Mitsotakis precizon kushtet për Tiranën, edhe pakti detar...
Robert GORO
23 Tetor 2019
Një javë para takimit të pritshëm me homologun e vet shqiptar Edi Rama, shefi i qeverisë greke, KyriakosMitsotakis, ka precizuar kushtet që Athina ka për Tiranën.
Sipas tij këto nuk lidhen vetëm rrugëtimin europian të Shqipërisë, por edhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve.
Bën përshtypje, që zoti Mitsotakis ka përfshirë në këto tre kushte, edhe delimitimin e zonave detare.
Duke folur në një tryezë të rrumbullakët në Selanik, shefi i qeverisë greke ka përsëritur mbështetjen e Greqisë ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke shpjeguar edhe arsyen e këtij qëndrimi.“Greqia është në favor të rrugës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm pse kjo e shndërron këtë perspektivë në një faktor stabiliteti në rajon, por edhe sepse bëhet një levë demokratike presioni për modernizimin e nevojshëm të fqinjëve tanë dhe për zgjidhjen e problemeve tona dypalëshe”, nënvizoi Mitsotakis.
Kryeministri grek shtoi se për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Athina kërkon përmbushjen e dy parametrave specifikë, që siç tha, ua parashtroi edhe liderëve të Bashkimit Europian.
“Si me të gjithë, edhe me Shqipërinë, synojmë marrëdhënie të mira fqinjësie. Nuk duhet të harrojmë se Greqia priti një numër të madh emigrantësh ekonomikë, duke ndihmuar esencialisht rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë. Hapësirat për bashkëpunim janë të mëdha. Mirëpo, kushti për t’u hapur në një moment rruga europiane e Shqipërisë, është respektimi i minoritetit grek dhe i të drejtave të tij. Kusht është ndalimi i çdo parrulle që nuk bazohet në të vërteta historike. Dhe sigurisht, edhe qasja e sinqertë për delimitimin e zonave ekskluzive ekonomike në detin Jon, një proces që ishte finalizuar që nga viti 2009, mirëpo atëherë u tërhoq Tirana”.
Për Maqedoninë e Veriut, Mitsotakis ka përsëritur se ai vazhdon të besojë që marrëveshja e Prespës është negative për Greqinë. Mirëpo ka theksuar që ai nuk don që të krijojë probleme për vendin e tij.
“Vazhdoj të besoj se marrëveshja e Prespës ishte një pakt negativ për vendin tonë. Votova kundër, por duke paralajmëruar me ndershmëri grekët se çfarë rrjedhojash kishte nënshkrimi i saj. Por nuk do ta ekspozoj vendin në aventura. Pa rriskuar as destabilitetin më të vogël, do të monitorojmë ngushtësisht detyrimet e fqinjëve tanë, korrektesën e tyre ndaj detyrimeve që kanë. Dhe sigurisht, zgjidhjen e problemeve e para së gjithash mbrojtjen e produkteve të Maqedonisë (shënim, e ka fjalën për pjesën greke). Këtë imponon sot patriotizmi i vërtetë dhe realist”, tha shefi i qeverisë greke.
Shefi i qeverisë greke theksoi se Athina do të vëzhgojë vazhdimisht respektimin e detyrimeve nga ana e fqinjve.