0030 210 33 18 483

Shi bie në Athinë...

Abdurahim ASHIKU 09 Qershor 2017

Nuk do të hyj në pentagramin e vargjeve “Shi bie në Tiranë”. Shi bie edhe në Athinë ashtu siç bie në të gjithë botën. Me pika. Me litarë. Me rrebeshe... Si çdo mesditë vere edhe sot u ula në verandë. Me një gotë raki thane Kurbini që Albani, nipi i gruas, ma fut me dashamirësi mes rrobave në ikje. Nuk ia them rakisë, madje vonë, shumë vonë, e kam vënë në gojë. Se prindërit, fshati, tërë krahina e Maleve të Poshtme të Dibrës e të Topalltisë luginës së Drinit të Zi, jo nuk e pinte por as e fuste në shtëpi. Kështu ishte zakoni, kështu e këshillonte feja. Unë nuk e pija jo për hatër të besimit fetar sepse unë nuk besoj, por sikur nuk ma pranonte organizmi, më digjte sa e vija në gojë. Vonë filloi të hyjë rakia në odat e Dibrës së Poshtme. Në dasma shokët e punës mblidheshin në një dhomë dhe ngrinin dolli. Dolli u thënçin se asnjëra nuk ishte vendase. Të gjitha i kishin marrë e sjellë djemtë e rinj kur kryenin shërbimin ushtarak në Jug të Shqipërisë. Kështu kishte “dolli labçe”, me urime tërkuzë për të pranishmit dhe të munguarit, dolli që gjithnjë përfundonin me “shëndet për Partinë e për Komandantin”, “dolli Korçare”, “Përmetare”, “Myzeqare”, “Skrapare”... Aq të larmishme ishin dollitë sa të dukej se je në një sofër të madhe shqiptare. Nejse, u vdora dhe harrova shiun... Sa herë shtrohem për drekë në verandë më është bërë zakon të rrotulloj burmat e radios dhe të fiksohem në “muzikë dhome”. Kur gjej ndonjë muzikë operistike, veçanërisht të atyre operave që në rininë time studentore nuk kam lënë asnjë pa e parë, ndalem dhe shoqëroj përtypjen. Sot e fika radion. Në perden (kështu po e quaj sepse si perde varet) dimërore prej plastmasi kapeshin dhe rridhnin çurg pikat e shiut. Nuk e kisha hequr perden dimërore ndonëse gjuhët e varura të tendës prej bezeje më përqeshnin çdo ditë me diell të nxehtë. Sot nuk po e bëjnë. Mbase e kanë kuptuar se ky shi pikërisht atë perde donë. E fika radion. Melodia e shiut shoqëruar me gjëmimet e bubullimat që vinin nga larg, më hynë në shpirt, ma plotësuan më mirë se çdo gjë kërkesën muzikore të shpirtit. Thonë që shiu të fut në trishtim. E kundërshtoj. Shiu të fut në meditim. Të kthen mbrapa në kohë, të merr e të çon larg, në vite të vegjëlisë e të rinisë. Mua nuk e di pse sot më çoi në Prat të Selishtës për tu ndalë tek Pusi i Kurt Bodinit, për të zbrit thellë kovën e drunjtë prej pishe arneni e për të nxjerrë ujin e ftohtë. Nuk e di pse Kurti në një vend ku kishte kaq burime uji (një burim poshtë shtëpisë së tij, anës rrugës thuhej se është më i miri për kurimin e veshkave), kishte hap pus dhe e përdorte për të gjitha nevojat e shtëpisë. E kishte pikë të dobët Kurti pusin. Dhe po t’ia lavdëroje bëheshe mik për kokë me të, therte “dashin e Shënkollit”. Sikur Kurti ta piqte e shërbente rakinë me manaferra dhe mjedrat që mbulojnë pyjet e Pratit, mbase pusi do të harrohej. Mua nuk më harrohet sepse uji i atij pusi ishte dollia më e bukur e atyre bjeshkëve ku më ka qëlluar të udhëtoj verës e dimrit, ndër të tjera, dimrit të egër 1985. Nga Prati fluturova në bjeshkët e Korabit, siç kisha “fluturuar” në këmbë një ditë vere me vapë përvëluese, pjesë e një marshimi zboristësh... U ngjita në Bjeshkën e Preshit dhe mbusha grushtin me ujin e pastër të burimit të Korabit në virgjërinë e tij të paprekur nga kazma e kërkuesve të ujit të pijshëm për qytetin e Peshkopisë. U ngjita në Rrafsha të Korabit e pas një nate në çadër me mikun tim të gazetarisë, fotoreporterin Gani Xhengo të ATSH-së, udhëtuam nëpër një peizazh të mrekullueshëm për të përfunduar në pamjen më të mrekullueshme të jetës sime, Bjeshkën e Ponairit. Një fotografi e miku tim të mirë ma ka bukuruar serinë e librave të mi “Njerëz që i dua”. Më pas mbi dy kuaj në shoqëri të Shuaip Methasanit, do të udhëtoja të përpjetës së thepisur të Livadhit të Gjatë ku Kalaja e Dodës të vjen e të ulet në gjunjë, Bjeshkës së Shehut ku burimet e ftohta dalin pas çdo shkëmbi për të udhëtuar në një kanal e sifon me trungje pishe drejt Sllovës e Sllatinës e për të thithur në tokën e zhuritur nga vapa. Më tej do të ndaleshim midis gjelbërimit e luleve të fillim korrikut në Bjeshkën e Zonjave... Këtu u ndala. Bukuria e bjeshkëve sa të hante poshtë e lart syu, liqeni artificial me peshk që hidheshin si në një vallëzim hyjnor, shëllinasi siç quhen masivet e gipsit, pamje që zbret e ta jep për të pirë në gotë kristali bukurinë e Luginës së Drinit të Zi, dhe tutje e tutje, atje ku Mali i Muhurrit dhe Mali i idhnës mbështeten pas Malit të Bukurisë Dibrane dhe Shqiptare, malit që mban në gjoks Liqenet e Lurës... Shiu pushoi... Edhe unë e boshatisa gotën e rakisë... Mbi perde pikat si margaritarë morën rrezet e diellit që çeli sytë pas reve e po zbret drejt detit të Pireut... U ngrita. Më duhet që meditimin tim, atyre çasteve me muzikë pikash shiu mbi pentagramin e kujtesës, ta mbillja në kujtesën e meditimeve dhe shënimeve të mija për të mbirë e çelë lule ndonjëherë tjetër. Mbase në ndonjë ditë kur qielli mbushet me flokë të bardha dëbore. Muzikaliteti jetësorë i të cilave është në kufi të bukurisë së bukurive. Athinë, 4 qershor 2017

Ndaje me miqte