0030 210 33 18 483

Njohja e patentave shqiptare në Greqi. Gjithë detajet e marrëveshjes

Tribuna TV 24 Gusht 2018

Siç ka njoftuar më herët Tribuna TV, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të patentave midis Shqipërisë dhe Greqisë, u miratua nga qeveria shqiptare dhe është publikuar në gazetën zyrtare.

Tashmë pritet që marrëveshja të miratohet e të publikohet dhe nga qeveria greke e pastaj të ratifikohet nga të dy parlamentet.

Vetëm pas kësaj, shtetasit shqiptarë në Greqi do të mund të konvertojnë patentat e tyre kombëtare me patenta greke.

Marrëveshja përcakton se “Palët Kontraktuese (domethënë autoritetet shqiptare dhe ato greke) njohin për drejtimin e mjeteve në territorin e tyre edhe lejet kombëtare të drejtimit të lëshuara nga Pala tjetër Kontraktuese brenda periudhës së tyre të vlefshmërisë”.

Autoritetet kompetente për konvertimin e patentave, në Greqi janë: Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit; Drejtoria e Trafikut dhe Sigurisë Rrugore dhe Drejtoritë e Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale (Periferive).

Leja e drejtimit (patenta) konvertohet pa qenë nevoja për kryerjen e testeve teorike dhe praktike. I interesuari duhet të paraqesë një vërtetim mjekësor se personi është i aftë fizikisht që të drejtojë një mjet motorik.

I gjithë teksti i Marrëveshjes, i publikuar në gazetën Zyrtare të qeverisë shqiptare, ka si më poshtë:

 

MARRËVESHJE NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË GREQISË MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT

Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë (në vijim të referuara si “Palë Kontraktuese”), me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore, si dhe lehtësimin e qarkullimit rrugor në territoret e Palëve Kontraktuese, kanë rënë dakord për sa më poshtë:

Neni 1

Secila Palë Kontraktuese konverton lejet e drejtimit të vlefshme (përveç lejeve të drejtimit të përkohshme, në periudhë prove dhe të llojeve të ngjashme) të lëshuara nga Pala tjetër Kontraktuese në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm, në rastin kur mbajtësve të lejeve të tilla të drejtimit u është dhënë rezidenca normale në territorin e Palës përkatëse Kontraktuese.

Palët Kontraktuese njohin për drejtimin e mjeteve në territorin e tyre edhe lejet kombëtare të drejtimit të lëshuara nga Pala tjetër Kontraktuese brenda periudhës së tyre të vlefshmërisë, përveç nëse përmbushen dispozitat e paragrafit të parë të këtij neni.

Neni 2

Leja e drejtimit e lëshuar nga autoritetet kompetente të secilës Palë Kontraktuese pushon së qenuri e vlefshme për drejtimin e mjeteve në territorin e Palës tjetër Kontraktuese nga data në të cilën mbajtësit e një leje të tillë drejtimi i jepet rezidenca normale në atë Palë tjetër Kontraktuese.

Neni 3

Për qëllimet e kësaj Marrëveshjeje, termi “rezidencë normale” ka kuptimin që i jepet atij nga legjislacioni i brendshëm përkatës i Palëve Kontraktuese.

Neni 4

Nëse mbajtësi i një lejeje drejtimi të lëshuar nga autoritetet kompetente të secilës Palë Kontraktuese i është dhënë rezidenca normale në territorin e Palës tjetër Kontraktuese, autoritetet kompetente të asaj Pale tjetër Kontraktuese konvertojnë lejen pa kërkuar kryerjen e testeve teorike dhe praktike.

Autoritetet kompetente të Palës Kontraktuese që kryejnë konvertimin kërkojnë një vërtetim mjekësor, i cili vërteton se një person është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike. Për zbatimin e paragrafit të parë të këtij neni, mbajtësit e lejeve të drejtimit duhet të kenë moshën e parashikuar nga legjislacionet e brendshme përkatëse të Palëve Kontraktuese për lëshimin e kategorisë për të cilën kërkojnë konvertimin.

