Tsipras jep dorëheqjen zgjedhje të reja në shtator
20 Gusht 2015
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar të enjten në mbrëmje se do të japë dorëheqjen bashkë me qeverinë që kryeson, me qëllim që të kërkojë një mandat të ri dhe më të fuqishëm nga qytetarët.
Vendimi i kryeministrit grek u muar pas diskutimeve të gjata me bashkëpunëtorët e tij dhe ministra të qeverisë. Të enjten në mbrëmje, Tsipras iu drejtua qytetarëve grekë me një mesazh të drejtëpërdrejtë televiziv.
“Do të kërkoj votën e popullit grek që të shpalos gjithë aspektet e programit. Kemi më shumë përvojë, jemi më të gatshëm. Ju garantoj se nuk kam për t’ia dorëzuar askujt mburojën e ideve dhe ju ftoj të japim betejën e vështirë për ta ngritur sërish atdheun në këmbë”, theksoi Tsipras.
“Mandati popullor që mora më 25 janar i ezauroi limitet e tij”, tha më tej Tsipras, duke iu drejtuar qytetarëve. “Ju me votën tuaj do të vendosni nëse marrëveshja që arritëm ofron garancitë që të dalim nga kriza”, shtoi kryeministri grek, duke shpjeguar arsyet e vendimit për dorëheqje.
Tsipras e mbylli mesazhin e tij duke thënë se do të shkonte te presidenti i Republikës, që të paraqiste dorëheqjen.
Në vazhdim, presidenti i Republikës do të mandatojë me radhë partinë e dytë (Demokracia e Re) dhe më pas të tretën (To Potami), që të përpiqen për të arritur krijimin e një qeverie. Ndërkaq, numrat nuk e ofrojnë një mundësi të tillë.
Prandaj dhe e vetmja zgjidhje është që pas mandatimit formal të këtyre dy partive, të shpallen zgjedhje të përgjithshme në Greqi.
Si data më e mundshme konsiderohet 20 shtatori, megjithë Aleksis Tsipras do të dëshironte që zgjedhjet të mbaheshin madje edhe një javë më herët, më 13 shtator.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin një “dolli e detyruar” për Aleksis Tsipras-in, pas humbjes së një të tretës së deputetëve të maxhorancës gjatë votimit të dyfishtë në muajin korrik të masave të reja që parashikonte marrëveshjae për planin e ri të shpëtimit të Greqisë, me vlerë 86 miliardë euro.
Më 20 gusht u disbursua kësti i parë i kredisë dhe Greqia shleu menjëherë një detyrim prej 3,5 miliardë eurosh që i detyrohej Bankës Qendrore Europiane. Në gjykimin e kryeministrit Tsipras, disbursimi i transhit të parë të kredisë, shënon “normalizimin e ekonomisë së vendit”, ndërsa zgjedhjet e reja do të sjellin “normalizimin e politikës”.
Tribuna
Ndaje me miqte