtoreshës së FMN, Christine Lagarde, ku theksonte se “sa mundet Greqia të ketë besim dhe të vazhdojë të negociojë me besim të mirë me zyrtarët e FMN-së, të cilët shprehin pikëpamje si ato që përmbahet në publikimin e Wikileaks”.
Por përgjigjja e Lagarde ishte mjaft e ashpër, megjithë tonin diplomatik të letrës. Shefja e FMN theksonte se zhvillon negociatat me mirëbesim dhe jo përmes kërcënimeve. “Dhe nuk komunikojmë përmes rrjedhjeve në shtyp”, shprehej me nënkuptim zonja Lagarde. Shefja e FMN kërkoi gjithashtu që autoritetet greke të garantojnë respektimin e privatësisë së diskutimeve të brendshme, ai dhe të marrin gjithë masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë personale të pjesëtarëve të misionit të FMN në Athinë.
Gjithë këto po ndodhin ndërsa Athina ka filluar një tjerë raund negociatash me kreditorët. Analistët vendas theksojnë se zhvillimet e fundit do ta bëjnë edhe më të vështirë pozitën e Athinës në negociata dhe se kreditorët tashmë nuk do të pranojnë të bëjnë asnjë lëshim, siç shpresonte qeveria greke.
Tribuna
Ndaje me miqte