0030 210 33 18 483

Intervistë me ekspertin: Si të marrësh pension në Greqi

ROBERT GORO 12 Nentor 2018

Profesor SavvasRobolis, pedagog i ekonomisë në Universitetin Panteion, është një nga ekspertët më të mirë të sigurimeve shoqërore në Greqi. Pranoi me kënaqësi t’u përgjigjet pyetjeve tona, në një intervistë të zgjeruar.

TV TRIBUNA: Sa u përket emigrantëve shqiptarë, e dini edhe ju shumë mirë që pjesa më e madhe e tyre është integruar në realitetin grek dhe jep kontribut për vendin. Megjithatë, posaçërisht ata që kanë moshë disi të shkuar, që po i afrohen moshës së pensionit, druhen se nuk do të marrin pension në Greqi. Prandaj po e bëj direkt pyetjen: Emigrantët, përderisa kanë plotësuar detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe përmbushin edhe kushtet e tjerë, a mund të marrin pension në Greqi?

SAVVAS ROBOLIS: Sigurisht. Sipas ligjit për sigurimet shoqërore, përderisa është i siguruar dhe ka 6.000 ensima -që i korrespondojnë 20 viteve punë- ose 4.500 ensima -që i korrespondojnë 15 viteve punë- do të marrë pensionin kombëtar 384 euro po të ketë 20 vjet, (345 euro po të ketë 15 vjet), plus pensionin që i korrespondon nga kontributet që ka paguar.

Ndoshta problemi që mund të shfaqet ka të bëjë me faktin se në tregun e punës kemi dhe atë që quhet “tregu i zi i punës”, jo vetëm për emigrantët, por edhe për vetë grekët dhe veçanërisht për të rinjtë që punojnë nga 4 orë, që punojnë pa siguracion. Gjithë ky punësim pa siguracion aty do të ketë një problem që nuk është vetëm për emigrantët, po për gjithë punonjësit.

Mirëpo, përderisa një njeri është në tregun e punës, paguan kontribute ai dhe punëdhënësi ose vetëm ai, po të jetë i vetëpunësuar; mbi bazën e këtyre kushteve, pra 67 vjeç ose 62 vjeç me 40 vite pune me siguracion dhe 20 ose 15 vjet minimumi, do të marrë një pension siç e merr kushdo që punon në Greqi dhe paguan sigurimet shoqërore.

TV TRIBUNA: Nëse dikush nuk ka 4.000 ensima, po ka 3.000, këto do të mund të përllogariten për pensionin kombëtar?

SAVVAS ROBOLIS: Jo. Sipas ligjit, këto nuk përllogariten; ai nuk do të mundet të marrë pension. Mirëpo do të marrë Kompensimin e të Moshuarit të Pasiguruar, pasi të mbushë 67 vjeç dhe vlera e këtij kompensimi do të jetë 350 euro.

Përderisa nuk përmbush kushtin për 15 ose 20 vitet, legjislacioni ofron mundësinë që të marrë këtë kompensim të të Moshuarit të Pasiguruar, që ua ofron sistemi atyre që janë mbi 67 vjeç.

TV TRIBUNA: Për mendimin tim do të ishte padrejtësi e madhe për këtë kategori emigrantësh, në momentin që shumica e tyre i kanë paguar ensimat nga xhepi pasi ensimat ishin kusht për rinovimin e lejes së qëndrimit. Kur paguan nga xhepi dhe nuk merr diçka në këmbim të kësaj, sigurisht që është e padrejtë. Por ky kompensim, me sa kuptoj, e balancon disi këtë padrejtësi...

SAVVAS ROBOLIS: Jo vetëm për emigrantët, por edhe për grekët... P.sh., unë këtë javë takova dy njerëz që kanë këtë problem, nuk kanë mbushur 15 vitet dhe detyrimisht do të përfshihen në kategorinë që ju thashë, me kompensimet pas moshës 67 vjeç. Dhe kjo ndodh ngaqë sistemi grek i sigurimeve shoqërore, besoj se është i vetmi sistem në Europë që nuk i kthen mbrapa paratë, nëse nuk përmbush limitet minimale të kushteve. Domethënë, nëse je në një vend tjetër, në Suedi, në Norvegji, në Gjermani apo në Francë, dhe ligji thotë që duhet të kesh 15 vjet dhe ti ke 10 vjet, ato para që ke paguar për 10 vjet, sistemi t’i kthen ty.

Këtu në Greqi kjo nuk bëhet, të paktën deri më sot. Dhe ndoshta ligjvënësi vendosi ta kompensojë këtë mungesë me dhënien e këtij kompensimi për të Moshuarin e Pasiguruar...

