0030 210 33 18 483

Miratohen ndryshimet për marrjen e nënshtetësisë. PASOK: “Diskriminohen përfituesit jo grekë”

Tribuna TV 30 Mars 2018

Parlamenti grek ka miratuar mbrëmjen e të enjtes amendamentet e paraqitura nga ministria e brendshme, për të cilat TV Tribuna kishte informuar bashkatdhetarët javën e kaluar.
Amendamentet e reja përmbajnë:
1. Rritjen e periudhës së qëndrimit në Greqi, nga 7 në 12 vjet, si kusht për marrjen e nënshtetësisë me procedurën e natyralizimit (politografisi). 12 vitet e qëndrimit do të duhet të jenë plotësuar para se i interesuari të paraqesë aplikimin. Ndërkaq, emigranti që do të aplikojë nuk nevojitet të ketë leje qëndrimi “të fuqishme”, siç kërkohej deri tani, por mjafton çdo leje e vlefshme qëndrimi, me përjashtim të provizoreve.
2. Për marrjen e nënshtetësisë greke me lindjen apo ndjekjen e mësimeve në Greqi, tashmë përfitojnë edhe ata që kanë ndjekur një shkollë të huaj në Greqi, por që e cila duhet gjithsesi të ketë zbatuar programin grek të arsimit të detyrueshëm.
3. Çertifikatat me gabime tash e tutje nuk do të jetë nevoja të korrigjohen me vendime gjyqësore. Ato do të bëhen me një akt të kryetarit të bashkisë, siç kishte kërkuar me insistim organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja” dhe kishte propozuar në mënyrë të argumentuar pranë qeverisë, kryetari i kësaj organizate, Fatos Malaj.

Diskriminimi...
Një tjetër amendament lidhet me mundësinë e punësimit në sektorin publik të përfituesit të nënshtetësisë me politografisi. Ligji i mëparshëm kërkonte që duhej të kalonte një afat njëvjeçar që këta të përfitonin këtë të drejtë. Amendamenti e heq këtë periudhë njëvjeçare për homogjenët nga Shqipëria, ata me origjinë nga Stambolli, ishujt Imbros dhe Tenedos, si dhe nga Qipro.
Para votimit, pesë deputetë të PASOK-ut dorëzuan një projektamendament, me anë të të cilit kërkohej që të hiqeshin “klauzolat që në kundërshtim me Kushtetutën përjashtojnë për një vit qytetarë grekë nga pjesëmarrja në konkurrime për punësimin e tyre në sektorin publik dhe në administratën e pushtetit lokal”.
Në arsyetimin e kërkesës së tyre, pesë deputetët (Kefalidhou Hara, Evi Hristofilopoulou, Ahmet Ilhan, Georgios-Dimitrios Karras, Papatheodorou Theodoros), e argumentojnë kështu propozimin e tyre:
“Është pranuar në mënyrë të parevokueshme nga gjykatat greke interpretimi dhe zbatimi i nenit 4 të Kushtetutës, se me marrjen e nënshtetësisë greke krijohet një situatë e re juridike për atë që kryen natyralizimin (politografisi), i cili njëjtësohet tërësisht me poseduesin e nënshtetësisë greke nga origjina dhe rrjedhimisht, përfiton gjithë të drejtat dhe ka të gjitha detyrimet që përcaktojnë statusin juridik të shtetasit grek. Posaçërisht është pranuar që i natyralizuari si shtetas grek, gëzon që nga kryerja e natyralizimit, të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur në zgjedhjet parlamentare (neni 51, paragrafi 3 dhe neni 55 paragrafi 1 i Kushtetutës), si dhe detyrimin gjithashtu kushtetues që të kontribuojë në sferën publike, të kryejë shërbimin ushtarak (neni 4, paragrafi 5 dhe 6 i Kushtetutës). Gjithashtu, sipas nenit 4 që është themelor në Kushtetutë dhe përfshihet në dispozitat e parevizionueshme të Kushtetutës, është antikushtetues dallimi i shtetasve grekë sipas origjinës së tyre kombëtare”.
Mirëpo, propozimi i pesë deputetëve të opozitës së qendrës së majtë nuk u pranua nga maxhoranca.
Vasilis Hronopoulos, nga departamenti i të drejtave të njeriut në PASOK, komentoi për TV Tribuna se “ka diskriminim pa precedent i qytetarëve grekë nuk ka absolutisht asnjë arsyetim të ligjshëm dhe duhej të hiqej, që të bëjmë një hap përpara”.
Njëlloj edhe aktivisti i njohur, pedagogu i Universitetit Panteios dhe president i Federatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Dimitris Hristopoulos: “Ishte absolutisht e drejtë iniciativa e pesë deputetëve dhe shumë keq që nuk u përfshi në amendamentet e miratuara”.

Ndaje me miqte