0030 210 33 18 483

Le të flasim për krimin...

Juli NDRIKO 15 Maj 2021

Duket se fjala “vrasje” është aq shumë e artikuluar, sa teksa dëgjojnë një të tillë njerëzve iu duket e njëjtë me fjalën blerje apo pushime. Vrasja harrohet shpejt gjithkund, përveçse në shtëpitë e viktimave...

Tre ditë më parë një vrasje tronditi Elbasanin, qytetin që gjendet në zemër  të Shqipërisë. Everest Çeka, 41 vjeç, u ekzekutua në mes të qytetit, në një atentat të mirëorganizuar teksa udhëtonte me makinën e tij dhe në të gjendej njëherësh edhe bashkëshortja. “Plumbat binin breshëri”- deklaroi bashkëshortja e Çekës, që i shpëtoi, pa rrezik për jetën, goditjeve të plumbave.

Po brenda javës në Vlorë dhe në Shkodër pati sërish ekzekutime, sërish në skena të ngjajshme, sërish me viktima, duke na treguar se krimi nuk gabon.

Për të tre ngjarjet mund të themi se ato bashkohen nga fakti se të tre vrasjet i ngjanin skenave të para në filma, atentatorët nuk gabuan dhe ishin specialistë të armëve, gjithçka rezultoi e llogaritur me saktësi ekstreme dhe në të tre rastet policia nuk ka ende asnjë gjurmë të vrasësve. Por në të tre vrasjet ka një pistë sipas deklaratave zyrtare të polocisë: vrasje për shkak të larjes së hesapeve për veprimtari të paligjshme.

Dukshëm deklaratat e policisë për secilën vrasje janë po aq të ngjashme sa skenat e krimit. Reagimi i vetëm për çka ndodh në territorin shqiptar është ai i Zëvendëskryeministrit Erion Braçe në faqen e tij Facebook, që e lidh krimin me armët që gjenden kollaj në Shqipëri dhe krimin e armëmbajtjes pa leje dhe deklaron se tregu i armëve “...nis me policë të korruptuar që tradhëtojnë ligjin dhe kolegët e deri tek prokurorët dhe gjykatësit që janë ende në sistem”. Asnjë fjalë për policinë, asnjë fjalë për përgjegjësit, asnjë fjalë për strukturat shtetërore që duhet të sigurojnë rendin dhe sigurinë në vend.

Dhe si përherë aty ku mungon shteti, krimi hedh valle. Me këtë shpjegohet situata kriminale në vend, në një vend, ku detajet e krimit diskutohen nëpër ekrane televizionesh, policia hesht dhe autorët e krimit vazhdojnë të jetojnë të lirë, derisa një tjetër dorë kriminale t’i vrasë dhe ata dhe një deklaratë e ngjashme policore për vrasje dhe larje hesapesh të artikulohet sërish.

Nëse do të jemi në terren, duket se fjala “vrasje” është aq shumë e artikuluar, sa teksa dëgjojnë një të tillë njerëzve iu duket e njëjtë me fjalën blerje apo pushime. Vrasja harrohet shpejt gjithkund, përveçse në shtëpitë e viktimave. Harrohet me të  njëjtën lehtësi si ajo e dy javëve më parë po në Elbasan, në fushatën zgjedhore, ku krimi ndodhi teksa gjithë policia gjendej në shesh për të siguruar rendin elektoral.

Por ndërsa vrasjet në vend janë kthyer në një normalitet deklaratat e ndërkombëtarëve janë shqetësuese. Për ta Shqipëria quhet “Kolumbia e Evropës”, dhe quhet e tillë si për kultivimin e kanabisit ashtu dhe për faktin se është është shndërruar në korridor të rëndësishëm të transportit të narkotikëve, e kryesisht edhe të drogave të forta si heroina e kokaina.

Raporti i fundit i Global Initative e rendit Shqipërinë si prodhuesin më të madh të kanabisit në Ballkanin Perëndimor, vend transporti të drogës dhe bandat shqiptare që operojnë në tregun Evropian të narkotikëve, si më të organizuarat dhe më të egrat.

Nëse do të referoheshim tek pagesat për drogën ku një kilogram kokainë kushton, 3500- 5000 euro, kanabisi nga 1200-2000 euro e kështu me rradhë është e qartë arsyeja e lulëzimit të këtij aktiviteti kriminal.

Por asnjë shumë monetare, sado e lartë që mund të jetë nuk justifikon dot rritjen e kriminalitetit, nëse ai nuk mbështetet nga strukturat shtetërore. Dhe ndonëse duam të besojmë në deklaratën e Braçes se krimi e ka bazën dhe zhvillohet me policë të korruptuar që tradhëtojnë ligjin dhe deri tek prokurorët dhe gjykatësit që janë ende në sistem, besojmë fort se ka shumë më tepër se kaq.

Kështu, sipas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2020, korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar...Edhe pse Kushtetuta ka parashikuar një gjyqësor të pavarur, presioni politik dhe korrupsioni ka ndikuar edhe në një gjykim të drejtë”.

Situatës korruptive që ushqen krimin, i shërben edhe rritja e ngadaltë në vend, pagat e ulta që orjentojnë punën edhe drejt drogës dhe dëshirës mbarëkombëtare për të lënë vendin. Dhe këtu nuk flitet për shtresat e margjinalizuara, por për një hemorragji të shtresës së mesme, që po boshatis tregun vendas të punës dhe që nuk mund të mbushet dot kaq lehtësisht me punëtorët e huaj, që sipas deklaratave të Kryeministrit, po mirëpriten në vend.

Përtej deklaratave për përparim duket se krimi i të gjitha llojeve dhe përmasave ka ngadalësuar seriozisht edhe ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe çështja e drogës ka një ndikim aq të madh sa Franca dhe Hollanda duan të bllokojnë udhëtimin e shqiptarëve pa viza në vendet e tyre.

Në këto kushte vëmendja e politikës nuk duhet të jetë tek lufta politike mes vedi, por tek gjetja e diagnozës së duhur dhe dhënia e zgjidhjeve të duhura. Dhe kjo shkon përtej ndërrimit të një emri drejtues policie si ajo që ndodhi në Elbasan. Kjo kërkon vullnet dhe aksion dhe, mbi të gjitha, angazhim për ta nxitur zhvillimin e vendit jashtë financimit të parave të drogës dhe korrupsionit.

Nëse, siç dhe deklaroi në fushatë dhe pas saj, Edi Rama kërkon vërtetë ta ngjisë Shqipërinë në majat më të larta ku e ka vendosur Zoti, shkëputja nga krimi është hapi i parë dhe i domosdoshëm.

Ndaje me miqte