0030 210 33 18 483

Tsipras: A i paguajnë gjermanët rrogat dhe pensionet e grekëve?

18 Qershor 2015

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka publikuar një artikull në të përditshmen gjermane “Der Tagesspiegel”, me qëllim që, siç thotë, të verë në vend të vërtetën për një mit shumë të përhapur tek taksapaguesit gjermanë, se ata paguajnë rrogat dhe pensionet e grekëve. Gjithsesi, kryeministri grek pranon situatën problematike të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe nënvizon se problemi nuk qëndron në “bujarinë” hipotetike të këtij sistemi. Më poshtë vijon i gjithë shkrimi i Aleksis Tsipras: Ndërsa një negociim ndodhet në zhvillim e sipër, është i përligjur një ballafaqim intensiv argumentesh, mjafton të ketë sinqeritet dhe mirëbesim ndërmjet palëve. Në të kundërt, kur dialogu nuk synon të vërtetën, duhet të shkohet në metodat që përshkruan filozofi i shkëlqyer gjerman, Schopenhauer në veprën e tij “Arti i të pasurit gjithmonë të drejtë”... Sepse nuk është legjitime të përdoren në mënyrë selektive tregues statistikorë, madje prezantuar me reputacionin e ekonomistëve të shquar si Olivier Blanchard *), për të prodhuar përgjithësime të pabazuara që errësojnë realitetin. Me dy fjalë, ndërhyrja ime e sotme në gazetën tuaj mikpritëse synon të verë në vend një mit të përhapur tek taksapaguesi i mesëm gjerman. Ata që i thonëse se ai paguan rrogat dhe pensionet e grekëve nuk i thonë të vërtetën. Nuk po ndërhyj që të mohoj se sistemi ynë i sigurimeve ka problem. Por që të nënvizoj se ku pikërisht gjendet problemi dhe si mund të zgjidhet. Sepse vitet e fundit janë realizuar valë reduktimesh, por pa ofruar diçka, vetëm më shumë recesion, që e bëri problemin edhe më serioz. Më konkretisht, ndoshta dëgjohet jashtëzakonisht i lartë si nivel, se 75% e shpenzimeve primare shkojnë për pagesën e rrogave dhe pensioneve. Mirëpo në realitet, vetëm 30% ka të bëjë me pensionet dhe gjithsesi rrogat janë një gjë e ndryshme nga pensionet dhe grupimi i tyre përbën një gabim metodologjik serioz. Posaçërisht, krahasimi me Gjermaninë është disi mashtrues, pasi sipas të dhënave të Ageing Reports (2009, 2015), shpenzimet për pensionet në Greqi, nga 11,7% të GDP-së në 2007 (pak më shumë se 10,4% i Gjermanisë), arriti në 16,2% në 2013 (ndërsa në Gjermani mbeti thuajse konstant). Kujt i dedikohet kjo rritje? Mos vallë shtimit të numrit të pensionistëve apo rritjes së pensioneve? Asnjerës prej të dyjave, përderisa numri i pensionistëve nuk ka ndryshuar ndjeshëm ndërsa niveli i pensioneve është tkurrur në mënyrë dramatike për shkak të politikave që u zbatuan. Mjafton aritmetika e thjeshtë për të konkluduar se rritja e shpenzimeve për pensionet si nilve i GDP-së i dedikohet ekskluzivisht uljes së GDP (emërtesës) dhe jo rritjes së shpenzimeve (numëresës). Me fjalë të tjera, GDP u ul më shpejt se pensionet. Sa u përket moshave të pensionimit, mos vallë në Greqi njerëzit dalin në pension shumë më hertët? E vërteta është se kufiri i moshës së pensionit në Greqi është 67 vjeç për meshkujt dhe për femrat, domethënë, dy vjet më shumë se Gjermania. Mosha mesatare e largimit nga tregu i punës i meshkujve në Greqi është 64,4 vjeç, domethënë 8 muaj më herët nga 65,1 vitet e Gjermanisë, ndërsa gratë greke largohen nga puna e tyre në moshën 64,5 vjeç, rreth 3,5 muaj më vonë nga gratë gjermane që largohen në moshën 64,2 vjeç. Sa permenda më sipër, nuk e bëra që t’i shmangem