0030 210 33 18 483

Për pingpongun e deklaratave mbi negociatat Tiranë – Athinë

Robert GORO

05 Tetor 2018

Ditët e fundit në debatin publik shqiptar ka pasur një rigjallërim të temës së negociatave që po zhvillojnë që prej një viti ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë për zgjidhjen e problemeve më të nxehta në marrëdhëniet dypalëshe.

E nisi presidenti Meta, me intervistën për Zërin e Amerikës, ku ndër të tjera tha se “me kryeministrin Rama kemi patur një dakordim të plotë. Kemi pasur disa mosmarrëveshje me Ministrin Bushati për këtë çështje”, por edhe theksoi nevojën që marrëveshja të miratohet nga parlamenti pasi të jetë bërë funksionale Gjykata Kushtetuese.

Ministri Bushati iu përgjigj presidentit me doza të bollshme ironie të hidhur: “Më habit që presidenti i Republikës në këtë pikë ka ndryshuar qëndrim, por në fund të ditës kush jam unë të gjykoj të parin e shtetit, unë jam thjesht një ministër”...

“Pikën” debatit ia vuri kryeministri Rama, mbrëmjen e të enjtes: “Parlamenti është sovran në këtë pikë. Nëse do të realizojmë një marrëveshje sigurisht që ne do ta kalojmë në parlament, dhe pastaj Gjykata Kushtetuese vërtetë sot nuk mund të gjykojë por ajo është e hapur. Kush ka pretendime mund të regjistrojë pretendimin, mund ta depozitojë çështjen, dhe në momentin që bëhet funksionale, ajo mund ta rimarrë çështjen”.

Thuajse në të njëjtën kohë që po fliste kryeministri -nuk e di, pak më herët apo pak më vonë-,  në edicionin qendror të lajmeve në TV Ora NEWS, autori i këtyre rreshtave komentonte pikërisht debatin në fjalë dhe vërente:

“Personalisht mendoj që nuk ka arsye që, një marrëveshje e cila arrihet në nivel qeverish dhe pastaj miratohet nga parlamenti, duhet të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese - veç nëse ndokush ankimon apo dorëzon një kallëzim pranë kësaj Gjykate”.

I gjithë komenti në Ora News:

Si një njeri i cili për shkak të profesionit i ndjek me vëmendje zhvillimet, kisha mendimin se “përplasja” ndërmjet Presidentit dhe ministrit të jashtëm për negociatat me Greqinë, ishte mbyllur disa muaj më parë, atëherë kur presidenti Meta i kishte dhënë autorizimin për plotfuqishmërinë ministrit Bushati.

Por befas, para pak ditësh, mësojmë nga ministri i jashtëm grek, Nikos Ktzias, se negociatat kanë ngecur, pasi ende ka kontradikta ndërmjet presidentit dhe qeverisë shqiptare, siç tha shprehimisht.

Qoftë deklarata e zotit Meta për Zërin e Amerikës, qoftë reagimi i zotit Bushati ndaj kësaj deklarate, mendoj se konfirmojnë mikun e tyre të përbashkët (miq të përbashkët sa i përket përkushtimit të deklaruar për zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet dypalëshe). Konfirmuan, pra, atë që kishte thënë para pak ditësh shefi i diplomacisë greke.

Kujtoj se zoti Kotzias kishte përmendur si një tjetër arsye për ngërçin edhe faktin që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk ka – për momentin- kuorumin e nevojshëm. Edhe këtë e përmendi Presidenti në intervistën te Zëri i Amerikës (“është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale”.

Personalisht mendoj që nuk ka arsye që një marrëveshje e cila arrihet në nivel qeverish dhe pastaj miratohet nga parlamenti, duhet të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese -veç nëse ndokush ankimon apo dorëzon një kallëzim pranë kësaj Gjykate. Pra nuk e shoh si pengesë faktin e mungesës së kuorumit të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, përtej këtyre që në fund të fundit më shumë na shërbejnë neve gazetarëve që të justifikojmë bukën e gojës, mendoj se ajo që ka rëndësi është se vazhdojnë negociatat ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Dihet se çështjet që po negociohen janë të vështira, sidomos ajo për detin; nuk mund të ketë menjëherë një “happy end”. Por e theksoj, pozitive është që negociatat po vazhdojnë dhe urat e komunikimit Tiranë-Athinë mbeten të hapura dhe funksionale. Gjë që e dëshmoi edhe prononcimi i para disa ditëve i ministrit të jashtëm grek, kur foli për mosmarrëveshjet ndërmjet presidentit e qeverisë dhe Gjykatën Kushtetuese.

Pjesa tjetër e deklaratës së presidentit Meta, se ai ka dakordësi të plotë me kryeministrin Rama, mendoj se e bën edhe më të thjeshtë çështjen.

Mendoj se kur krushqit (Meta-Rama) kanë rënë dakord - pra kanë dhënë fjalën për të “lidhur martesën”-, nusja dhe dhëndëri nuk është shumë nevojë që të pyeten... Domethënë, përderisa Presidenti është dakord me shefin e ministrit të jashtëm, nuk besoj se ka vend për të folur mbi kontradikta ndërmjet Ministrisë së jashtme dhe Presidencës.

Kujtoj që, qoftë kryeministri Rama, qoftë kryeministri grek Tsipras, kanë deklaruar shumë më herët se kanë autorizuar dy ministrat e jashtëm që të negociojnë për zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe në fund, paketa e propozuar do të shikohet nga dy shefat e qeverive e madje edhe do të firmoset nga ata të dy, në një ceremoni të përbashkët.

Për ta mbyllur, derisa presidenti thotë se ka rënë dakord me kryeministrin, nuk besoj se përbën ndonjë pengesë fakti që ka mosmarrëveshje ndërmjet presidentit dhe ministrit të jashtëm apo anasjelltas...

Ndaje me miqte