Kolegji Zgjedhor: Vendoret më 30 Qershor
Zëri i Amerikës
24 Qershor 2019
Në Shqipëri Kolegji zgjedhor i dha sot të drejtë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) i cili e konsideroi të pavlefshëm dekretin e Presidentit Ilir Meta për anullimin e 30 Qershorit si datë të zgjedhjeve vendore, dhe vijoi me përgatitjen e procesit. Vendimi i Kolegjit në fakt kishte të bënte më rrëzimin e padisë së bërë nga Partie e Unitetit Kombëtar e cilë kishte kërkuar çrregjistrimin nga zgedhjet për shkak të dekretit të Kreut të Shtetit
“Kolegji zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë, pasi kthehet nga Dhoma e këshillimit, vendosi përfundimisht: Rrëzimin e paditësë së paditësit Partia e Unitetit Kombëtar. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim”, njoftoi trupa me 5 gjyqtarë në përfundim të seancës së sotme.
Ishte pikërisht Partia e Unitetit Kombëtar (PUK), e cila vuri në lëvizje Kolegjin, pasi më parë i kishtë kërkuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të çrregjistrohej nga pjesmarrja në zgjedhjet vendore, duke qenë se Kreu i Shtetit kishte vendosur anullimin e 30 Qershorit. Por KQZ-ja e kishte rrëzuar këtë kërkesë. Duke njohur si të drejtë, vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, lidhur me kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar, Kolegji praktikisht ka njohur 30 Qershorin si datën e zhvillimin të zgjedhjeve vendore.
Sipas kryetarit të Partisë së Unitetit Kombëtar Idajet Beqiri, “ky ishte dhe thelbi i padisë sonë. Ne këtë i kërkuam Kolegjit: Nëse Dekreti i presidentit është i ligjshëm pasi është botuar në Fletoren zyrtare, atëherë ne duhet të çrregjistrohemi e s’mund të vazhdojmë më tej. Në rast se Kolegji thotë se ky dekret është absolutisht i pavlefshëm dhe zgjedhje do të ketë në 30 Qershor, atëherë ne të vazhdojmë të garojmë”
Partia e zotit Beqiri është në koalicion me socialistët në këto zgjedhje dhe padia e tij, ngjan të jetë një përpjekje e shumicës për të vënë në lëvizje një mekanizëm institucional si Kolegji, ndërkohë që ajo vetë e kishte konsideruar që në fillim si një akt në shkeljeje të kushtetutës vendimin e presidentit Meta.
Argumentat juridikë, mbi bazë të të cilave, Kolegji mori vendimin e sotëm, nuk janë bërë të ditur, dhe pritet të zbulohen ditët e ardhshme, kur të publikohet vendimi i arsyetuar i Kolegjit.
Opozita shqiptare kishte vlerësuar paraprakisht se Kolegji nuk kishte kompetencën për të vlerësuar dekretin e Presidentit, i cili sipas saj mund të interpretohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, e cila është jashtë funksionit për momentin. Dhe sot, pas një mbledhjeje të zotit Basha me aleatët, njëri prej tyre Dashamir Sheshi deklaroi se vendimi i sotëm nuk ndryshon asgjë në strategjinë e opozitës: “Në Kolegj janë disa fatkeq që u ka rënë rasti të marrin disa vendime të vështira, pë rata vetë, jo për ne, se ne nuk i njohim më këto vendime. Javën e ardhshme ne do të shkojmë në çdo cep të Shqipërisë për t’u përballur me këtë juntë e re politike apo çfarëdo emri që mund t’i vëmë. Ne këto zgjedhje nuk i njohim dhe në datë 30 nuk do të ketë votime”.
Nga presidenca pati vetëm një reagim të shkurtër të zëdhënësit Tedi Blushi, sipas të cilit, akti i sotëm i Kolegjit nuk përbën “asnjë suprizë nga skeçi i radhës i orkestruar prej kohësh”.
Ndaje me miqte