Analisti grek për marrëdhëniet Athinë "?? Tiranë: Negociatat duhet të rifillojnë
Robert Goro
07 Janar 2019
Gazetari njohur grek, Nikolas Zirganos, analist i çështjeve diplomatike në gazetën “Efimerida ton Syntakton”, thotë se çështja “Katsifas” krijoi një mini krizë në raportet Athinë – Tiranë.
Në një intervistë dhënë gazetarit Robert Goro për Tribuna TV dhe Tv Klan, Zirganos vëren duke folur për negociatat e ndërprera: “besoj se u humb momentumi në marrëdhëniet greko-shqiptare. Ndërsa kishim rënë dakord edhe për zonat ekskluzive ekonomike, edhe për ligjin e luftës - domethënë ishte mbyllur tërësia e problemeve kryesore - aty dikush shtypi butonin “pauzë”. Dhe atë vrull që kishin, atë predispozicion pozitiv që u ndërpre, unë e konsideroj shumë të rëndësishëm. Duhet të rigjejnë ritmin e të startojnë sërish”.
Çështja Katsifas duket se i ka kthyer shumë vite mbrapa raportet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në analizën tuaj, a justifikohet një zhvillim i tillë për hir të çështjes që sapo përmenda?
Zirganos: Nuk besoj se gjendemi “shumë vite mbrapa”. Me siguri ndodhemi një periudhë ku të dy palët po e trajtojnë njëra-tjetrën me një lloj mosbesimi. Dhe patëm një krizë të vogël lidhur me çështjen “Katsifas”.
Që ekzistojnë probleme ndërmjet të dy vendeve, ekzistojnë, që këto probleme munden të zgjidhen, munden. Dhe ne besojmë se të dy palët kanë shumë pak gjëra për të ndarë; ajo që na bashkon është një e ardhme e përbashkët europiane, respektimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut që për fat të keq shkelen shumë shpesh, do të të thoshja, jo vetëm nga njëra palë, por në mënyrë të ndryshme edhe nga pala tjetër.
Unë besoj se Greqia në këto momente duhet të dhe do, edhe populli grek besoj se do, edhe populli shqiptar besoj se do – gjegjësisht edhe qeveria shqiptare do, që të zgjidhen problemet që kemi ndërmjet nesh. Por kjo kërkon një përpjekje më të madhe nga të dy palët. Dhe do të duhet të shmangen ekseset, ekstremizmat, aktet e dhunshme, ngado që të vijnë ato. Dhe duhet të dominojë shteti i së drejtës, që është një vlerë europiane.
A keni të dhëna se reagimet për çështjen Katsifas kanë influencuar sjelljen e shoqërisë greke ndaj emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi?
Zirganos: Disa elementë ekstremistë ndoshta kërkonin thjesht një sebep. Mirëpo nuk besoj se tërësia, apo shumica dërrmuese e popullit grek, u influencua nga ngjarja në fjalë. Natyrisht, është një ngjarje që nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes. Sepse është fjala për një jetë njerëzore dhe sigurisht që policia shqiptare do të mundte të trajtonte ndryshe; nuk ishte nevoja të vritej – mundej thjesht ta neutralizonte dhe ta arrestonte. Mirëpo ngjarja në vetvete nuk besoj se mund të na çojë në një rikthim të “viteve të gurta”. Dhe as mund ta çojë tërësinë e popullit grek në sjellje agresive ndaj qytetarëve shqiptarë. sepse ka qindra mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi, me të cilët bashkëjetojmë në paqe, punojmë bashkë krah për krah, lidhim martesa, fëmijtë tanë shkojnë në të njëjtën shkollë, gjendemi me krevatet pranë e pranë nëpër spitale...
Nuk shoh asnjë arsye për të pasur sjellje ekstremiste ndaj këtyre njerëzve, ngase një incident i caktuar, me nuanca shumë nacionaliste, u zgjidh në mënyrën që u zgjidh nga policia.
A mos keni informacion se çfarë pritet të bëhet me vazhdimin e negociatave të famshme midis të dy palëve. Athina dukej se nxitonte për finalizimin e tyre, ndërsa tani ministri alternat i punëve të jashtme, zoti Katrougalos, vuri një si kusht të ri, duke thënë se “presim aktet ekzekutive të ligjit për minoritetet”...
Zirganos: Fillimisht të sqarojmë se nuk është Greqia ajo që i stopoi negociatat. Përgjegjësia është e palës shqiptare, sepse në mungesë të kuorumit të gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë nuk mund të mblidhet. Rrjedhimisht, nuk mund të marrë fuqi ligjore akordi për zonat ekskluzive ekonomike apo heqja e ligjit të luftës nga ana e Greqisë. Në këtë sens, ajo që e bllokon në këto momente marrëveshjen – e cila besoj se do të ishte përcaktuese dhe historike për marrëdhëniet greko-shqiptare – është pikërisht pala shqiptare, që nuk mund të avancojë me Gjykatën Kushtetuese. Pra, kjo nuk është përgjegjësi e palës greke.
Tani, nëse zoti Katrougalos e shtroi atë çështje, mendoj se është e vetëkuptueshme, nuk është çështje kushti. Që të përmbushë Shqipëria aspiratën e vet europiane, dhe të ketë shtet të së drejtës, të respektojë të drejtat e minoriteteve që është dhe një kërkesë e Këshillit të Europës -nuk është kërkesë greke apo shqiptare-; këto konsideroj se janë të përnjëmendta.
A mendoni se gjërat do të ishin ndryshe, nëse në postin e ministrit të jashtëm mbetej Nikos Kotzias?
Zirganos: Nuk mund të bësh politikë apo analiza, bazuar në hipotezën “nëse”... Natyrisht do të ishte ndryshe, gjithmonë është ndryshe kur ke njerëz të ndryshëm. Por nga ana tjetër, politikat janë kombëtare, mbeten të njëjta. Domethënë, çështja është më komplekse. Nuk do të doja të ndalesha te kjo. Unë besoj se u humb momentumi në marrëdhëniet greko-shqiptare. Ndërsa kishim rënë dakord edhe për zonat ekskluzive ekonomike, edhe për ligjin e luftës -domethënë ishte mbyllur tërësia e problemeve kryesore- aty dikush shtypi butonin “pauzë”. Dhe atë vrull që kishin, atë predispozicion pozitiv që u ndërpre, unë e konsideroj shumë të rëndësishëm. Duhet të rigjejnë ritmin e të startojnë sërish.
Nga ana tjetër, duket edhe një herë tjetër se kjo është pak si procesi i lindjes: ka dhimbje, shkon e vjen... Por besoj se përfundimi do të jetë pozitiv. Mirëpo duhet të kalojnë spazmat që pastaj të përfundojë pozitivisht.