Tsipras: &ldquoVendet e BE të akomodojnë me detyrim refugjatë&rdquo
02 Mars 2016
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras do të kërkojë që gjithë vendet e Bashkimit Europian të kontribuojnë, duke marrë një numër refugjatësh në territorin e tyre.
Në samitin e radhës të Unionit, Tsipras do të paraqesë një projektvendim, ku do të parashikohet që gjithë vendet e anëtare të BE-së të sistemojnë refugjatë nga Greqia dhe Turqia. Sipas kryeministrit grek, kjo “nuk do të bëhet në baza vullnetare, por me detyrimin e gjithë vendeve anëtare që të sistemojnë një numër refugjatësh, në varësi të petencialeve demografike dhe ekonomike të këtyre vendeve”.
“Eshtë e papranueshme që të kemi veprime të njëanshme. Nuk mundet një vend i vetëm të përballojë krizën e refugjatëve. Duhet të gjejmë zgjidhje europiane”, ka deklaruar Tsipras gjatë një interviste në televizionin gjerman ZDF.
Deklaratat e kryeministrit grek u publikuan në të njëjtën kohë që komisariati i lartë për refugjatët i OKB-së (UNHCR), paralajmëronte se Europa ndodhet në pragun e një krize të madhe humanitare që në masë të madhe do ta ketë shkaktuar vetë.
“Me qeveritë që nuk bashkëpunojnë, pavarësisht marrëveshjeve të arritura, dhe kur vendet njeri pas tjetrit imponojnë kufizime të reja në kufi, praktikat kontradiktore shkaktojnë vuajtje të panevojshme dhe rrezikojnë të bien ndesh me standardet e të drejtës europiane dhe ndërkombëtare”, deklaroi në Gjenevë, zëdhënësi i UNHCR, Adrian Edwards.
Zëdhënësi shtoi se janë 24.000 refugjatët që kanë mbërritur ditët e fundit në Greqi dhe kanë nevojë të sistemohen. Rreth 8.500 prej tyre ndodhen në Idomeni, në kufirin me FYROM.
“Kushtet e mbipopullimit shpien në mungesa për ushqim, strehim, ujë dhe instalime hidrosanitare. Po krijohen gjithmonë e më shumë tensione, që nxisin shpërthime dhune ndërsa i drejtojnë njerëzit në rrjetet e trafikantëve”, theksoi zëdhënësi i Komisariatit të Lartë të Refugjatëve të OKB-së.
Por edhe Komisioni Europian ka shprehur shqetësimin për situatën në kufirin e Greqisë me FYROM. Zëdhënësi i KE deklaroi se “Republika Ish Jugosllave e Maqedonisë ka çdo të drejtë që të ruajë kufijtë e vet, ndërkaq, pamjet që shpalosen në kufijtë grekë me Maqedoninë janë shqetësuese dhe tregojnë se zgjidhja mund të jetë vetëm kolektive dhe europiane”, theksoi zëdhënësi i KE.
Në një përpjekje për të zhbllokuar situatën, presidenti i Këshillkit Europian, Donald Tusk, ka filluar të martën nga Austria, një turne në vendet e rajonit që kanë mbyllur kufijtë. Pas takimit me kancelarin austriak Werner Faymann, Tusk deklaroi se “gatishmëria jonë që të qëndrojmë në krah të Athinës gjatë këtyre kohëve të vështira është një test për europianizmin tonë, ashtu sikurse edhe rikthimi në zbatimin e Shengenit”.
Pas Austrisë Tusk do të vizitojë me radhë Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë, Athinën dhe Ankaranë, pak ditë para samitit të rëndësishëm të BE-së me udhëheqjen turke, samit që është dhe shpresa e fundit për të arritur akomodimin e refugjatëve në Europë direkt nga Turqia.
Tribuna
Ndaje me miqte