0030 210 33 18 483

Betejat që duhet të fitojë Lulzim Basha

Juli NDRIKO 18 Qershor 2021

Nëse fiton këto beteja, të lehta për t'u thënë por aspak të lehta për t'u bërë, Basha do mund të përmbysë parashikimet e mandatit të katërt të Edi Ramës. Në të kundërtën humbja politike nuk do të jetë veç e tija, por shumë më tepër se kaq. Do të jetë humbje e opozitarizmit dhe kjo është ajo që nuk duhet në asnjë mënyrë t'i ndodhë një shoqërie demokratike.

 

Zgjedhjet e pak ditëve më parë në kampin e Partisë Demokratike nxorën fitues, ashtu si dhe pritej, kryetarin aktual Lulzim Basha.

Në përballjen mes Bashës dhe tre kandidatëve të tjerë, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj, Basha  u rikonfirmua në krye të PD-së me 81% të votave të anëtarësisë së PD. Gara që u quajt e pabarabartë, u përball me kontestime dhe deklarime të parregullsive të procesit zgjedhor nga kandidatët përballë Bashës, të cilët  e njësuan procesin partiak të 2021 me proceset elektorale e vitit 2013 dhe 2017, që gjithashtu u quajtën të pabarabarta dhe plot defekte.

Edhe analistët u bashkuan me deklarimet e kandidatëve përballë Bashës dhe e cilësuan procesin jo demokratik dhe të mbushur plot parregullsi. Në mbyllje të procesit analisti Andi Bushati deklaroi se: “Zgjedhjet e fundit në PD ishin konfirmim i së njëjtës traditë të mungesës së demokracive të brendshme në parti, jo vetëm për faktin e rizgjedhjes së zotit Basha, por edhe faktit si u konceptua gara, urgjente pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, pa kohë për kandidatët, pa kushte për garim për kundërkandidatët e Bashës...” dhe se, “...edhe sfondi edhe thelbi flisnin për një garë ku demokracia reale mungon”.  

Analizat e mëpasshme mbi procesin zgjedhor në kampin e PD-së ishin të shkurtra, sporadike dhe me argumente dhe analiza të thjeshta, sa të krijonin përshtypjen se fokusi publik dhe mediatik mbi Partinë Demokratike ishte i ulët. Përtej kësaj, ajo që bënte përshtypje në çdo opinion dhe koment të bërë ishte se gati të gjithë, bashkoheshin në një unison ideje se, opozita e Bashës, do t’i garantonte Edi Ramës edhe mandatin e tij të katërt. Ide e dhimbshme dhe tronditëse natyrisht.

Edhe unë bashkohem me mendimin e shumë të tjerëve, por ndahem nga ata në raport me bindjen. Pasi për mua mandati i katërt i Edi Ramës është një parashikim dhe si çdo parashikim mbart në vetvete riskun e ndodhjes ose jo.

Nisur nga tre dështimet e deritanishme të Bashës është e qartë se parashikimi i një humbjeje të katërt është një opsion i mundshëm. Por politika na ka treguar se nuk është një aritmetikë e saktë. Prognozat politike përmbysen shpesh dhe indikatorët e rezultateve lëvizin kaq shpejt sa parashikimet afatgjata nuk janë të sigurta. Na e kujtoi këtë rënia e Trump, kur as ai dhe as mbështetësit e tij të termit “Amerika e para”, nuk ia dolën përballë Bidenit tashmë president; na e kujtoi fitorja e aleancës Fidesz - KDNP,  me kryeministër Viktor Orban në 2018 ndonëse kundërshtimet për politikat e tij brenda vendit dhe kritikat e herëpashershme edhe të vetë BE-së për to nuk premtonin fitore; na e tregoi Kosova që ndonëse shtet i ri siguroi një mandat për qeverinë Kurti, kur të gjithë faktorët u bashkuan kundër tij e, si ngjarje më e re në kohë, na e tregoi rënia e epokës Netaniahu, vetëm pak ditë pasi vetë ai deklaroi se kishte fituar në zgjedhjet e sapo përfunduara të këtij qershori.

Eshtë i çuditshëm rebusi i politikës dhe i tillë është edhe rebusi i politikës në Shqipëri.

