Vazhdon një tragjedi grekogjermane me rrënjë që nga shekulli XIX?
11 Mars 2015
Që prej fillimit të krizës në 2010-ën, Greqia shpërthen ndaj asaj që e konsideron dominim nga Gjermania. Por, në fakt, kontradiktat kanë filluar që në shekullin XIX kur në fronin grek hipi një mbret- bavarez.
Zyrtarë grekë që flasin gjermanisht, Gazeta Zyrtare e botuar edhe në gjermanisht, arkitektë gjermanë të porositur për të ndërtuar Athinën? Nuk bëhet fjalë për një makth që do trazonte gjumin e kryeministrit Cipras që kundërshton masat shtrënguese, por për atë që librat e historisë tregojnë që prej viteve të para pas pavarësisë së Greqisë.
”Në vitin 1830, pas katër shekujsh pushtimi osman, Greqia bëhet një shtet sovran nën mbrojtjen e tre shteteve si Franca, Britania e Madhe dhe Rusia që i imponuan një mbret gjerman dhe absolut”, shpjegon historiani Oliver Delorme.
”Do të ishte Ottoni I, i cili nuk do t’i njihte asgjë Greqisë. Do të rrethohej nga bavarezë, të cilët do të administronin vendin duke i trajtuar grekët si shërbëtorë”, shton Delorme.
Në oborrin grek flitej gjuha e Gëtes dhe ministrat kukulla janë aty vetëm për të bërë ato që u diktojnë bavarezët.
Deri në atë pikë sa në Greqi, termi “bavarokrat” identifikon këtë periudhë.
Që prej pesë vitesh, përballë shkurtimeve të pagave dhe masave të tjera shtrënguese, grekët po tregojnë grushtin nën dritaret e Parlamentit.
Ndërtesa, tashmë simbol i zemërimit të një populli kundër masave shtrënguese të diktuara nga Evropa, është skicuar nga arkitekti zyrtar- i oborrit bavarez.
“Gjatë krizës, kam parë të aktivizuar sërish këtë kujtesë të bavarokracisë”, vijon autori i veprës “Greqia dhe Ballkani”.
"Kur shohim se çfarë bën trojka sot, (BE, FMN dhe BQE), grekët e shohin këtë si një replikë”, nënvizoi ai.
Otton I do të binte nga pushteti në vitin 1862.
Në shtratin e vdekjes, duke dhënë shpirt, fjalët e tij të fundit ishin ”Greqi, Greqi, e shtrenjta Greqi”.
Si për ironi të fatit, vendi do deklarohej në prag falimentimi në 1898 dhe do bënte apel për kreditorë ndërkombëtarë.
MLLEFI PER EGERSI
”Pushtimi nazist i Greqisë në vitet 1941-44, përbën një traumë tjetër më të madhe, që u quajt si mllef egërsie”, sipas Delorme.
Vendi u zhyt në zjarr dhe gjak nga ushtarët e Hitlerit, të cilët u përballën me një rezistencë të madhe masive të grekëve.
”Ata shkaktuan një zi të madhe”, shpjegon historiani greko-gjerman Hagen Fleisher.
“Gjatë dimrit të parë, së paku 100 000 grekë vdiqën nga uria”, sipas tij.
”Më tepër se 50 000 hebrenj grekë u dërguan në dhomat e gazit. Bëhej bukë me erëza dhe bëhej supë me fijet e fshesave”, vijon Olivier Delorme.
“Kur sot kemi politika shtrënguese që i çojnë njerëzit t’i kthehen gjellës popullore, është gjithashtu një rizgjim i kësaj kujtese” nënvizon kërkuesi.
”Në fshatra, masakrat ishin masive, si ajo e Distomos më 20 qershor 1944, në të njëjtën ditë si ajo e fshatit francez, Oradur-sur-Glane, ku u vranë 218 persona”, thotë Delorme.
”Gjermania, në fakt, nuk ka paguar kurrë dëmshpërblim për këto krime të bëra në Greqi”, kujton Hagen Fleisher, ndërkohë që qeveria Cipras kërkon kompensime duke pretenduar që është një detyrë ndaj historisë sonë, ndaj luftëtarëve e luftëtareve të të gjithë botës që dhanë jetën e tyre për të mundur nazizmin.
Ministri grek i Drejtësisë, Nikos Paraskevopulos kërcënon po ashtu se do të bllokojë kapitalet gjermane si kompensim.
Këto vuajtje kanë lënë gjurmë dhe kanë nxitur karikatura ndaj Angela Merkelit, e skicuar si Hitleri gjatë krizës.
Pavarësisht kësaj, Gjermania është po ashtu një vend azili për grekët.
Më shumë se 300 000 grekë jetojnë në Hamburg dhe Mynih.
Gjatë viteve ’60-’70 të shekullit të kaluar shumë automjete ”Volkswagen” dhe ”Mercedes” janë montuar në linjat e prodhimit nga punëtorë të ardhur nga Peloponezi apo Greqia Veriore.
Pikërisht sot janë mjekët apo inxhinierët e rinj grekë që vijnë në Gjermani për t’i shpëtuar arsenalit të të papunëve.
Ndaje me miqte