0030 210 33 18 483

Neranxi sfidon kryeministrin dhe “oligarkët”

TV Tribuna 05 Tetor 2019

Para disa ditësh, kryeministri Edi Rama ka mbledhur 200 biznesmenë dhe ka kërkuar që ata të japin 2% nga fitimet e tyre personale për krijimin e një fondi për “Shqipërinë Solidare”.  Suipas tij, ky fond do t’u vijë në ndihmë familjeve në gjendje të keqe ekonomike, apo në kushte ekstreme varfërie.

“Ndjesia ndaj biznesit të madh, kompanive të mëdha, atyre që bëjnë më shumë dhe fitojnë më shumë, rrezikon të kthehet në një egërsi shoqërore për të gjitha motivet e gabuara” ka theksuar Rama, duke argumentuar propozimin e tij.

“Ideja është që të biem dakord për vendosjen e një baze të sipërme, secilit prej jush t’i bjerë një barrë e barabartë për këtë mekanizëm solidariteti, 2% mbi dividendin , jo të kompanisë, por dividendin tuaj (fitimi personal)”, tha kryeministri

 

Neranxi: Çfarë do i kisha thënë Edi Ramës nëse do më kishte ftuar në takimin gjobvënës të 200 biznesmenëve Vip...

Një nga bizneset më të mëdha në vend, që gjithashtu nëpër vite ka prezantuar një profil  të veçantë kontributi social dhe mbështetjeje për shtresat në nevojë, është kompania Neranxi. Mirëpo “shpirti” i kësaj kompanie, biznesmeni Nikollaq Neranxi, nuk ishte ftuar në takimin me kryeministrin.

Neranxi është biznesmeni i vetëm që nuk i kursen –aty ku duhet- kritikat për qeverinë. Kujtojmë se të njëjtin qëndrim ka mbajtur Neranxi edhe gjatë periudhës së qeverisjes së vendit nga PD.

Në një reagim të vetin, Neranxi thekson qysh në fillim se “edhe pse kam një biznes VIP, nuk isha i ftuar në atë takim nga Rama. Jam i lumtur për këtë fakt, sepse nuk dua të jem spektator i talljeve të kryeministrit. Por nga ana tjetër nuk e fsheh faktin se ky do kishte qenë një rast i mirë, për t’ju a thënë në sy, atë që mendoj dhe që e meritojnë, të gjithë atyre që ishin aty prezent”, shkruan Neranxi..

Nëse do isha përballë Edi Ramës, do t’ i thoja; Bravo të qoftë! Bizneset, të cilët pranuan të bëhen klientë të pushtetit për të rritur fitimet e tyre në mënyrë të padrejtë, të kanë borxh jo vetëm 2% të dividentit, por çfarë të të teket ty. Janë këta biznese të cilët asnjëherë nuk menduan se si të respektojnë rregullat e ekonomisë së tregut, të konkurrencës së ndershme, të jenë të pavarur nga çdo lloj pushteti dhe të luftojnë me ndershmëri për të qenë më të mirët dhe më të suksesshmit në treg.

Janë këta biznesmenë të cilëve unë iu kërkova rreth 4 vite më parë që të bashkoheshim për të kundërshtuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e supergjobave dhe ata nuk pranuan. Ai ligj u hodh poshtë nga padia e Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve që drejtohet prej meje. Ata nuk pranuan të bashkoheshin në luftën kundër taksave dhe tarifave të larta të cilat të gjithë e dimë se janë të papërballueshme nëse nuk gjen rrugë të paligjshme për të fituar. Janë këta biznesmenë të cilët nuk u ngritën asnjëherë për çmimet e karburantit, energjisë elektrike, ujit, gazit, të cilat për biznesin janë më të lartat në Europë. Janë këta biznesmenë që nuk u ngritën kundër grabitjes së pronave, por disa prej tyre madje përfituan nga kjo vjedhje.

