0030 210 33 18 483

Mjeku pensionist, letër e hapur për ministren e Shëndetësisë: “Me ndihmën tuaj mund edhe të vdesim, por...”

Dr. Evriviadhi GORO 19 Maj 2018

"Eshtë e pamundur të dijë mjekësinë, ai që nuk di se çfarë është vetë njeriu” .

(Hipokrati, 460 – 377 para Kr., Babai i mjekësisë)


Mjeku i familjes, -nuk mundej të bënte ndryshe- pati mirësinë të na komunikojë neve, jo vetëm neve të moshës së tretë, urdhërin e ministrisë së Shëndetësisë, që para se të na shkruhen barnat e nevojshme,- me rimbursim,- për të përballur, sado pak, problemet shëndetësore, duhet të bëjmë udhëtime dhe shpenzime, për të “fituar” të drejtën, që i takon çdo të sëmuri e, aq më tepër, neve të moshuarve. 

Nuk e di në se ministrja e Shëndetësisë, zonja Manastirliu, e ka idenë se ç’ është mjekësia, si ushtrohet e kush ka të drejtën e ushtrimit. Babai i mjekësisë, Hipokrati, autori i Betimit të famshëm për mjekët, që ka jetuar gati 2500 vjet para nesh, ka thënë: “ËSHTË E PAMUNDUR TË DIJË MJEKËSINË AI, QË NUK DI Ç’ FARË ËSHTË NJERIU”.

Unë, jam një nga ata, që vuajnë nga sëmundje të zemrës, njera prej të cilave, më detyron të përdor ilaçe kundër mpiksjes së gjakut. Jetoj në Himarë, 76 km larg Vlorës dhe 250 km larg Tiranës. Jam 84 vjeç! Që ta marr atë ilaç, duhet të shkoj, pa tjetër, një ditë në Vlorë, te kardiologu i spitalit shtetëror, i cili do të më japi “vizën”, të ngjitem më lart, në kryeqytet, nga shpërndahet në gjithë vendin, bollëku i mençurive ekzekutuese, të politikanëve tanë. Atje, një komision, do të vendosë përfundimisht. 

Në Vlorë kemi 3 a 4 kardiologë, që gëzojnë respektin e njerëzve hallexhinj. Si është e mundur që ju si qeveri, të mos keni besim tek ata, kur populli u ka besuar jetën e tij? Apo nuk i konsideroni të aftë të formojnë dhe ata, komision përkatës?

Mbase dhe nuk keni faj ju. Kështu bëhen punët te ne, madje, kryeministri, para ca ditësh, në Vlorë, lëshoi fjalët më të mençura, nga të...”pamençurat” e panumërta: “NË SE PERËNDIA DO TË ISHTE NË TOKË, DO TË ISHTE INFERMJERE DHE DJALLI DO TË ISHTE,- mos nuk është?!- NË PARLAMENT!!!!”. 

A ju ka shkuar ndonjë herë nga mendja, bie fjala, kur shoqëruesi ju hap portën e automobilit të veçantë dhe uleni në kolltukun e rehatshëm, se jashtë xhamave, ka njerëz të varfër deri në dëshpërim dhe të sëmurë, që zvarriten rrugëve, duke kërkuar ndihmë mjekësore? Që mjekët e spitaleve “shtetërore”, i dërgojnë të sëmurët të bëjnë analiza te privati, se disa prej tyre nuk bëhen në spital? Që u japin receta të blejnë ilaçe në farmacitë, se në spital nuk ka barna?

E nderuara zonja ministre, ju mbase nuk keni pse të merreni me gjëra aq të “parëndësishme”, se jeni e siguruar me çdo gjë. Ndofta pushoni dhe jashtë shtetit, kur fshatari dhe punëtori i thjeshtë, nuk kanë mundësi të dalin, as dy hapa, larg oborrit të shtëpisë.

Unë kam qenë mjek dhe e kam ushtruar mjekësinë, 57 vjet, 17 prej të cilave, jashtë shtetit, si mjek privat. I kontratuar me disa nga organizatat e Sigurimeve Shoqërore, përfshirë edhe ato Shtetërore, nuk kisha asnjë kufizim në përshkrimin receptual, të barnave. Madje, shpesh rastiste, të shkruaja edhe barna, që nuk ishin në listën e rimbursimit. Recetën e shoqëroja me formularin përkatës, ku shënoja arsyen pse e shkruaja. Dhe i sëmuri e paguante një lloj, si të ishte në listë. Bashkë me shokët e brezit tim, sakrifikuam pjesën kryesore, më të bukurën e jetës, për njeriun, duke i mohuar vetes një nivel jetese, që nuk i përgjigjej atij të popullit raja. Me ndihmën tuaj mund edhe të vdesim, por do t’ u lëmë fëmijve dhe nipërve tanë emrin, thesarin më të vyer, që e lënë vetëm njerëz si ne.

Kolegët, në Athinë, më pyesnin: “A të vjen keq, që jetove dhe punove në vitet e diktaturës?” Qeshja para se t’ u përgjigjesha: “Jo. Përkundrazi, e ndjej veten të lumtur, që i shërbeva popullit tim duke sakrifikuar të mirat e rinisë, atëherë kur më kishte më shumë nevojë, se çdo gjë tjetër. Pata fatin të njoh njerëz të mrekullueshëm, që më mbajtën afër, më nderuan e më mbrojtën dhe të cilët, njerëzimi, s’ ka për t’ i pasur kurrë më”. 

