0030 210 33 18 483

Luan Xhuli, shqiptari që është ngjitur në elitën e poezisë bashkëkohore greke

Tribuna TV 22 Mars 2018

Shtëpia Botuese greke, “Topos” organizoi në Athinë prezantimin e përmbledhjes poetike të poetit shqiptar Luan Xhuli “Gymnos” (Lakuriq).

“Kësaj here, në aktivitetin e tij poetik, Luan Xhuli preferon të jetë “Lakuriq”. I zhveshur, me të vërtetat e tij, që i mbron me një zell erotik dhe fetar”, vë në dukje shtëpia botuese në një vështrim të shpejtë mbi librin e ri të Xhulit.

Luan Xhuli ka ardhur në letrat greke si risi më vete.

Ai nuk e njihte gjuhën greke para se të emigronte. Që nga viti 2003 ka botuar në greqisht gjashtë libra poetikë, duke u dëshmuar vazhdimisht si një shkrimtar i formuar, një zë i veçantë në arenën e letërsisë.

Sot, emri i tij përmendet vazhdimisht me konsideratë të lartë nga kritika letrare greke dhe poezia e tij është përfshirë në mjaft prej antologjive të poezisë bashkëkohore vendase.

Krahas botimeve në Greqisht. Luan Xhuli ka botuar në gjuhën amtare dhe shumë libra në poezi dhe prozë.

Në veprimtarinë për prezantimin e “Gymnos” që u zhvillua në Librarinë Epi Lexis, merrnin pjesë shkrimtarë e poetë grekë dhe shqiptarë, dashamirës të letërsisë, miq e të afërm të autorit.

Shkrimtari i njohur grek, Janis Ksanthulis -redaktor i gjithë librave poetikë të Xhulit në greqisht, tregoi aspekte të punës së përbashkët, që nga momenti kur poezitë ndodhen në dorëshkrim e derisa mbërrijnë në duart e lexuesit.

“Poezia e Luan Xhulit shkakton një emision të veçantë, që pasqyrohet te ajo që e quajmë “damar autentik poetik”. Dhe atëherë mendoj se sa duhet të jenë munduar fantazimet e tij poetike në greqisht që fshehin këtë dinamikë dhe të revokojnë sensibilitete kaq të rralla, duke e fluturuar përditshmërinë e tij apo temat e tij, në parametrat e një krijimtarie poetike të papandehur, përtej gjithë kufijve konvencionalë”, tha ndër të tjera romancieri i njohur grek.

Poetja dhe kritikja letërsisë, Elsa Korneti, e ka analizuar edhe më herët, në shtypin grek, krijimtarinë poetike të Luan Xhulit.

“Poeti ndihet i ndryshëm, jo vetëm ngaqë ndihet emigrant dhe i huaj, por sepse si artist dhe gjegjësisht si poet sjell diçka të ndryshme dhe përgjithësisht tragjikomike për mjedisin që e rrethon dhe që është i zhytur në gjoja normalitetin e vet”, tha ndër të tjera Elsa Korneti, duke konkluduar se:

“Luan Xhuli është një nga “kopshtarët kokëfortë“ të letrave greke, përderisa insiston “të mbjellë” me sukses poezi në një gjuhë tjetër”. Dhe e ilustroi këtë mendfim të sajin me disa vargje të Xhulit.

“Mbeta lakuriq ndaj foljeve / dhe tani druaj se nevojitet të ndryshoj / mendime dhe atdhe... / Një ditë u bëra i huaj siç jam në të vërtetë, /  edhe pse besoja se kisha pasaportë dashurie”...

Botuesi i librit, Vangelis Georgakakis, tha se “ndokush do të mund të thoshte se botimi i këtij libri ishte një gjest  miqësor i botuesit”. Dhe shtoi: “Absolutisht jo! Sepse tashmë nuk jemi vetëm ne që evidentojmë individualitetin e veçantë të poezisë së Luan Xhulit. Individualiteti i tij është pranuar nga kolegët dhe kritikët jo vetëm në Greqi, por edhe jashtë. Rrjedhimisht, ky libër e meritonte që të botohej. Këtë do ta konstatoni edhe ju, kur të lexoni këto poezi”.

Gazetari dhe shkrimtari Robert Goro, tha se për herë të parë u njoh me emrin dhe krijimtarinë e Luan  Xhulit në vitin 2003, kur janis ksanthulis botoi në gazetën e madhe “Elefterotypia”, një shkrim për librin e parë në greqisht të Luanit, “Mbaj era mollë”.

U impresionova nga fakti që një gazetat më të mira greke shkruante me superlativa për një poet shqiptar, për një emigrant shqiptar, në kohën që stereotipet për shqiptarët, edhe pse kishin nisur të zbuteshin, mbeteshin megjithatë intensive në ndërgjegjen e shoqërisë greke”, tha Goro, për të shtuar:

Si gazetar do të thoshja se Luan Xhuli përbën një shembull konkret të integrimit kulturor dhe të pranimit absolut nga pjesa më e shëndoshe dhe më përfaqësuese e shoqërisë greke. Ndërsa si dashamirës i letrave do të veçoja që e gjithë krijimtaria e Xhulit, poezitë, por edhe tregimet e tij të botuara në gjuhën amtare, mbartin ndjeshmërinë e poezisë bashkëkohore greke dhe ndjenjën sociale që gjejmë në poezinë cilësore shqipe që nga mesi i viteve 1980”, theksoi Robert Goro.

Aktorja shqiptare VEFI REDHI, e cila bën një karrierë të suksesshme në Greqi, recitoi poezi nga libri.

Dukshëm i emocionuar poeti Luan Xhuli falënderoi gjithë të pranishmit. Me kërkesën e miqve grekë, ai recitoi dhe një poezi në gjuhën shqipe.

Kush është Luan Xhuli

U lind në Bilisht, në 1955. Kreu studimet e larta për biokimi.

Që nga viti 1995 jeton familjarisht në Athinë.

Përmbledhjen e parë poetike në greqisht, “Mbaj era mollë”,  e ka botuar në 2003.

Që atëherë ka botuar:

Biografia e syve (2006)

Ku të kërkoj ndjesë (2009)

Shën Tradhëtari (2014)

Lakuriq (2017)

Qiparisi që u mat me qiellin (letërsi për fëmijë, 2008).

Ndaje me miqte