0030 210 33 18 483

Marrëveshja me Shqipërinë, Kotzias: Ujërat territoriale do t"??i shtrijmë gradualisht në 12 milje

Tribuna TV 01 Korrik 2018

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se Greqia dhe Shqipëria ndodhen në përfundim të negociatave për marrëveshjen e delitimit të zonave ekskluzive ekonomike.

“Ka pasur një negociim më të hershëm, kemi një vendim të gjykatës kushtetuese të Shqipërisë për një zbatim jo të saktë të së drejtës ndërkombëtare, pati disa çështje teknike dhe tashmë jemi në përfundim të këtyre negociatave”, tha Kotzias gjatë një interviste për radion vendase News 24/7, të enjten.

Ministri i jashtëm grek dha edhe disa detaje lidhur me pritshmëritë e Athinës nga këto negociata.

“Ne duam të kemi 100% influencën mbi ishujt, posaçërisht atyre që janë sipër Korfuzit e para së gjithash Otonoit. E them këtë sepse, në marrëveshjen e vitit 2009, e morëm influencën 100%. Por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bëri një konstatim: se në marrëveshjen që bëri Kostandinos Karamanlis në 1997 për shelfin kontinental me Italinë, influenca që vetë Karamanlis i dha Otonoit ishte 70%. Rrjedhimisht ka një vështirësi ligjore, por besoj se do ta kapërcejmë në maksimum”, tha Kotzias.

Sa i përket shtrirjes së mëtejshme të ujërave territoriale në 12 milje, ministri i jashtëm grek tha se kjo do të bëhet gradualisht. Ai e barazoi këtë lëvizje me një zgjerim të horizontit territorial.

“Do të jetë hera e parë që Greqia, pas dekadash, do të zgjerojë horizontin e saj territorial”.

I pyetur nëse delitimi i zonave ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, do të influencojë edhe përqasjen ndaj mosmarrëveshjeve greko-turke, Kotzias u përgjigj:

Do të fillojmë nga Shqipëria që kemi delimitimin e ZEE dhe shpresoj të mos kemi keqkuptime nga ana e Turqisë, sepse do të avancojmë dalëngadalë”.

Në intervistë, ministri i jashtëm grek mohoi edhe njëherë kategorikisht që në negociatat me Tiranën të jetë diskutuar çështja çame.

“Nuk diskutuam kurrë dhe as pranova ndonjëherë të diskutojmë në këtë marrëveshje paketë çështjen çame. Të jemi të qartë”.

Kotzias shtoi se janë tjetër gjë pasuritë e mbajtura në sekuestro nga ligji i luftës, dhe tjetër pronat e çamëve.

“Është tjetër gjë kur shteti grek tha ‘kjo pasuri shqiptare, përderisa jemi në luftë vihet nën sekuestron time dhe nuk mund ta përdorë armiku dhe kur të mbarojë lufta do të shohim si dhe nëse do t’ia kthejmë apo jo. Dhe janë tjetër gjë pasuritë që u konfiskuan për shkak të bashkëpunimit me armikun, domethënë me nazizmin gjerman dhe fashizmin italian, nga grupi i liderëve çamë kryesisht në Thesproti”.

Duke komentuar reagimet në Greqi sipas të cilave me marrëveshjen Athinë-Tiranë, do t’u dorëzojë shqiptarëve krahinën e Thesprotisë që do të quhet më pastaj Çamëri, Kotzias i cilësoi si “absurditete”.

“Kjo është retorika e urrejtjes dhe e absurditetit. Dhe duhet ta presin. Sepse nuk i shërben vendit, por vetëm interesave idiote të tyre”, ka përfunduar Kotzias.

Ndaje me miqte