0030 210 33 18 483

Dorëheqja e Kotzias. A do të ketë impakt në politikën e jashtme?

Robert Goro 17 Tetor 2018

Për kryeministrin grek Aleksis Tsipras, dorëheqja e ministrit të jashtëm, Nikos Kotzias, është një akt krejt i pakuptueshëm. Këtë qëndrim përcolli të enjten në mesditë zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos, duke shtuar se kryeministri nuk shtroi kurrë dilemën “Kotzias apo Kammenos”.

Shefi i diplomacisë greke dhe të mërkurën dorëheqjen, pas një debati me ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, kryetar i Grekëve të Pavarur.

Më pas, Kotzias la të kuptohet se u flijua për hatër të aleatit të djathtë të koalicionit qeveritar. “Vjen momenti... që duhet të vendosësh me cilët do të shkosh dhe cilët do të lesh. Kryeministri... e bëri zgjedhjen e vet”, shkruajti në Twitter Kotzias, menjëherë pas publikimit të dorëheqjes.

Kyriakos Mitsotakis, kryetar i partisë më të madhe opozitare, vlerësoi se pas largimit të ministrit të jashtëm, kryeministri Tsipras “është peng i zotit Kammenos”, dhe se “ky partneritet heterogjen pushteti do të bëjë ç’është e mundur që të mbetet në karrigen e pushtetit”. 

Në këtë pikë, pranë në varësinë e kryeministrit nga ministri i mbrojtjes, janë fokusuar edhe reagimet e partive të tjera opozitare.

Ndërkohë, për ministrin e jashtëm në largim, nuk kanë munguar vlerësimet e larta nga kancelaritë e vendeve aleate.

Departamenti amerikan i shtetit deklaroi se e falënderon ministrin Kotzias për kontributin në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Greqi, si dhe për arritjen e marrëveshjes së Prespës.

Falënderoj Nikos Kotziasin për lidershipin e dëshmuar në fushat e bashkëpunimit tonë. Tashmë ka rëndësi jetike që të ruhet trashëgimia politike e tij, posaçërisht marrëveshja e Prespës”, deklaroi komisioneri për zgjerimin Johanes Hahnn.

Mediat greke i kanë kushtuar hapësirë edhe reagimit të ministrit të jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. “Faleminderit Nikos Kotzias për përpjekjet tuaja në hapjen bashkarisht të një faqeje të re të bashkëpunimit, besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve tona”.

 

A do të influencojë dorëheqja politikën e jashtme greke?

Gjatë tri viteve e gjysmë në krye të diplomacisë greke, Nikos Kotzias arriti të krijojë një politikë të jashtme multidimensionaledhe dhe mjaft aktive. Sigurisht, kulmi ishte ideimi dhe realizimi i marrëveshjes së Prespës. Por ai sanksionoi skema shumëpalëshe, si ministeralet e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, konferenca për pluralizmin fetar e kulturor në Lindjen e Mesme, Forumi i qytetërimeve antike, etj.

Tashmë, mbetet të shihet se sa dhe si do të të vazhdojë kjo “trashëgimi politike” e ish ministrit Kotzias.

Aleksis Tsipras vendosi që tash e tutje të jetë edhe ministër i jashtëm. Duke argumentuar këtë vendim, Tsipras deklaroi para gazetarëve se “shënon vendosmërinë time që të bëj gjithçka që kalon nga dora ime për të garantuar finalizimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Prespës, që përmirëson rolin e vendit”. Në fakt, finalizimi i suksesshëm i marrëveshjes së Prespës, i garanton Tsiprasit edhe një vend në histori. Ai do të jetë lideri që arriti atë çka nuk mundën tetë kryeministra – paraardhës të tij për gati tri dekada.

Por Tsipras dëshiron të mbetet në histori edhe si njeriu që arriti të zgjidhë problemet e mbartura me Shqipërinë, duke u evidentuar si një lider global për rajonin.

Përndryshe, nuk duhet harruar se qoftë Kotzias, qoftë Bushati, kur i filluan negociatat në Kretë, vitin e kaluar, kishin autorizimin dhe mbikëqyrjen e plotë të dy kryeministrave, Tsipras e Rama.

Qenia e Tsiprasit në krye të ministrisë së jashtme, më së shumti mund ta shtyjë përpara finalizimin e marrëveshjes me Tiranën, por druaj se kjo do të bëhet vetëm pasi të sqarohet përfundimisht se çfarë do të bëhet me marrëveshjen e Prespës.

Ndaje me miqte