Takimi i Selanikut Bushati dhe Kotzias për problemet dypalëshe: &ldquoZgjidhja me kompromis&rdquo
Tribuna
06 Tetor 2017
Katër vende fqinje të rajonit kanë deklaruar se kanë bërë një tjetër hap në drejtim të forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë, pas ministeralit të Selanikut.
Ministrat e jashtëm e të brendshëm të Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë dhe FYROM, kanë diskutuar për rrugët dhe format e bashkëpunimit në çështje të sigurisë, luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Gjatë konferencës për shtyp në përfundim të këtij takimi, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaroi se diskutimet treguan që ekziston vullneti i mirë për t’u gjetur zgjidhje edhe në problemet dypalëshe që vendet fqinje mbartin nga e kaluara.
“Këto probleme i diskutojmë dhe besoj se do të kemi rezultate pozitive, jo vetëm sot, por edhe në muajt e ardhshëm”, deklaroi Kotzias.
Të njëjtës problematikë iu referua edhe ministri i jashtëm shqipotar, Ditmir Bushati, gjatë një interviste në televizionin publik grek, ERT 3.
“Ne ende nuk kemi mbyllur pasojat e luftës së dytë botërore. Sa i përket si gjendjes së luftës, ashtu edhe respektit për komunitetin çam.
Në fakt, kjo është edhe sfida e marrëdhënieve ndërkombëtare që shtetet ndajnë pikëpamje të ndryshme, por nël fund të ditës demokracia është kompromis dhe besoj se ne jemi duke punuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi që akomodon pikëpamjet dhe interesat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Sepse ky është një proces i vazhdueshëm”, tha Bushati në intervistën dhënë gazetarit Aleksandër Marku për ERT 3.
Fjalën kompromis e përdori edhe shefi i diplomacisë greke:
“Dua të them se problemet duhet të zgjidhen. Kjo do të thotë që duhet të bëjmë kompromise të mira. Nuk duhet të kemi frikë nga fjala “kompromis”, nuk duhet të kemi frikë nga fjala “konsensus”. Duhet të bëjmë kujdes që të jenë kompromise të mira, kreativë dhe në dobi të të dy palëve, mos të jenë kompromise të këqija”.
Kotzias shtoi se “se këto kompromise duhet të bëhen gjithmonë mbi bazën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, të vlerave europiane dhe të kushteve që shtron BE për anëtarët e rinj të saj, të besimit reciprok dhe të ndërtimit të miqësisë”.
Ministri i jashtëm grek u pyet në konferencën për shtyp edhe çështjen e teksteve shkollore shqiptare të historisë e të gjeografisë, që përmbajnë referime ndaj “zonave shqiptare në Greqi”. Kjo çështje u diskutua ditën e djeshme edhe në parlamentin grek, ku zëvendësministri i jashtëm ishte thirrur për interpelancë.
Shefi i diplomacisë greke tha ai e ka parashtruar më herët këtë çështje, para homologëve të tij europianë.
“Ato harta unë i kam treguar që para një viti në këshillin e çështjeve të përgjithshme të BE, ua tregova homologëve të mi, çka do të thotë se unë jam pozicionuar për këtë çështje që para një viti, duke thënë se ato harta janë të papranueshme për standardet europiane. Mirëpo kemi bërë hapa qysh atëherë. Po diskutojmë me palën shqiptare për këtë çështje, është krijuar një grup i përbashkët ku është shënuar progres i madh dhe shpresoj që mot të kemi përfunduar gjithë tekstet shkollore. Kanë mbetur librat e klasës së tretë dhe të katërt të shkollës së mesme, gjithë të tjerat i kemi parë”.
Takimi katërpalësh i radhës do të mbahet sërish në Selanik, pas gjashtë muajsh.
Ndërkohë, takimi tjetër, u propozua të mbahet në Tiranë dhe mbetet vetëm formalizimi i vendimit.
Ndaje me miqte