0030 210 33 18 483

Në nisje të një viti të vështirë plot sfida

Juli NDRIKO

28 Janar 2021

Përpjekja për të normalizuar jetën e 8 miliardë qytetarëve të globit duket një sfidë rraskapitëse edhe për vendet e fuqishme dhe mundësia e fitores është vetëm një: Bashkimi i të gjitha kapaciteteve njerëzore globale dhe përpjekja titanike për të hequr dorë nga egoizmat nacionalë në favor të një zgjidhjeje, e cila nëse nuk vjen për të gjithë, do të na tregojë se sa e pamundur është të përgjigjemi veç e veç ndaj betejave të tilla.

 

Teksa po trakasin ditët e fundit të janarit, nuk mund të mos shohim të çuditur dhe pa ndonjë optimizëm gjithçka lamë pas dhe gjithçka me të cilën e filluam 2021. Pas lajmit të daljes së parë të vaksinave të BioNTech Pfizer, Moderna, Astra Zeneca dhe vaksinës ruse Sputnik V, duket se bota psherëtiu thellë si një sinjal shprese se pandemisë dhe gjithë problemeve që solli ajo po i vinte fundi. Mbetej të nisej me këmbë të mbarë..., por shpejt u kuptua se nuk kishte vend për optimizëm.

Shtetet nisën një garë me kohën në bisedimet me kompanitë prodhuese të vaksinës anti Covid 19 dhe deklaratat mbi marrëveshjet e arritura dhe shumat e vaksinave të siguruara bombarduan popullsinë e çdo shteti. Presidenti i sapozgjedhur i amerikanëve, Biden e rivali i tij rus Putin, ishin të parët që dolën para kamerave duke bërë vaksinën, në përpjekje për të bindur masat mbi suksesin e vaksinës dhe për t’iu dhënë atyre shpresë, se e mira kishte ardhur.

Por rrezet e shpresës u venitën shpejt nga lajmet që qarkulluan se sigurimi i vaksinave po kthehej në një matje muskujsh ekonomikë mes vendeve dhe qartazi, nën presionin e këtyre muskujve, prodhuesit deklaruan se nuk mund të siguronin përherë dozat e negociuara. Rasti i Izraelit që siguroi në negociata të drejtpërdrejta me Pfizer mbërritjen e katër milion dozave në fillim të dhjetorit 2020 duke deklaruar se do të paguante dyfishin e vlerës së çdo vaksine ishte i pari por jo i fundit. SHBA deklaroi gjithashtu se kishte siguruar një numër shpresëdhënës vaksinash dhe se deri tani rreth 20.7 milion njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës Covid-19 dhe rreth 3.8 milion njerëz janë vaksinuar plotësisht. Rreth 47.2 milion doza janë shpërndarë, sipas Qeverisë në shtete, territore dhe agjenci federale. Britania e Madhe është gjithashtu vendi i dytë në Evropë me një numër optimist të vaksinuarish, kurse shtetet të tjera kanë nisur fushatat e vaksinimit pa shumë bujë, por duke deklaruar sidoqoftë, se janë mbrapa me objektivat e vendosura dhe ende larg asaj që quhet imuniteti i tufës.

OBSH ka deklaruar se deri tani më shumë se 39 milionë doza vaksinash janë injektuar në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta, por siç deklaroi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus bota është "...në prag të një dështimi moral katastrofik..." lidhur me vaksinat, “...dështim do të paguhet me jetë dhe mjete jetese”.

Në këto qasje egoiste bota vetëm sa do të zgjasë pandeminë dhe  asnjë vend nuk do të mund të jetë i suksesshëm në luftën e përbashkët kundër Covid 19.

Dështimi i qasjes globale në luftën kundër pandemisë është akoma më i zbuluar në Evropë, ku shtetet e Unionit janë ende në luftën e tyre për sigurimin e nevojshëm të dozave të vaksinës, sikurse dhe të ndarë në vendet pjesëmarrëse në Union dhe në vendet e Ballkanit, të gjendura jashtë Unionit të Përbashkët Evropian por në të njëjtën hapësirë kontinentale, ku fati i ka vendosur të jenë.

Revolta e Ballkanit e detyroi BE të ndryshojë qasje, dhe një organizëm, i emëruar COVAX, synon të krijojë një qasje sa më të mundshme të ekuilibruar në ndarjen e vaksinave për të gjithë rajonin e gjendur në një gërryerje problemesh ekonomike, bashkëjetese dhe gjeopolitike.  Programi synon të mundësojë doza për vaksinimin në masën 20% për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ajo që mbetet është përpjekja e çdo qeverie për të mundësuar doza të tjera.

Shqipëria ka deklaruar se ka mundur të sigurojë 500 mijë doza vaksinash të kompanisë Pfizer nga një vend mik, por fushata e vaksinimit, e pompuar në televizione po ecën mjaft ngadalë dhe askush nuk është i sigurt se si do vazhdojë më tej.

Serbia gjendet në pararojë të këtij procesi duke deklaruar se do të përdorë dhe vaksinën ruse Sputnik V, dhe duke shënjestruar vaksinimin e popullsisë në masën 70% deri në gusht. Për vendet e tjera të Ballkanit as që bëhet fjalë.

Bashkimi Evropian është njëherësh i shqetësuar për marrëveshjet me kompanitë prodhuese të vaksinës dhe vonesat mund të bëjnë që shtetet të arrijnë marrëveshje individuale me këto kompani, sipas modelit “të suksesshëm” me të cilin Izraeli siguroi dozat e tij të vaksinës.

Në gjithë këtë rrokopujë sfidat e vitit janë të mëdha. Edhe nëse siç është parashikuar deri në fund të gushtit, nëpërmjet vaksinimit do të arrihet imuniteti i tufës, gjë që ka shumë pak gjasa të ndodhë, presioni në sistemin shëndetësor ka pak mundësi të shfryhet në nivel global. Gati të gjitha vendet raportojnë mungesa të kapaciteteve shëndetësore dhe humane në këtë sektor si për fushatat e vaksinimit ashtu dhe për përballimin e rasteve të reja të evidentuara me Covid. Mutacionet e virusit të raportuara në vende të ndryshme si Britania e Madhe, Brazili, Afrika e Jugut, SHBA e së fundmi dhe në Maqedoninë e Veriut, e kanë bërë akoma më kaotike përgjigjen ndaj pandemisë.

Në këto kushte, përpjekja për të normalizuar jetën e 8 miliardë qytetarëve të globit duket një sfidë rraskapitëse edhe për vendet e fuqishme dhe mundësia e fitores është vetëm një: Bashkimi i të gjitha kapaciteteve njerëzore globale dhe përpjekja titanike për të hequr dorë nga egoizmat nacionalë në favor të një zgjidhjeje, e cila nëse nuk vjen për të gjithë, do të na tregojë se sa e pamundur është të përgjigjemi veç e veç ndaj betejave të tilla.

Kësisoj gjendemi në nisje të një viti të vështirë, i cili na shtron përpara pyetje për të cilat nuk japim dot përgjigje. Dhe duke mos mundur ta etiketojmë dot, mbetet thjesht një vit i çuditshëm që premton surpriza.

Ndaje me miqte