0030 210 33 18 483

Analiza amerikane: "Marrëveshja Athinë-Shkup, triumf i diplomacisë"?

Tribuna TV 13 Qershor 2018

Si “triumf të diplomacisë”, por edhe të “pragmatizmit të dy liderëve”, e komenton instituti amerikan Brookings arritjen e marrëveshjes ndërmjet kryeministrave Tsipras e Zaev për emrin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Sipas institutit me seli në Uashington, marrëveshja i jep fund një kontesti që mbetej i hapur për më shumë se 25 vjet.

Autore e analizës është Amanda Slloat, që gjatë presidencës Obama ka shërbyer si zëvendës ndihmëse sekretar e shtetit për Europën Jugore dhe Mesdheun.

Sipas saj, për këtë rezultat i dhënë përgëzime administratës së Doland Trump. Siç shpjegon, shumë qeveria amerikane u përpoqën në të kaluarën që të mbështesin procesin e zgjidhjes, mirëpo ishte kjo administratë që duke punuar pa zhurmë arriti të kontribuojë që të bëhet hapi i madh. 

“Ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme amerikane e mbështetën energjikisht këtë përpjekje, qeveria Trump meriton të përgëzohet për implikimin e pabujë që ndihmoi të kapërcehet vija përfundimtare... SHBA-të u implikuan në një diplomaci pa zhurmë muajt e fundit, nën drejtimin e nënsekretarit për çështjet europiane Wes Mitchell, dhe me mbështetjen e ambasadorëve në Athinë e Shkup. Gjatë vizitës që bëri në rajon në muajin mars, Mitchell me të drejtë vërejti se kushtet për arritjen e marrëveshjes ishin më të mira se kurrë”, nënvizon Slloat.

Analiza i referohet vullnetit politik, por edhe pragmatizmit që treguan liderët e të dy vendeve gjatë procesit të negociatave. Madje, vihet në dukje se kjo marrëveshje do të përmirësojë imazhin ndërkombëtar të kryeministrit grek, duke e paraqitur si një lider rajonal që kontribuon në zgjidhjen e problemeve.

“Pas fillimit të negociatave, këta dy kryeministra të rinj në moshë dhe progresistë, gjetën terren të përbashkët dhe treguan kurajë politike për të bërë kompromise të vështira”, thuhet në analizën e Institutit Brookings.

Ndërkaq, vihet në dukje se rruga për zbatimin e marrëveshjes do të jetë e vështirë: autorja u referohet reagimeve të brendshme që kanë shkaktuar kompromiset reciproke, ndërsa evidentohen dhe forcat e brendshme politike që do të mund të trazonin ecurinë normale të ratifikimit të marrëveshjes.

Madje shprehet edhe shqetësimi se mos Rusia ndërmerr një “luftë dezinformomi” për të fuqizuar forcat që kundërshtojnë marrëveshjen, në kuadër të një strategjie për pengimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s në rajonin e Ballkanit.

Sipas Amanda Slloat, si rezultat i marrëveshjes:

- Do t’i jepet Athinës garancia se ka një fqinj që do të jetë aleat në NATO dhe do të ndodhet në rrugën e anëtarësimit në BE.

- Më tej, do të forcojë ndjenjën e pjesëmarrjes së Shkupit në komunitetin ndërkombëtar dhe do të shtojë lidhjet tregtare dhe investuese ndërmjet të dy vendeve.

- Integrimi euro atlantik do të ndihmojë në konsolidimin e demokracisë në FYROM, në realizimin e reformave për ekonominë e lirë dhe luftimin e korrupsionit.

- Marrëveshja do të ndihmojë në përballimin e influencës së shtuar të vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor, si Rusia, Turqia dhe Arabia Saudite. 

- Së fundi, zgjidhja e këtij kontesti shumëvjeçar rikthen shpresën në një rajon që trazohet nga konflikte dhe çertifikon vlerën që ka angazhimi i vazhdueshëm diplomatik për zgjidhjen e problemeve.

Ndaje me miqte