Moscovivi bën bilancin e krizës greke: "Greqia po rimerr vendin që i takon në Eurozonë"?
Tribuna TV
06 Gusht 2018
“Greqia ndodhet në rrugën e rikthimit në vendit që i takon në zonën e Euros, pa kërkesa të reja për masa apo reforma”, thekson komisioneri europian për financat, Pierre Moscovici, përmes gazetës gjermane Die Welt.
Teksa shkrimi i komisionerit publikohet në prag të përfundimit të programit të shpëtimit të Greqisë, Moscovici bën edhe një bilanc përkatës.
Për Trojkën, “zotërinjtë e veshur me të zeza”, Moscovici vëren:
"Thuhej se vullneti i popullit nuk ishte respektuar dhe se një aleancë tregjesh dhe teknokratësh i imponuan popullit grek masat shtrënguese. Mirëpo ne i kishim nevojë ekspertët që ta vlerësonim saktë situatën në Greqi dhe të mundim ta mbështesim më mirë vendin”.
“Është e vërtetë se disa masa i përpunuan institucionet. Mandatin për këtë e kishin marrë nga ministrat europianë, të cilët jepnin llogari para parlamenteve të tyre. Mirëpo vendimet merreshin ekskluzivisht nga Eurogrupi, pa kaluar në të vërtetë në një kontroll demokratik. Unë vetë nuk ndihesha i qetë kur vendosnim me dyer të mbyllura në takimet e Eurogrupit, për fatin e miliona grekëve. Nga pikëpamja demokratike kjo ishte skandaloze, sepse vetëm disa pak ministra ishin të informuar mjaftueshëm dhe kishin një mandat konkret”.
Për të ardhmen, ditët pas përfundimit të programit, komisioneri thotë:
“Vazhdoj të jem i bindur se miratimi i programit të tretë të shpëtimit (2015) ishte një moment historik për Greqinë dhe gjithë Europën. Greqia ndodhet në rrugën e rikthimit në vendin që meriton në zonën e euros dhe të rifitojë sërish një autonomi më të madhe në politikën e vet ekonomike”.
Ndërkaq, Moscovici thekson se kjo nuk do të thotë që “BE e braktis tashmë Greqinë në fatin e vet. Ka ende shumë gjëra për të bërë. Reduktimi i tërësisë së borxhit publik dhe vazhdimi i reformave duhet të jenë prioritet madhor për qeverinë greke”.
"Më të këqijat i kemi lënë pas"
Në bilancin e krizës greke, komisioneri për çështjet financiare nënvizon:
“Është e rëndësishme të vëmë në dukje se ishte veprim i drejtë shpëtimi i Greqisë. 288 miliardë eurot që paguan shtetet europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë tetë vjetëve ishin të domosdoshme që të shmangej një kaos politik dhe ekonomik. Pa ndihmën europiane Greqia do të kishte rënë në kolaps dhe do të gjendej për dekada në një kaos të thellë politik dhe ekonomik. Mirëpo, kolapsi i Greqisë do të kishte pasoja katastrofike për disa nga ekonomitë tona, sepse do të binin së bashku në humnerën greke. Në një rast të tillë nuk do të kishim zhvillimin e fuqishëm ekonomik që kemi sot. Rrjedhimisht, ishte gjëja e duhur. që të mbrojmë ekonomitë tona, euron dhe Europën. Në tërësi, e gjithë kjo çështje na bëri vetëm më të fortë”.
“Mjaft grekë besojnë se kriza nuk ka mbaruar ende”
"Një pjesë e madhe e popullsisë në Greqi vazhdon të jetojë nën nivelin e varfërisë dhe papunësia është mbi 20%. Borxhi publik ndodhet në 180% të PPB (produktit të përgjithshëm të brendshëm) dhe mbetet një nga më të lartët në Europë. Mirëpo, më të këqijat i kemi lënë mbrapa. Penguam skenarin katastrofik të Grexit-it dhe shpëtuam euron. Greqia po i rikthehet rritjes ekonomike, papunësia po ulet gradualisht dhe të rinjtë që gjatë krizës mërguan nga vendi, po rikthehen në atdhe. Rrjedhimisht, nuk është më nevoja për masa shtrënguese për shkak të krizës. Ndërkaq, përfundimi i programit nuk do të thotë se është edhe fundi i rrugës. Duhet të bëhen shumë akoma që Greqia të qëndrojë në mënyrë konstante në këmbët e veta”.
Sipas Moscovici-së, “programi i dytë i mbështetjes do të mund të kishte përfunduar me sukses në dhjetor 2014, nëse koalicioni i Demokracisë së Re me PASOK-un kishte nisur reformën e pensioneve dhe rritjen e TVSH-së në ishujt. Përkundrazi, ata kishin planifikuar zgjedhje të reja”...
Ndaje me miqte