Këta biznesmenë të cilët tani, me urdhër të Ramës, iu duhet të bëhen zemërdhemshur, nuk i pashë të reagojnë kur fëmijët e Shkozës qanin dhe ulërinin sepse pushteti i Edi Ramës i la pa shtëpi dhe i hodhi në rrugë. Nuk i pashë të reagonin për banorët e Unazës së Re dhe t’i propozonin një zgjidhje Ramës, kur fëmijët e lemeritur dhe të rraskapituir nga protestat e përditshme, mbanin pankarta në duar; “Xhaxhi Edi Rama mos na i prish shtëpitë!”. Por jo, beniaminët e Ramës zgjodhën rrugën e informalitetit dhe korrupsionit, duke bërë sikur asgjë e keqe nuk po ndodh në këtë vend dhe i madhi nuk duhet kundërshtuar për asgjë. Prandaj sot nuk kanë rrugë tjetër veçse të rrinë të tulatur, sepse e dinë që ja kanë borxh kryeministrit çdo gjë që ai do ju kërkojë”, vëren Nikollaq Neranxi

 

Dy janë rrugët: Ose vasal, ose qytetar i përgjegjshëm

Nikollaq Neranxi, në kohën që ishte deputet, rrogën e tij nuk e mori asnjëherë për vete, por e dhuronte për njerëzit në nevojë në zonën e Kërrabës. Gjithashtu, nuk linte rast pa u ardhur në ndihmë, duke u përpjekur për t’ua lehtësuar sadopak varfërinë. Në këtë kuptim, kompania Neranxi e ka krijuar prej vitesh atë “fond solidariteti” që po tentohet tani. Prandaj dhe ka gjithë të drejtën morale të krenohet me kontributet që ka dhënë.

“Sa për fondin e solidaritetit, e bëj me dije Kryeministrin se si qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, nuk kemi pritur urdhër prej tij për të qenë solidarë dhe humanë. Kompania Neranxi ka vite që jep me qindra bursa për të rinj, që ata të diplomohen në Institutin Kulinar Neranxi, sepse prindërit e tyre Rama i ka lënë në mjerim. Ne kemi vite që punësojmë individë me aftësi ndryshe dhe i trajtojmë ata me dashurinë dhe përkushtimin të cilat shteti nuk iu a dha kurrë. Ne kemi vite që bëjmë shumë vepra humanitare të cilat as nuk kemi dashur t’i bëjmë publike”, shkruan Nikollaq Neranxi dhe vazhdon:

“Sepse dy janë rrugët që do zgjedhësh në jetë; ose të jesh një njeri që pranon vasalitetin për dy lekë më shumë dhe kjo racë biznesmenësh, padyshim që nuk e njeh solidaritetin dhe hallin e tjetrit, ose do të zgjedhësh të jesh një qytetar i përgjegjshëm në çdo aspekt të jetës, që nga pagesat e detyrimeve në shtet, në cilësinë e produktit dhe shërbimit dhe deri tek humanizmi ndaj shoqërisë”.

Neranxi e konsideron propozimin e kryeministrit si “gjoba e radhës”.

“Realisht i mëshiroj ata ushtarë të mjerë, të cilët Rama pardje i vuri në rresht si njerëzit më të pavlerë të këtij vendi duke i urdhëruar për gjobën e radhës”.

Por Nikollaq Neranxi nuk mjaftohet të flasë vetëm në cilësinë e biznesmenit, apo të qytetarit të ndërgjegjshëm. Me cilësinë e kryetarit të shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve, ai deklaron se do të ndërmarrë gjithë hapat ligjorë për ta shfuqizuar, nëse propozimi sanksionohet.

“Nëse kjo çmenduri e Ramës do bëhet ligj, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë me Kryetar Nikollaq Neranxin, do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese, si një ligj antikushtetues. Nga ana tjetër, nxisim dhe inkurajojmë drejtësinë e re që po krijohet, që të bëjë veting në sipërmarrjet e mëdha, si një detyrim ndaj shoqërisë e cila ka 30 vite që është marrë peng nga njerëzit e korruptuar në biznes, politikë dhe drejtësi”.

Në këtë paragraf të fundit, Neranxi i rikthehet një propozimi të bërë disa javë më parë, ku kërkonte që SPAK (njësia e posaçme antikorrupsion), t’i shtrinte hetimet e veta, përveç politikës dhe drejtësisë edhe në fushën e biznesit. Domethënë, “të hetohen sipërmarrësit e korruptuar, ata të cilët kanë krijuar biznese të dyshimta dhe mbi të gjitha, në gjithë këto vite, kanë shërbyer si lavatriçe e parave të korrupsionit në politikë, funksione shtetërore të tjera, në sistemin e drejtësisë dhe në qarqet kriminale të trafiqeve të drogës, armëve etj”.

Ndaje me miqte