0030 210 33 18 483

Greqi - Turqi, përplasje për Agia Sofinë

TV TRIBUNA 14 Korrik 2020

Ditët e fundit, tensioni ndërmjet Greqisë dhe Turqisë është ashpërsuar sërish.

Shkaku, vendimi i autoriteteve turke për të kthyer në xhami tempullin e famshëm të Agia Sofisë.

Polemika tashmë ka përfshirë dhe shumicën e aktorëve ndërkombëtarë.

Ministrat e jashtëm të BE-së kanë dënuar vendimin Ankarasë që të kthejë sërish në xhami kishën Agia Sofia të Stambollit dhe i kanë bërë thirrje udhëheqjes turke që ta rishqyrtojë këtë vendim.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borrell, deklaroi se ky vendim shkakton përçarje të reja ndërmjet komuniteteve fetare.

“Vendimi për t’u kthyer Agia Sofia në xhami, në mënyrë të pashmangshme kultivon mosbesim dhe shkakton përçarje të reja ndërmjet komuniteteve fetare, si dhe dëmton përpjekjet tona për dialog dhe bashkëpunim. U bëjmë thirrje autoriteteve turke që menjëherë ta rishqyrtojnë dhe ta ndryshojnë këtë vendim”, deklaroi Borrelli në përfundim të mbledhjes së këshillit të ministrave të jashtëm të Unionit.

Përgjigjja e Ankarasë ishte e menjëhershme.

“Sa i përket Agia Sofias, edhe një herë të theksojmë se është në pronësi të Turqisë dhe çdo lloj diskutimi për Agia Sofian, përfshirë ndryshimin e statusit, është çështje e të drejtave sovrane të Turqisë, ku askush nuk mund të ndërhyjë”.

Të premten e kaluar, Gjykata e Lartë e Turqisë anuloi dekretin e vitit të 1934 të presidentit të atëhershëm, Mustafa Kemal Ataturk, që e kishte shpallur muzeum Agia Sofinë.

Po atë ditë, presidenti Recep Taip Erdogan, nënshkroi dekretin presidencial për kthimin e këtij monumenti të rrallë në xhami.

Ky vendim shkaktoi reagime në arenën ndërkombëtare.

Greqia dënon në mënyrën më energjike vendimin e Turqisë që të kthejë në xhami Agia Sofinë, deklaroi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ky vendim, 85 vjet pas shpalljes së saj si muze, cenon karakterin ekumenik të këtij monumenti. Është një përzgjedhje që cenon gjithashtu gjithë ata që e njohin monumentin si pasuri të kulturës botërore. Dhe sigurisht, influencon raportet e Turqisë me Greqinë, me Bashkimin Europian, me UNESCO-n dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.

Edhe Papa Francesk, gjatë fjalimit të tij të së dielës, në sheshin San Pietro, iu referua kësaj çështjeje, në kuadër të ditës ndërkombëtare për mbrojtjen e detit.

Deti e çon mendimin tim shumë larg, shkon në Stamboll dhe në Agia Sofia dhe jam shumë i trishtuar.

Për kryepeshkopin e kishës ortodokse shqiptare, Anastas, vendimi i Ankarasë është një xhihad kulturor.

Ky vendim për Agia Sofinë është një lloj agresioni kulturor, xhihad klulturor. Vitet e fundit gjithë njerëzit serioze, sa të krishterët, aq edhe myslimanët, dënojnë çdo trajtë të luftës fetare, të xhihadit. Qëllimi fisnik i fesë është që të zbusë plagët dhe të paqtojë shpirtrat e njerëzve. Të promovojë kulturën dhe kthimin mbrapa”.

“UNESCO shpreh keqardhjen e thellë për vendimin e autoriteteve turke, që u mor pa një diskutim paraprak dhe bën thirrje që të ruhet vlera universale e trashëgimisë botërore”, thuhet në një deklaratë për shtyp të UNESCO-s, organizatës për kulturën, arsimin dhe shkencën, të Kombeve të Bashkuara.

Tempulli i parë i Agia Sofias është themeluar nga perandori i Bizantit, Konstantini i Madh, në vitin 330. Inaugurimi u bë 30 vjet më vonë, në 360.

Në vitin 404 tempulli u dogj dhe rindërtimi përfundoi në 415-n.

Por u dogj sërish në 532. Perandori Justinian vendos që tempulli të ndërtohet nga e para. Ndërtimi zgjati gati 6 vjet dhe për të punuan 10.000 vetë, ndërsa u shpenzuan 320.000 lira (120 milionë euro me vlerën e sotme). Inaugurimi u bë në 27 dhjetor 537.

Për më shumë se 1000 vjet (537-1453), Afia Sofia ishte qendra e ortodoksisë.

Por me rënien e Stambollit në maj 1453, u kthye në xhami.

Themeluesi i shtetit të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, në sendërtim të ndjenjave properëndimore, e shpalli Agia Sofinë muzeum, që i hapi dyert në 1 shkurt 1935.

50 vjet më vonë, në 6 dhjetor 1985, UNESCO e përfshiu në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore botërore.

Ndaje me miqte