Athina për negociatat Shqipëri - BE: "Po, por me kushte"?. Rama, letër Mitsotakisit
Robert Goro
30 Korrik 2019
Në tetor, qeveria e re greke do të duhet të japë ose jo konsensusin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut.
Nga kjo do të varen në masë të madhe, raportet e Athinës me Tiranën dhe Shkupin.
Ky është konkluzioni i analistëve grekë, në shqyrtimin e programit të qeverisë Mitsotakis, tri javë pas ditores në zgjedhjet e 7 korrikut.
Gazeta më e madhe konservatore, Kathimerini, i kushton një analizë shteruese kësaj teme.
Gazetari Stavros Tzimas, ndoshta njohësi më i mirë i çështjeve ballkanike në Greqi, nënvizon në analizën e tij se “Athina nuk do të bëhet pengesë në procesin e integrimit të dy vendeve fqinje, por nuk ka për ta dhënë konsensusin pa marrë shkëmbime”.
Tzimas citon një burim pranë kryeministrit që i ka thënë se “Athina nuk do të thotë “jo” për asnjërin prej dy vendeve, por do të shtrojë edhe kushtet e veta”.
Sipas analistit grek, kushti për Maqedoninë e veriut do të mund të jetë zbatimi me rigorozitet i marrëveshjes së Prespës. Ndërsa për Shqipërinë, dhënia e garancive mbi respektimin e konventave ndërkombëtare për të drejtat e minoritetit.
Tzimas shqyrton edhe mundësinë që liderët europianë ta shtyjnë sërish për më vonë marrjen e vendimit, apo të japin një datë vetëm për Maqedoninë e Veriut.
Sipas analistit grek, shtyrja e vendimit, do të rrezikonte qeverinë e Zaevit, që promovoi marrëveshjen e Prespës si katalizator në përshpejtimin e procesit të integrimit europoian.
Por edhe në rast se Maqedonia e merr datën dhe Shqipëria jo, atëherë sërish mund të krijohen probleme, tashmë nga shqiptarët e Maqedonisë, që sipas analistit grek janë një faktor mjaft i fuqishëm për ekuilibrat ndëretnikë dhe politikë në vend.
Ndërkaq, Tzimas thekson se “Me Shqipërinë, gjërat janë më të komplikuara”, duke iu referuar situatës së brendshme politike, që sipas tij do të mund të ketë impakt në vendimin e liderëve europianë për dhënien e datës së hapjes së negociatave.
Analisti grek nuk le jashtë vëmendjes faktin se nga Tirana zyrtare, vetëm presidenti Meta e uroi për fitoren zotin Mitsotakis.
“Kryeministri socialist Edi Rama po hesht, ndoshta pse po pret nga homologu i ri grek qëndrimet e qeverisë së tij për axhendën e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat prej kohësh kanë temperatura Siberie”, shënon analisti Tzimas.
Për hir të së vërtetës duhet thënë që, vetëm pak orë pas publikimit të kësaj analize, e njëjta gazetë, pra Kathimerini, njoftoi se Edi Rama i ka dërguar një letër kryeministrit Mitsotakis.
Pasi e uron për marrjen e detyrës, Rama përsërit ndërmjet të tjerash angazhimin e tij dhe të qeverisë që ai drejton, për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa shpreh mirënjohjen për mbështetjen Athinës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas Kathimerni, Rama shpreh bindjen se bashkëpunimi i filluar me qeverinë e mëparshme greke do të vazhdojë dhe do të finalizohet me sukses për të dy vendet, përderisa ekzistojnë premisat për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.