TV TRIBUNA: Kërkoj mirëkuptimin tuaj, pse ndoshta insistoj në disa gjëra, dhe mund t’ju bëj edhe pyetje që duken të çuditshme. Mirëpo e kam vënë veten në vendin e mijëra bashkatdhetarëve tanë, të cilët me siguri do të donin t’ju bënin pyetjet e tyre. Pra, duke e vënë veten në vendin e një emigranti X, doja t’ju bëja një pyetje tjetër: Një qytetar shqiptar, i cili punoi 20 vjet në Greqi dhe bëri 3.000, 3.500 ensima...

SAVVAS ROBOLIS: 20 vjet do të thotë 6.000 ensima...

TV TRIBUNA: Po, po ai nuk ka mundur të ketë siguracion për 20 vjet, pse siç e dini, në 1998 nisi procesi i legalizimit... Tjetër dua të pyes: Nëse dikush i cili i përmbush kushtet, por tashmë është kthyer në Shqipëri, mund të pretendojë pension nga Greqia në momentin që mbush 67 vjeç?

SAVVAS ROBOLIS: Sigurisht, sigurisht. Mund të pretendojë pension. Sipas ligjit do të marrë ato që do të marrë, dhe nga përvoja që kemi, përderisa jeton në një vend tjetër dhe merr pension dhe nga ai vendi tjetër, vendi në të cilin ka punuar (në rastin konkret Greqia), nuk do t’i japë pensionin kombëtar, domethënë, 384 eurot. Ai do të marrë shumën që i korrespondon për kontributet që ka paguar ai dhe punëdhënësi i tij gjatë kohës që punonte këtu. Kjo nëse merr pension nga vendi tjetër. Nëse nuk merr pension nga vendi tjetër, atëherë nga vendi pritës, pra Greqia, do të marrë edhe pensionin që i takon në bazë të kontributeve që ka paguar, por edhe pensionin kombëtar që financohet nga buxheti i vendit pritës. Për ta përmbledhur: ai që jeton në Shqipëri dhe merr një pension nga Shqipëria, nga Greqia do të marrë pensionin për vitet me siguracion që i korrespondojnë dhe jo pensionin kombëtar. Në rast se jeton këtu dhe nuk merr pension nga Shqipëria, do të marrë edhe pensionin kombëtar.

Unë besoj se ajo që duhet të përpiqen si emigrantët, por edhe grekët, duhet të kërkojnë punën e deklaruar dhe me siguracion dhe jo punën e padeklaruar dhe pa siguracion – siç ndodh jo rrallë pas vitit 2010 dhe krizës që pasoi. Këtë duhet ta pretendojnë.

Dhe elementi i dytë që duhet të kërkojnë në mënyrë kolektive, është që të ushtrojnë trysni ndaj të dy vendeve që të avancojnë në fillimin e bisedimeve për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërshtetërore për sigurimet shoqërore.

TV TRIBUNA: Një pyetje me karakter praktik: Dikush që ka 4.300 ensima le të themi, a mund të përfshihet në atë që quhet “kohë plazmatike siguracioni”, derisa t’i plotësojë e të shkojë te 4.500?

SAVVAS ROBOLIS: Mund të shkojë te 4.500 po të ketë disa vjet i regjistruar si i papunë, domethënë mund të njihen që të plotësojnë 4.500-shen. Gjithashtu disa vite mund të blihen. Të gjitha këto përfshihen në legjislacionin për sigurimet shoqërore. Mirëpo, nëse ka 2.000 ensima apo edhe 3.000, derisa të shkojë tek 6.000 apo te 4.500 blerja e ensimave do të jetë jashtëzakonisht e shtrenjtë.

TV TRIBUNA: Thamë që nga pensioni kombëtar zbritet pensioni që merr në vendin tënd, nëse merr...

SAVVAS ROBOLIS: Pikërisht. Nëse merr pension nga shteti, në vendin tjetër ku je emigrant, do të marrësh vetëm pensionin që të korrespondon në bazë të kontributit për siguracion dhe pagës që ke deklaruar ti dhe punëdhënësi yt. Domethënë, nuk mund të marrësh dy pensione kombëtare, nga dy buxhete shtetërore.

TV TRIBUNA: Më thatë për një studim që keni kryer për situatën e pensioneve në 2018-2070. A mund të më tregonin disa nga rezultatet?

SAVVAS ROBOLIS: Sigurisht. Kemi tani edhe përfaqësuesit e kreditorëve, diskutimet që po bëhen për reduktimin e mëtejshëm të pensioneve pas 1 janarit 2019. Në këtë studim ne tregojmë se nuk është e nevojshme që të reduktohen pensionet nga 1 janari 2019. Nuk krijojnë problem as për jetëgjatësinë e sistemit deri në 2070, domethënë nuk i krijojnë deficite sistemit. Nuk krijojnë problem për zhvillimin ekonomik. Përkundrazi, e ndihmojnë zhvillimin nëpërmjet shpenzimit të pensionit përmes procesit të konsumit.

