Ultimatum nga Brukseli për Athinën: &ldquoPranoni propozimin ndryshe falimentim&rdquo
20 Qershor 2015
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, deklaroi se samiti i jashtëzakonshëm i Eurozonës që do të mbahet të hënën për Greqinë, “nuk do të japë zgjidhjen magjike”, ndërsa i ka shtruar Athinës dilemën “të pranojë atë që e konsiderojmë një ofertë të mirë për vazhdimin e mbështetjes, ose të shkojë drejt falimentimit”.
“(Athina) Të lerë lojën e frikës dhe lojën e hedhjes së përegjegjësive, sepse nuk ka kohë për lojëra. Ky është realiteti dhe do të ketë pasoja para së gjithash për popullin grek”, theksoi Tusk.
“Objektiv i samitit është që të sigurohemi se i kuptojmë tezat e njeri-tjetrit dhe konsekuencat e veprimeve tona. Të hiqen iluzionet se do të ketë zgjidhje magjike”, shtoi Tusk, duke shpjeguar arsyet e thirrjes së samitit.
Tusk ndërkaq vuri në dukje se samiti nuk do të jetë hapi i fundit, përderisa nuk do të ketë një negociim teknik të detajuar pasi kjo është punë e ministrave të financave.
“Jemi pranë pikës ku qeveria greke do të duhet të zgjedhë midis asaj që unë besoj se është një marrëveshje e mirë për ofrimin e mbështetjes, apo të eci drejt falimentimit”, theksoi Donald Tusk.
“Në fund, kjo mund të jetë vetëm vendim dhe përgjegjësi greke. Ka kohë, por vetëm pak ditë, le t’i shfrytëzojmë ashtu siç duhet”, përfundoi kreu i Këshillit Europian.
Athina: Ultimatumet, të pritshme dhe të panevojshme
“Të pritshme, të parashikueshme dhe të panevojshme në thelb”, i cilësoi një burim qeveritar grek (që citohet nga mediat vendase), paralajmërimet e kreditorëve pas ultimatumit që i drejtoi Athinës të premten pasdite presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Të njëjtat burime qeveritare kanë thënë se në fundjavë pritet një komunikim i kryeministrit Tsipras me kreun e Komisionit Europian, Jean-Cleude Juncker, në një përpjekje të fundit për t’u gjetur terren i përbashkët para samitit të së hënës.
Ndërkaq, ministri i shtetit, Alekos Flamburaris, koordinator i veprimtarisë së qeverisë, i deklaroi agjencisë Bloomberg se “Greqia nuk po shqyrton një Plan B, sepse është e sigurt se do të arrihet marrëveshje. Greqia nuk pranon reduktime të reja në pensione, mirëpo po shqyrton uljen e numrit të pensionimeve të parakohshme”.
“Duhet të ketë një referim të qartë në nisjen e diskutimeve me qëllim reduktimin e borxhit grek, si dhe një program investimesh, që do të jetë mjaft i madh, kështu që të ndihmojë ristartimin e ekonomisë greke”, shtoi Flamburaris.
Tribuna
Ndaje me miqte