Tipras në Moskë megjithë reagimet europiane
07 Prill 2015
Moti në Athinë vazhdon të jetë dimëror, por kryeministri Aleksis Tsipras konstaton pranverë, të paktën sa u përket marrëdhënieve me Moskën. Në përshkrimin e kryeministrit grek, marrëdhëniet me Rusinë ndodheshin “në një gjendje të ngrirë” vitet e fundit, por tashmë ato janë ringrohur sërish.
“Nuk e di nëse ngjanin me dimrin në Siberi, ndërkaq, ishte një dimër dhe tani po jetojmë pranverën. Dhe duhet që këtë pranverë ta mbështesim”, i ka deklaruar agjencisë ruse të lajmeve TASS, Aleksis Tsipras, në prag të vizitës që do të zhvillojë në Moskë, më 8 dhe 9 prill.
Udhëtimi i kryeministrit grek në Moskë, i shtoi edhe një hallkë zinxhirit të tensionit në raportet e Athinës me partnerët e vet europianë. Në kohën që Athina po negocion dhënien e ndihmës financiare nga partnerët, reagimet, sidomos nga pala gjermane ishin mjaft të ashpra.
“Nëse qeveria greke kujton se do të gjejë shpirtin e vet në Moskë, atëherë duhet ta dijë se ndodhet në anën e gabuar. Kush kërkon ndihmë, duhet t’i drejtohet Brukselit dhe jo Moskës”, deklaroi kreu i komisionit parlamentar të çështjeve europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krischbaum.
Edhe më i ashpër ishte presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, ndoshta i vetmi politikan i lartë i Brukselit me të cilin Aleksis Tsipras ka vendosur ura të kënaqëshme komunikimi.
Sipas zotit Schulz, “do të ishte e papranueshme nëse Tsipras mendon që në shkëmbim të ndihmës ruse, do të mundë të rrezikojë qëndrimet unike të Bashkimit Europian lidhur me Rusinë”.
A është vizita e Aleksis Tsipras në Moskë një shantazh që pala greke u bën partnerëve, me qëllim që këta të fundit të lejojnë sa më shpejt një marrëveshje pozitive në negociatat mes Athinës e Brukselit që po ecin me hapin e breshkës? Një pjesë e mirë e shtypit grek ka këtë mendim.
Gazeta konservatore Kathimerini thekson se me vizitën, qeveria greke kërkon të dërgojë mesazhin se po nuk mori ato që kërkon prej partnerëve, këtë do ta arrijë në Rusi. Gazeta ndërkaq nënvizon se çdo vend ka të drejtë të eksplorojë çdo mundësi që të arrijë rezultatin më të mirë. Mirëpo, vazhdon Kathimerni, “taktika e qeverisë që të prezantojë shpresat për ndihmë nga Rusia dhe Kina si një zgjidhje alternative për gjithë sa nuk japin partnerët, kjo taktikë pra, do të thotë jo kthim te realpolitika, por pamundësi që të kuptojmë se çfarë po bëjmë dhe pasojat e gabimeve tona”.
Të njëjtin interpretim për vizitën, ka edhe gazeta The Wallt Street Journal, që ndërkaq shprehet e sigurt se Athina nuk pret që presidenti rus Vladimir Putin t’u japë para grekëve, sepse Rusia ka vetë probleme të mëdha ekonomike.
Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë greke, Gavril Sakelaridis, insiston se vizita e kryeministrit grek në Moskë, nuk rrezikon aspak orientimin europian të vendit. “Orientimi europian i Greqisë është i sigurt”, u deklaroi mediave Sakelaridis, duke shtuar se “kjo nuk do të thotë që në kuadër të një politike të jashtme shumëdimensionale, Greqia nuk duhet të vizitojë e të diskutojë me vende të tjera e të avancojë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”.
Gjithsesi, Aleksis Tsipras, ka një pikë takimi me liderët europiane sa i përket Rusisë. Tsipras i është bashkuar refuzimit që të ndodhet në Moskë në festimet e 9 majit, ditës së fitores së aleatëve mbi Gjermaninë naziste, duke ndjekur shembullin e homologëve të tij të BE, që gjithashtu e refuzuan ftesën e presidentit Putin, në një tjetër reagim simbolik ndaj zhvillimeve në Ukrainën Lindore.
Përtej sfondit intensiv politik e diplomatik, Aleksis Tsipras aspiron nga vizita e tij rezultate të prekshme në fushën ekonomike. Ulja e çmimit të gazit natyror, lehtësimi i embargos për produktet bujqësore greke dhe shtim i numrit të turistëve rusë janë disa nga objektivat konkrete, që pritet të sendërtohen në një plan tre vjeçar aksioni midis të dy vendeve që është paralajmëruar se do të nënshkruhet gjatë vizitës së kryeministrit grek në Moskë.
Robert Goro
Ndaje me miqte