Mirëpo, ajo që veçojmë, jo vetëm në Greqi, por në gjithë botën, është se me ligjet që u votuan jo vetëm në Greqi, por edhe në vende të tjerë, në shpenzimet për pensionet kanë vënë një tavan nga BE që mos të kalojë 16% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Këto shpenzime në Greqi në 2070 do të jenë 10,6%, që në raport me 2016-n ka një diferencë shumë të madhe. Mesatarja e BE-së duket se do të jetë (në 2070) 11,4%. Kjo çfarë do të thotë? Do të thotë që vendimi dhe strategjia politike është që shpenzimet për pensionet t’i mbajnë të ulëta, por nga ana tjetër ulen edhe pensionet. Për Greqinë kemi parë që deri në 2050, 2060, pensioni mesatar, kryesor dhe suplementar së bashku, do të jetë 900 euro. Në vendet e tjerë të Europës do të jetë analog dhe në varësi të nivelit të jetesës, inflacionit, etj.

Ne, si grup studimor, themi që duhet të ndryshojë ky legjislacion. Nuk themi që shpenzimet duhet të kalojnë 16 për qindshin, të mbetet te 16%. Por nga momenti që kemi hapësirë që nga 10,3% të shkojë te 13%, 14%, do të duhet që kjo gradualisht të bëhet, me qëllim që të sendërtohet edhe ajo që thotë kushtetuta greke dhe gjithë kushtetutat, që shteti garanton sigurimet shoqërore të qytetarëve të tij, por me kushte të një jetese me dinjitet për pensionistët.

Rrjedhimisht, ne konsiderojmë që me 900 euro pension në Greqi deri në vitin 2060, do të rritet varfëria, do të rritet numri i njerëzve që jetojnë nën nivelin e varfërisë. P.sh., në vitin 2009, një në katër grekë ishte i varfër. Sot është një në tre grekë dhe po të vazhdohet kështu kjo situatë -posaçërisht për pensionistët- do të shkojmë në raportin një i varfër ndër dy grekë. Rrjedhimisht, besoj se nuk mundet që një shoqëri  dhe një ekonomi të thotë që “kam sistem të qëndrueshëm sigurimesh, por pensionistët dhe të siguruarit nuk kanë një nivel jetese dinjitoz dhe jetojnë në kushte varfërie”. Besoj se kjo është një antitezë serioze dhe nevojitet qysh tani, edhe në Greqi, por edhe në vendet e tjera anëtare, e gjithë kjo perspektivë e zymtë të ndryshohet dhe të përmirësohet.

TV TRIBUNA: A shpresoni se kjo do të ndryshojë vërtetë? Sepse, ndërsa ju po më flisnit, unë parafytyroja fëmijtë e mi që janë sot 19 vjeç...

SAVVAS ROBOLIS: Sa për fëmijtë tanë... Ne kur punonim, i dhamë sistemit kontribute për siguracionet, le të themi 100 njësi dhe sistemi na ktheu 80. Tani ky kthim ka rënë dhe ka shkuar 50 me reduktimin e pensioneve. Brezi i ri, kështu siç është sot legjislacioni për sigurimet shoqërore, do të japë 100 njësi dhe sistemi do t’i kthejë 48. Rrjedhimisht vërejtja dhe komenti im është që, ky sistem që u krijua me ligjet e imponuara nga kriza, është më shumë një sistem tatimor se sa një sistem sigurimesh shoqërore. Domethënë, është një sistem që më shumë i intereson të inkasojë para, se sa të inkasojë para dhe t’u kthejë të siguruarve atë që duhet t’u kthejë. Nuk them të marrësh 100 e të japësh 100. Mirëpo mund të marrësh 70, 75, ashtu siç ishte. Pjesa tjetër mbetet brenda që të financojë sistemin, nëpunësit dhe drejtuesit, si dhe të krijohet një kapital rezervë për brezat e ardhshëm.

Si rrjedhojë, alternativat dhe strategjitë janë dy:

- Ose do të themi që kemi një sistem të qëndrueshëm në pikëpamjen ekonomike, mirëpo të siguruarit dhe pensionistët do të jenë të varfër;

- Ose do të themi që kemi një sistem të qëndrueshëm dhe njëkohësisht kemi të siguruar dhe pensionistë që jetojnë në mënyrë dinjitoze.

Dhe besoj se të paktën nga pikëpamja shkencore, ky ekuilibër që kemi thënë, pra sistem i qëndrueshëm por jetesë me dinjitet, mund të mbështetet dhe të garantohet.

TV TRIBUNA: Le të shpresojmë që zëri juaj do të dëgjohet nga politikanët jo vetëm në Greqi, por në gjithë Europën, sepse mendoj që problemi është mbareuropian...

SAVVAS ROBOLIS: Pikërisht, është një problem europian. Dhe besoj se këtë e shikojmë tani edhe me zhvillimet politike dhe me rezultatet e zgjedhjeve në gjithë vendet europiane. Sepse në gjithë vendet e Europës, pas viteve 2000 janë kufizuar së tepërmi edhe shpenzimet publike, por akoma më shumë shpenzimet sociale.

Ndaje me miqte