Bota do të vazhdojë të përmirësohet në 2019-n
EDWARD HADAS / REUTERS BREAKINGVIEWS
26 Dhjetor 2018
Ekonomia botërore do të njohë një vit të mirë, pretendon analisti i gjencisë Reuters, Edward Hadas. Sipas tij, “2019-a do të ketë mjaft ngjashmëri me 2018-n, ashtu sikurse besohet edhe në 2020 dhe 2021”.
Zhvillimi ekonomik do të ketë ritme mjaft të fuqishme në shumicën e vendeve, konkludon Hadas. “Vendet e pasura janë të shqetësuara për mundësinë e një ngadalësimi të papërfillshëm, mirëpo të varfërit fitojnë më shumë nga dinjiteti që shoqëron rritjen e mjaftueshmërisë materiale”.
Dhe analisti i Reutersit vazhdon:
“Banka Botërore vlerëson se nën limitin e varfërisë jetojnë ato shtresa që shpenzojnë më pak se 1,90 dollarë në ditë. Sipas Universitetit të Oksfordit, në 1950 shuma e njerëzve që jetonin me më pak nga sa ishte e nevojshme, arrinte në 72% të njerëzimit. Vlerësimet fillstare të bankës Botërore për 2018-n, janë se kjo kategori përfaqëson 8,6%, nga 10% që ishte në 2015-n. Përqindja e popullsisë botërore që jeton pa akses në energjinë elektrike pakësohet me 0,3 % në vit. Numri i fëmijve që nuk shkojnë në shkollë pakësohet gjithashtu me 5 milionë në vit.
Madje dhe në Afrikë gjërat po përmirësohen. Përqindja e fëmijve afrikanë që vdesin para se të mbushin moshën 5 vjeç, ra në 8% në 2015, nga 21% që ishte në 1975-n. Shtimi i pasurisë shoqërohet nga përmirësimi i gjendjes shëndetësore të popullsisë. 10 vitet e fundit të ardhurat reale për frymë të popullsisë në Afrikë u rritën me 40%. Ndërkaq, luftërat, kryesisht ato civile në Afrikë, kishin si rezultat që të rritet me 0,2% numri i njerëzve që nuk ushqeheshin mjaftueshëm. Ky numër është 11,9% dhe është 2,2% më pak nga sa ishte para një dekade. Parashikimet flasin për një përmirësim të mëtejshëm në 2019-n.
Kemi gjithashtu mjaft arsye që të besojmë se do të jetë një vit i mirë dhe 2019-a. Zhvillimi ekonomnik në mjaft prej vendeve të varfëra, duket shumë premtues. Rritja e aksesit në arsim dhe në shëndetësi prodhon punonjës më të mirë që mbështesin institucione më të fuqishme dhe këto nga ana e tyre vendosin për më shumë investime. Dhe investimet sjellin paratë që nevojiten për të mbuluar koston e një arsimi dhe shëndetësie më të mirë. Kjo trajektore përshkrohet sa nga një vend në tjetrin, këtu e të paktën dy dekada. Qeveritë e këqija krijojnë vërtetë pengesa për progresin, mirëpo që të kthehet në kahun e kundërt ecuria pozitive, duhet të ndërmjetësojë një luftë ose një dështim total, si në rastin e Venezuelës.
Pakësimi thuajse i pandërprerë i mjerimit botëror, varfërisë dhe injorancës përbëjnë sigurisht lajmin më të mirë në historinë e ekonomisë. Për historinë e politikës ndërkaq, gjërat nuk janë njëlloj të mira. Duket se përgënjeshtrohet konstatimi se me rritjen e pasurisë shoqëritë bëhen më të hapura. Në shumë vende, të pasur e të varfër duken të lumtur kur qeverisen nga qeveri autoritare dhe të ekstremit nacionalist. Kina është shembulli kryesor. Partia Komuniste, totalitare dhe e korruptuar, ka arritur shtimin e shpejtë dhe të përhapur të prosperitetit. Mirëpo ka ambicje, jo vetëm politike, por edhe ushtarake, që shtrihen jashtë kufijve të vendit. Kjo është shqetësuese, sepse lufta është ndoshta i vetmi faktor që mund të ndërpresë progresin botëror.
Ndaje me miqte