E nderuara ministre, është mirë, që para se të merrni vendime, që dëmtojnë shëndetit e njerëzve, të mendoni veten. Sot jeni ministre, nesër ose pasnesër, nuk do të jeni më. Ju uroj, sinqerisht, të mos hiqni, nga pasardhësi juaj, ato që heqim ne nga ju dhe paraardhësit tuaj.

Pak fjalë “jashtë” temës.

Po ju sjell këtu, një shembull fisnik, nga jeta e një politikani të shquar, që i dhimbsej vërtet populli i vet. Në përvjetorin e Parë të Republikës, si kryetar i saj, shtroi darkën, e zakonshme, zyrtare. Personalitetet shtetërore dhe të ftuarit nga bota, pjesëmarrës në darkën e rastit, u ndodhën para një të papriture, që i detyroi të heshtin, të shastisur, për se? Për shkak të menusë. E dini përmbajtjen e asaj menuje historike? Mbase jo, me që politikanët dhe historianët, nuk lexojnë histori. Përpara secilit, në tavolinë, gjendej vetëm një pjatë me supë! Dhe kur ata, ngurronin të zhysnin lugët në pjatë, Presidenti, i... “sqaroi”: “HABITENI PËR FUKARALLËKUN E DARKËS? MIRËPO SONTE, KUR NE KEMI PËRPARA KËTË SUPË, DUHET T’ IU THEM SE SHUMICËS SË POPULLIT TIM, I MUNGON. DHE UNË, KRYETARI I REPUBLIKËS SË TYRE, NUK KAM TË DREJTË TË HA TJETËR GJELLË NGA AJO QË HA POPULLI IM”. E ç’ u bë? Të ftuarit u ngritën më këmbë dhe duartrokitnin për minuta të tëra. Këto fjalë i ka thënë Presidenti i Parë i Republikës Turke, Qemal Ataturku, 95 vjet të shkuara.

Këtu nuk flasim për hallet e popullit, se ato le t’ i zgjidhi vet ai. Qeveria ka punë të tjera. Kujdesi për njeriun? Proçka! Ç’ punë ka Ministria e Shëndetësisë me njerëzit, e, aq më tepër, me të sëmurë pa vlerë shoqërore, si janë katandisur pensionistët, të cilëve u jepet një pension pleqërie, aq poshtërues, sa që kur vjen dita për të paguar detyrimet e dritave, ujit, telefonit, kruajmë xhepat, për të plotësuar shumën e duhur. 

Por le të vazhdojmë me paradokset, në shëndetësi. Cili është roli i mjekut familjar? Mos vallë, ai është thjeshtë, një “qatip”, që vulos shkresa? Mendoj se është poshtërim, që të dërgojë të sëmurin, herë pas here, te specialisti, për të përsëritur dhënien e ilaçit. Pse, bie fjala, për Xarelton, duhet të vejë, herë pas here, në Tiranë, përderisa dihet, që i sëmuri nuk do ta ndërpresë kurrë, përdorimin e tij - veçse kur të vdesë?! Kini besim te mjekët e rinj, ashtu si kemi ne të gjithë, që “njohim mjekësinë, sepse njohim njeriun”.

Mos i mundoni ata, që sakrifikuan jetën për Njeriun, për vendin e tyre. Ne ishim ata, që iu kthenim atyre buzëqeshjen, kur ishin gati të qanin, ju i shuani buzëqeshjen dhe i detyroni të qajnë. Historia e këtij vendi martir, do t’ iu ndëshkojë rëndë. Jepuani atë “lëmoshë medikamentoze” të sëmurëve, pa i sorollatur e, aq më tepër, njerëzve të moshës së tretë. Nuk ju kërkojmë ndihmë për të “shpejtuar” vdekjen, ju kërkojmë ndihmën njerëzore mjekësore, që të jetojmë ato ditë, që na kanë ngelur, me gëzimin familjar, gëzimin e miqve dhe të shokëve tanë.

Për kolegët e pacientët e tjerë të asaj kohe të vështirë, për zemrat e tyre, për sakrificat, tregoni, të paktën, një farë nderimi. Mbajini mend fjalët e Ataturkut, megjithëse personalitete të tilla, janë antipatikë për politikanët tanë. Bëni, atë që thotë Hipokrati, mundohuni të njihni njeriun.

Iu bëj thirrje, në emër të gjithë të sëmurëve rëndë, të zonës sonë:

Lerini mjekët e rinj, midis të cilëve ka yje përtej kohës tonë, të bëjnë punën e tyre, për këtë popull, që nuk ka fuqinë të kërkojë,- e ardhmja e tij, nxitet të marrë... arratinë.

Bëni detyrën ndaj jetës. “NJERIU, KUR VDES, LË EMRIN. LEOPARDI LË LËKURËN”. Një mençuri e saktë, Kineze...

Zgjidhni çfarë do të mbani: emrin apo lëkurën...

Mjeku pensionist, i nderuar me titullin “NDERI I QARKUT TË VLORËS”,

EVRIVIADHI GORO

HIMARË, 18.O5.2018

Ndaje me miqte