0030 210 33 18 483

Greqia dhe masat shtrënguese: Dalja e pastër nga kriza kërkon dhe fjalë të pastra

Konstantinos DEDES 03 Maj 2018

Kohët e fundit, gjithnjë e më shpesh shtypi i huaj po merret me përfundimin e programit grek dhe premtimet e qeverisë për një dalje të pastër të vendit nga memorandumi i masave të ashpra.

Këto referime të mediave të huaja shoqërohen gjithmonë nga theksimi se premtimet nga ana e kryeministrit grek shkaktojnë ndjenja të përziera në qarqet e institucioneve ndërkombëtare dhe se në thelb, ata po përjetojnë sërish frikën për rrezikun e kthimit të ekonomisë greke në deficitet dhe ofertat.

Është e vërtetë se vitet e fundit gjithnjë e më shpesh kuadrot e qeverisë në ndërhyrje publike premtojnë për një përmbysje të rregullave që u vendosën me memorandumet.

Ministri i zhvillimit agrar u premton fermerëve ndryshime në mënyrën e taksimit të tyre.

Ministri i arsimit flet për... shtim të financimeve për arsimin e lartë dhe luftimin e fenomenit të mungesës së kuadrove.

Ministri i financave ka paralajmëruar se që nga gushti do të ketë “heqje graduale të padrejtësive”, ndërsa vetë kryeministri garanton se tatimet janë shumë të larta dhe se me daljen nga kriza do të ulen.

Këto dhe shumë ndërhyrje të tjera publike të kuadrove qeveritarë nuk bëjnë asgjë tjetër veçse çojnë ujë në mullirin e dyshimit të kreditorëve. Dhe askush në Europë nuk është i predispozuar që të përballet nga e para me një krizë të re greke.

Për këtë arsye, propozimet që artikulojnë partnerët për lehtësimin e borxhit shoqërohen nga një mbikqyrje e shtuar e ekonomisë greke.

Francezët e shoqërojnë lehtësimin e borxhit me një klauzolë zhvillimi (rritje ekonomike). Për sa kohë që Athina do t’i kapë objektivat, lehtësimi do të vazhdojë. nëse jo, shërbimi i borxhit do të jetë ekskluzivisht një problem grek.

Në një propozim analog, por më të rreptë, që do të përfshijë kontrolle të vazhdueshme, po orientohen gjermanët. Ka gjasa që “shpërblimi” për mbikëqyrjen të jetë blerja e obligacioneve greke.

Me pak fjalë, europianët i propozojnë Athinës që të marrë për borxhin një program disipline fiskale që do të finalizohet atëherë kur borxhi grek të bjerë në 75% të GDP-së. Kjo përllogaritet të ndodhë në vitin 2060.

Mbi bazën e sa u tha më sipër, është e qartë që me sa thotë dhe bën qeveria, jo vetëm nuk do të arrijë daljen e pastër nga memorandumet, por këtë dalje e shndërron në thelb të pamundur dhe e minon.

Nëse objektivi i vërtetë i qeverisë SYRIZA/ANEL ishte që të evitonte mbikëqyrjen, atëherë do të duhej të shmangte premtimet pa doganë në planin e brendshëm dhe të hartonte një plan reformash që do të ndihmonin vendin të shfrytëzojë avantazhet krahasuese, të fitojë një administratë publike bashkëkohore, elastike dhe me kredibilitet që të tërhiqte investime të reja.

Një plan konkret me reforma të guximshme dhe jo një listë urimesh sa për impresion. Vetëm kështu do të mundte t’u mbyllte gojën kritikëve të saj.

Rikthimi i fushatës së premtimeve nuk është vetëm recetë dështimi. Në thelb, për arsye të marketingut politik dhe planëzimeve elektorale, minon rrugën e vendit pas daljes nga memorandumet.

Jastëku i sigurisë, për të cilin është “tharë” tregu ka si horizonte zgjedhjet kombëtare dhe jo daljen e vendit në tregjet. Asnjë treg -posaçërisht tani që janë në një periudhë trazimi- nuk do të huajë me interesa të ulëta një ekonomi të dobët me probleme strukturore dhe një borxh kolosal.

Me zgjedhjet për parlamentin Europian në 2019, Europa futet në një periudhë elektorale dhe askush nuk do të dëshirojë pas pak muajsh një diskutim të ri për Greqinë. Të gjithë tashmë e dimë se tregjet janë të paepura. Dalja e pastër kërkon veç të tjerash edhe fjalë të pastra. Dhe për fat të keq, këtu performanca e qeverisë është nën mesataren.



*) Konstantinos Dedes është avokat – anëtar i seksionit të zhvillimit të Demokracisë së Re

Ndaje me miqte