problemit, as që të mohoj shtremberimet dhe patologjitë e sistemit tonë të sigurimeve, por që të dëshmoj se problemi nuk është bujaria e imagjinuar e këtij sistemi. Turbulenca më e rëndësishme në këtë sistem, i dedikohet të ardhurave të ulura të viteve të fundit. Këto rezultuan sa nga humbja e pasurive që shkaktoi reduktimi i borxhit sovran me PSI (qethje e bondeve të shtetit grek që posedonin fondet e siguracioneve me kosto të përgjithshme rreth 25 miliardë euro), aq edhe - sidomos- nga reduktimi i madh i kontributeve për sigurime shoqërore që shkaktoi shpërthimi i papunësisë dhe reduktimi i rrogave. Posaçërisht, në periudhën 2010-2014 me një sërë masash u hoqën nga sistemi ynë i sigurimeve rreth 13 miliardë euro, me një reduktim analog të pensioneve dhe të benefiteve në nivel rreth 50%, fakt që ka eliminuar hapësirat për reduktime të mëtejshme pa u prekur bërthama e funksionimit të sistemit. Përndryshe, duhet të kuptojmë se sistemi trysnohet kryesisht nga ana e të ardhurave dhe kaq të shpenzimeve, siç aludohet shpesh. Në këtë pikë do të doja të nënvizoja edhe një element tjetër që përbën një veçanësi të Greqisë së krizës. Sistemi i sigurimeve përbën mekanizmin e institucionalizuar të solidaritetit ndërmjet brezave dhe qëndrueshmëria e sistemit është çështje kruciale për tërësinë e shoqërisë. Tradicionalisht, ky solidaritet do të thotë se të rinjtë financojnë me kontributet e tyre pensionet e prindërve. Mirëpo, në Greqinë e krizës, shpesh po e shohim këtë solidaritet të përmbysur, përderisa pensionet e prindërve financojnë m bijetesën e fëmijve të tyre. Pensionet e moshës së tretë janë strehimi i fundit për familje të tëra që kanë një ose asnjë pjesëtar në punë, në një vend me papunësi 25% në popullsinë e përgjithshme dhe 50% tek të rinjtë. Para një situate të tillë, nuk mund të adoptojmë një logjikë reduktimesh të verbëra dhe horizontale, ashtu siç na kërkojnë disa, që do të shkaktojnë pasoja dramatike sociale. Nga ana tjetër nuk qëndrojmë aspak indiferentë para perspektivës së pafuqishme të sistemit tonë të sigurimeve dhe jemi të vendosur të garantojmë qëndrueshmërinë e tij. Qeveria greke paraqiti propozime konkrete për recionalizimin e sistemit. Ramë dakord për suprimimin e menjëhershëm të pensioneve të parakohshme që e rritin moshën mesatare të pensionistëve dhe u angazhuam të avancojmë menjëherë në unifikimin e fondeve të sigurimeve, duke reduktuar shpenzimet funkaionale të tyre dhe kufizuar statuset e posaçme. Siç e analizuam hollësisht në diskutimet me institucionet, këto reforma funksionojnë vendosmërisht në favor të qëndrueshmërisë së sistemit. Dhe si gjithë reformat, rezultatet e tyre nuk duken nga njera ditë në tjetrën. Mirëpo qëndrueshmëria kërkon një optikë afatgjatë dhe nuk mund të trajtohet me kritere të ngushta dhe afatshkurtëra fiskale. (p.sh., reduktim i shpenzimeve me 1% të GDP-së në 2016). Dizraeli**) thoshte se ka tri lloj gënjeshtrash: të zakonshmet, katastrofalet dhe statistikat. Le mos të lejojmë që një përdorim ideologjizues i indekseve të shkatërrojë marrëveshjen e maturuar që përgatitëm gjithë kohën e mëparshme të konsultimeve intensive. Eshtë detyra e të gjithë neve. Përgatiti për botim: Tribuna ------------------------------------------------- *) Olivier Blanchard, shefi i ekonomistëve të FMN **) Benjamin Dizraeli, politikan dhe shkrimtar anglez i shekullit të 19-të, shërbeu dy herë edhe si kryeministër

Ndaje me miqte