Neni 5

Në kohën e konvertimit të lejeve të drejtimit, kategoritë e barasvlershme të lejeve të drejtimit të Palëve Kontraktuese njihen në bazë të tabelave teknike të barasvlershmërisë që i bashkëlidhen kësaj Marrëveshjeje dhe janë pjesë përbërëse e saj. Këto tabela, se bashku me një listë të modeleve të lejeve të drejtimit, përbëjnë shtojcat teknike 1 dhe 2 të kësaj Marrëveshjeje. Ndryshimet në këto shtojca mund të bien dakord me shkrim ndërmjet autoriteteve kompetente të Palëve Kontraktuese.

Neni 6

Autoritetet kompetente për konvertimin dhe verifikimin e lejeve të drejtimit janë si më poshtë: a) Në Republikën e Shqipërisë: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë – Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor;

b) Në Republikën e Greqisë: Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit; Drejtoria e

Trafikut dhe Sigurisë Rrugore dhe Drejtoritë e Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale.

Neni 7

Palët Kontraktuese përdorin gjuhën angleze në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

Neni 8

Gjatë procedurës së konvertimit të lejeve të drejtimit, autoritetet kompetente të Palëve Kontraktuese tërheqin lejet që duhet të konvertohen dhe ua kthejnë drejtpërdrejt autoriteteve kompetente të Palës tjetër Kontraktuese, së bashku me një listë të këtyre lejeve.

Neni 9

Autoritetet kompetente të Palëve Kontraktuese të cilët vlerësojnë nëse kërkesat për konvertimin e një lejeje të huaj drejtimi janë përmbushur, mund t’i kërkojnë mbajtësit të një lejeje të tillë drejtimi të sigurojë një përkthim zyrtar të lejes në gjuhën zyrtare të Palës Kontaktuese që kryen konvertimin. Autoritetet kompetente të secilës Palë Kontraktuese mund t’u kërkojnë, gjithashtu, autoriteteve kompetente të Palës tjetër Kontraktuese të japin informacion në lidhje me vlefshmërinë e lejes së drejtimit dhe të dhënat që përmban.

Shkëmbimi i informacionit sipas këtij neni kryhet nëpërmjet të gjitha mjeteve në dispozicion, duke përdorur modelet e “Kërkesës për Konfirmimin e Vlefshmërisë së Lejes së Drejtimit” dhe “Certifikatën e Vlefshmërisë të Lejes së Drejtimit”, të cilat bashkëlidhen si shtojca 3 e kësaj Marrëveshjeje. Ndryshimet në këtë shtojcë mund të bien dakord me shkrim ndërmjet autoriteteve kompetente të Palëve Kontaktuese.

Të dhënat e kërkuara sipas këtij neni i dërgohen drejtpërdrejt me e-mail autoritetit kompetent të Palës Kontaktuese Kërkuese.

Neni 10

Autoriteti kompetent i secilës Palë Kontraktuese që merr lejen e drejtimit të tërhequr pas konvertimit, njofton autoritetin kompetent të Palës tjetër Kontraktuese nëse dokumenti përmban ndonjë parregullsi në lidhje me vlefshmërinë dhe të dhënat që përmban.

Kjo Marrëveshje hyn në fuqi në ditën e njoftimit të fundit me shkrim të marrë nëpërmjet rrugëve diplomatike, i cili konfirmon se Palët Kontraktuese kanë përmbushur të gjitha procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen e saj në fuqi.

Kjo Marrëveshje lidhet për një afat të pacaktuar kohor. Secila Palë Kontraktuese mund ta denoncojë këtë Marrëveshje në çdo kohë me anë të një njoftimi me shkrim drejtuar Palës tjetër Kontraktuese, nëpërmjet rrugëve diplomatike. Në këtë rast, denoncimi do të hyjë në fuqi pas gjashtë muajsh nga data e marrjes së këtij njoftimi.

Çdo diskutim në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje do të  zgjidhet me anë të konsultimeve dhe bisedimeve ndërmjet Palëve Kontraktuese.

Kjo Marrëveshje mund të ndryshohet me miratim të ndërsjellë me shkrim të Palëve Kontraktuese. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi në përputhje me dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni.

Bërë në _______, më _______, në dy kopje origjinale, në gjuhën angleze.

Për Republikën e Shqipërisë

Për Republikën e Greqisë

Ndaje me miqte