Fitorja e Lulzim Bashës ishte e pritshme por jo e mirëpritur. Por tek deklarohem kështu pyes veten se nëse nuk do fitonte Basha, kush do të ishte prej kundërshtarëve të tij i merituari për kryetarin e opozitës? Duke pasur respekt për secilin prej CV-ve individuale të Kadillit, Harxhit dhe Shehajt, besoj se askush prej tyre nuk e meritonte një pozicion të lartë politik si ai i kreut të opozitës. Dhe dua të besoj se në këtë qasje nuk jam e vetme.

Kam një ide konsekuente se më së pari, politika është përvojë dhe ligjërimi që vjen prej saj dhe në funksion të saj është një mësim që nuk iu mundësohet fillestarëve. Kjo u pa qartë në mungesën e gjuhës politike të kundërshtarëve të Bashës. E varfër, pa elokuencë dhe me tone aspak bindëse.

Njëherësh politika është program dhe qasje, por kundërshtarët e Bashës nuk patën asnjë të tillë veç anatemimit të Bashës dhe përjashtimit të vetvetes nga dështimet e partisë për kreun e të cilës po kandidonin. Ata u shfaqën në tavolina “debatesh” me anëtarësinë si të pafaj në rezultatin e humbjes, duke tentuar të shiteshin të virgjër, ndonëse ishin anëtarë të një haremi.

Në këto kushte duket se fitorja e Bashës nuk ishte një aksident dhe as rezultat i një procesi të njollosur nga parregullsitë. Jo se nuk pati të tilla, por se ato sidoqoftë nuk mund ta ndryshonin rezultatin në favor të kundërshtarëve të Bashës.

Përtej zhurmënajës mbi këtë fitore Basha ka shumë punë për të bërë. PD-ja i ngjan sot një ariu të mundur dhe shërimi i “plagëve” të humbjes nuk është e thjeshtë. Përballë arrogancës qeveritare dhe një regjimi autoritar të instaluar është e qartë se nuk mund të luftosh as me gabimet e së djeshme as duke vajtuar humbjen.

Në funksion të mosdaljes së parashikimit të mandatit të katërt të Ramës, Basha duhet të nis punë që sot, pikë së pari brenda shtëpisë së tij, duke u përpjekur të kthejë në vathë të gjithë të larguarit e PD-së dhe më tej duke demokratizuar partinë dhe duke e kthyer atë në një tryezë të madhe debati ku secili i kontribuon një qëllimi final. Dhe këtë duhet ta bëj pa vonesë dhe pa ndjerë dhimbje edhe nëse ndonjë prej demokratëve vendos të rrijë jashtë Partisë Demokratike.

Në këtë betejë Basha duhet të mësojë të ndajë të djeshmen humbëse nga e nesërmja që projekton fitoren. Në funksion të kësaj ai duhet të ketë forcën të ndahet nga trashëgimia e Berishës dhe të mundet të flasë për gabimet madje dhe të kërkojë falje për çka ka bërë familja e tij politike.  Në sytë e shtëpisë së madhe me emrin PD Basha duket të ketë forcën të ngrihet mbi të djeshmen dhe të frymëzojë me veprime politike rritjen e PD.

Beteja e dytë duhet bërë në sy të shqiptarëve dhe askund më shumë se tryeza kuvendore nuk e ndihmon dot drejt lartësimit të një qëllimi të tij. Aftësia e tij për tu përballur me qeverisjen në Parlament më shumë se detyrë, duhet të jetë mision për qeverisjen e re të PD-së. Madje dhe për tu bërë bashkë me Edi Ramën për qëllime madhore si reforma në drejtësi apo rruga shqiptare drejt BE-së.

Nëse fiton këto beteja, të lehta për t'u thënë por aspak të lehta për t'u bërë, Basha do mund të përmbysë parashikimet e mandatit të katërt të Edi Ramës. Në të kundërtën humbja politike nuk do të jetë veç e tija, por shumë më tepër se kaq. Do të jetë humbje e opozitarizmit dhe kjo është ajo që nuk duhet në asnjë mënyrë t'i ndodhë një shoqërie demokratike.

Ndaje me miqte