NATO, SHBA të bindura se Turqia nuk do të pengojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë
TV TRIBUNA
16 Maj 2022
Pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, Aleanca dhe Shtetet e Bashkuara thanë se ishin të bindura që Turqia nuk do ta ndalonte anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, pasi dy shtetet nordike ndërmorën hapa për t'u anëtarësuar në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë.
Presidenti finlandez Sauli Niinisto konfirmoi të dielën se vendi i tij do të aplikonte për të hyrë në NATO, ndërsa Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se do të shkojë në parlament të hënën për të siguruar mbështetjen për kërkesën për anëtarësim, të cilin aleatët e NATO-s presin që do të bëhet njëkohësisht me Finlandën.
Ministri suedez i mbrojtjes, Peter Hultqvist, paralajmëroi se Suedia do të ishte në një situatë të rrezikshme nëse do të ishte i vetmi vend balltik që do të mbetej jashtë NATO-s. "Do të mbeteshim pas," tha ai.
Turqia, e cila befasoi aleatët e saj ditët e fundit kur tha se kishte rezerva për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, parashtroi kërkesat e saj të dielën në Berlin ku u mbajt një takim i ministrave të jashtëm të NATO-s. Ankaraja tha se donte që vendet nordike të ndalnin mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territorin e tyre dhe të hiqnin ndalimet për disa shitje armësh në Turqi.
"Kam besim se do të jemi në gjendje t’u përgjigjemi shqetësimeve që ka shprehur Turqia në një mënyrë të tillë që të mos vonojë anëtarësimin," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken nuk pranoi të jepte detaje nga bisedat me dyer të mbyllura në Berlin, por i bëri jehonë qëndrimit të zotit Stoltenberg.
"Kam shumë besim se do të arrijmë konsensus," u tha zoti Blinken gazetarëve, duke shtuar se NATO ishte "vend i dialogut".
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu tha se bisedimet me homologët suedezë dhe finlandezë në Berlin ishin të dobishme. Të dyja vendet kishin bërë sugjerime për t'iu përgjigjur shqetësimeve të Ankarasë, të cilat Turqia do t'i marrë në konsideratë.
Megjithatë, ai tha se Turqia nuk e kundërshton politikën e aleancës për të qenë e hapur për të gjitha vendet evropiane që dëshirojnë të aplikojnë.
Shqipëria radhitet ndër vendet që kanë ofruar mbështetje të plotë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë dhe siç tha ministrja e jashtme gjermane, janë shumë vende të NATO-s që kanë nënvizuar gatishmërinë për një ratifikim të shpejtë.
Çdo vendim për zgjerimin e NATO-s kërkon miratimin nga të 30 aleatët dhe parlamentet e tyre. Ankaraja, një anëtare e NATO-s për 70 vjet, do të jetë nën presion të jashtëzakonshëm për t'u tërhequr nga kundërshtimi, thanë diplomatët e NATO-s, sepse aleanca konsideron se pranimi i Finlandës dhe Suedisë do ta forconte atë jashtëzakonisht në Detin Baltik.
Ndaje me miqte