0030 210 33 18 483

Emigrant në Greqi, çfarë pensioni do të marrësh

TV TRIBUNA 28 Tetor 2018

Profesor SavvasRobolis, pedagog i ekonomisë në Universitetin Panteion, është një nga ekspertët më të mirë të sigurimeve shoqërore në Greqi. Pranoi me kënaqësi t’u përgjigjet pyetjeve tona, në një intervistë të zgjeruar, lidhur me mundësinë që kanë emigrantët shqiptarë për të marrë pension në Greqi.

TRIBUNA TV: Një emigrant që paguan kontributet për sigurime shoqërore, a mundet të marrë pension në Greqi?

SAVVAS ROBOLIS: Sigurisht. Sipas ligjit për sigurimet shoqërore, përderisa është i siguruar dhe ka 6.000 ensima -që i korrespondojnë 20 viteve punë- ose 4.500 ensima -që i korrespondojnë 15 viteve punë- do të marrë pensionin kombëtar 384 euro po të ketë 20 vjet, (345 euro po të ketë 15 vjet), plus pensionin që i korrespondon nga kontributet që ka paguar.

Ndoshta problemi që mund të shfaqet ka të bëjë me faktin se në tregun e punës kemi dhe atë që quhet “tregu i zi i punës”, jo vetëm për emigrantët, por edhe për vetë grekët dhe veçanërisht për të rinjtë që punojnë nga 4 orë, që punojnë pa siguracion. Gjithë ky punësim pa siguracion aty do të ketë një problem që nuk është vetëm për emigrantët, po për gjithë punonjësit.

Mirëpo, përderisa një njeri është në tregun e punës, paguan kontribute ai dhe punëdhënësi ose vetëm ai, po të jetë i vetëpunësuar; mbi bazën e këtyre kushteve, pra 67 vjeç ose 62 vjeç me 40 vite pune me siguracion dhe 20 ose 15 vjet minimumi, do të marrë një pension siç e merr kushdo që punon në Greqi dhe paguan sigurimet shoqërore.

TRIBUNA TV: Nëse dikush nuk ka 4.000 ensima, po ka 3.000, këto do të mund të përllogariten për pensionin kombëtar?

SAVVAS ROBOLIS: Jo. Sipas ligjit, këto nuk përllogariten; ai nuk do të mundet të marrë pension. Mirëpo do të marrë Kompensimin e të Moshuarit të Pasiguruar, pasi të mbushë 67 vjeç dhe vlera e këtij kompensimi do të jetë 350 euro.

Përderisa nuk përmbush kushtin për 15 ose 20 vitet, legjislacioni ofron mundësinë që të marrë këtë kompensim të të Moshuarit të Pasiguruar, që ua ofron sistemi atyre që janë mbi 65 vjeç.

TRIBUNA TV: Për mendimin tim do të ishte padrejtësi e madhe për këtë kategori emigrantësh, në momentin që shumica e tyre i kanë paguar ensimat nga xhepi pasi ensimat ishin kusht për rinovimin e lejes së qëndrimit. Kur paguan nga xhepi dhe nuk merr diçka në këmbim të kësaj, me siguri që është e padrejtë. Por ky kompensim, me sa kuptoj, e balancon disi këtë padrejtësi...

 

SAVVAS ROBOLIS: Jo vetëm për emigrantët, por edhe për grekët... P.sh., unë këtë javë takova dy njerëz që kanë këtë problem, nuk kanë mbushur 15 vitet dhe detyrimisht do të përfshihen në kategorinë që ju thashë, me kompensimet pas moshës 67 vjeç. Dhe kjo ndodh ngaqë sistemi grek i sigurimeve shoqërore, besoj se është i vetmi sistem në Europë që nuk i kthen mbrapa paratë, nëse nuk përmbush limitet minimale të kushteve. Domethënë, nëse je në një vend tjetër, në Suedi, në Norvegji, në Gjermani apo në Francë, dhe ligji thotë që duhet të kesh 15 vjet dhe ti ke 10 vjet, ato para që ke paguar për 10 vjet, sistemi t’i kthen ty.

Këtu në Greqi kjo nuk bëhet, të paktën deri më sot. Dhe ndoshta ligjvënësi vendosi ta kompensojë këtë mungesë me dhënien e këtij kompensimi për të Moshuarin e Pasiguruar...

 

Intervistën e plotë do ta ndiqni javën e ardhshme në emisionin “Tema e Ditës”

Ndaje me miqte