TsiprasMitsotakis përplasje e ashpër për korrupsionin
30 Mars 2016
Debati parlamentar i të martës, (që përfundoi në orët e para të së mërkurës), ishte pritur me mjaft interes nga opinioni në Greqi. Burim i këtij interesimi të madh ishte vetë tema e debatit të zhvilluar në nivel të liderëve politikë: “Funksionimi i drejtësisë dhe fenomenet e korrupsionit”.
I zhvilluar në kohën që pozita dhe opozita po shkëmbejnë përditë akuza të ndërsjellta për korrupsion, dhe ndërsa të dy palët paralajmëroninse do të shpalosnin dosje me emra dhe fakte, debati i zhgënjeu pritshmëritë.
Dueli ndërmjet kryeministrit dhe shefit të opozitës, pavarësisht toneve tepër të larta, ishte një përsëritje e dueleve të mëparshme. Pavarësisht elementëve “pikantë” që përdorën të dy palët, apo sherreve si ai midis ministrit kryetarit të Grekëve të Pavarur dhe ministër i mbrojtjes, Panos Kammenos, me ish kryetarin e PASOK-ut, Evangelos Venizelos.
Kryeministri Aleksis Tsipras dhe shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis janë përplasur mjaft ashpër gjatë debatit parlamentar.
Tsipras paralajmëroi krijimin e komisioneve hetimore që do të shqyrtojnë se si u janë dhënë kreditë partive dhe mediave, ndërsa Mitsotakis kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kryeministri që në nisje të fjalës së tij e akuzoi Demokracinë e Re për hipokrizi dhe iu referua një sërë shembuj të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë nga dy ish partitë e mëdha (ND dhe PASOK), në periudhat që ushtruan qeverisjen e vendit.
Duke folur me ironi, Tsipras tha se donte t’i falënderonte të dy ato parti, që i dhanë mundësinë të kërkonte këtë debat parlamentar, me qëllim që siç tha, “në nivelin më të lartë të mundshëm të flasim më në fund për drejtësinë dhe korrupsionin”.
“Të flasim për sistemin e pushtetit që u ndërtua 40 vitet e fundit dhe e çoi vendin në buzë të humnerës”, nënvizoi Tsipras në hyrje të fjalës së tij.
Tsipras bëri të ditur se ditët e ardhshme, SYRIZA do të propozojë krijimin e një komisioni hetimor për të shqyrtuar se si dy partitë që qeverisën Greqinë dekadat e fundit morën kredi nga banket, kredi me vlerë 210 milionë euro (Demokracia e Re) dhe 111 milionë (PASOK-u). “Ju falimentuat edhe vendin, edhe partitë tuaja”, theksoi Tsipras.
Shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve. “Përderisa nuk mundei të qeverisni, jepni dorëheqjen. Të ikni para se ta shtyni vendin në katastrofë. Greqia nuk ju duron më. Dhe me që, siç duket., ky parlament nuk mund ta japë një zgjidhje tjetër, atëherë zgjidhjen ta japë populli”, deklaroi shefi i opozitës.
Ndër të tjera, Mitsotakis e akuzoi qeverinë se që nga momenti i parë kishte për qëllim që të krijojë lidhjet e saj me korrupsionin dhe se nuk është me të vërtetë përballë këtij fenomeni. Madje, duke komentuar faktin se disa prej figurave të SYRIZA-s ishin dikur te PASOK-u, i quajti ata “jetimët e Cohaxopulos”. (Cohaxopulos është ish ministri socialist i mbrojtjes që ndodhet në burg i akuzuar për korrupsion dhe mitëmarrje).
Raundi i dytë
Në raundin e dytë të pozicionimeve, Tsipras e cilësoi si “të ngathët” fjalimin e zotit Mitsotakis dhe theksoi se shefi i opozitës u shmang të komentojë denoncimet për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë gjatë periudhës së qeverisjes ND-PASOK.
Duke iu referuar kërkesës për zgjedhje të reja, Tsipras tha: “Kur ndodheni jashtë shtetit garantoni se nuk nxitoheni për të shkuar në zgjedhje... Kush nxitet, mbytet. Nuk ju mjaftuan tre ballafaqime elektorale që i humbët, doni të humbni për herë të katërt?”.
Në përgjigje, Mitsotakis tha se bashkëqeverisja SYRIZA-ANEL i ka bërë një dëm kolosal vendit dhe shtoi që po të mos ishin bërë zgjedhje, vendi do ta kishte shmangur paketën e tretë të masave shtrënguese. Shefi i opozitës e ftoi kryeministrin që të mbështesë propozimin e ND për një komision hetimor që do të shqyrtojë se si vendi arriti në kontrollin e kapitaleve dhe në këmbim, opozita do të mbështesë propozimin e qeverisë për hetuar kreditë e marra nga partitë dhe mediat.
Gjakrat u ndezën keq, kur Mitsotakis tha se një nge tre gazetarët që janë arrestuar (me akuzën e shantazhit për të përfituar para nga fondet shtetërore), ishte bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit. Kjo frazë shkaktoi reagimin energjik të zotit Tsipras, që kërkonte nga shefi i opozitës ta tërhiqte mbrapsht akuzën e tij, ndërsa Mitsotakis insistonte.
(Shënim i redaksisë: Qeveria ka akuzuar ND për lidhje me tre shantazhuesit, pas publikimit të përgjimeve telefonike ku njeri prej tre të arrestuarve bisedon me zëdhënësin e Demokracisë së Re, Jorgos Kumutsakos).
Duke marrë sërish fjalën, kryeministri tha se “zoti Mitsotakis ka çdo të drejtë të mos iu përgjigjet fakteve për lidhjet e partisë së tij me rrjetin e shantazhuesve, por nuk ka asnjë të drejtë të thotë se njeri prej të arrestuarve ishte bashkëpunëtor i kryeministrit. Tsipras kërkoi sërish nga Mitsotakis që ta merrte mbrapsht deklaratën në fjalë, duke thënë që “në rast të kundërt, është një shpifës”.
Tribuna
Ndaje me miqte