0030 210 33 18 483

Parlamenti grek miraton me 153 vota "pro"? Marrëveshjen e Prespës

Tribuna TV 25 Janar 2019

Parlamenti grek ka miratuar të premten marrëveshjen e Prespës, vënia në jetë e së cilës i jep fund kontestit midis Athinës dhe Shkupit për emrin kushtetues të Maqedonisë.

Marrëveshja u votua nga 153 deputetë.

Kundër votuan 146 dhe pati edhe një abstenim.

Si rrallëherë, në procesin e votimit morën pjesë të 300 deputetët e parlamentit.

Procesi i votimit u shoqërua nga tensione që shkaktuan deputetë të Agimit të Artë.

Ndërsa vazhdonte seanca, para parlamentit ishin tubuar disa dhjetra qytetarë që protestonin kundër marrëveshjes.

Ata thërrisnin “tradhtarë e të shitur”, duke etiketuar kështu votuesit e marrëveshjes.

Ata ishin më të pakët se policët që ishin dislokuar për mbrojtjen e parlamentit, ndërkohë që në rrugët përreth ishte ndaluar qarkullimi i mjeteve.

Duke apeluar ndaj gjithë deputetëve që të votonin në favor të marrëveshjes, kryeministri Tsipras theksoi se “tashmë është koha që të dalim nga rrethi vicioz i nacionalizmave”.

“Historia jonë është shpirti ynë dhe ne po e rimarrim atë. Nuk do të mundet askush ta uzurpojë”, deklaroi Tsipras nga tribuna e parlamentit.

Shefi i opozitës e cilësoi marrëveshjen si një turp kombëtar. Ai paralajmëroi se po të vijë në pushtet mund ta bllokojë me veto në çdo moment anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

Pas miratimit të marrëveshjes së Prespës nga parlamenti grek, do të pasojnë hapat e tjerë për implementimin saj.

Nga vendet anëtare të NATO-s do të bëhet nënshkrimi formal i protokollit të anëtarësimit dhe pastaj ratifikimi i këtij protokolli edhe nga parlamenti grek.

Ky do të jetë dhe akti që do të inicojë procedurat për ndryshimin e emrit të vendit fqinj në “Republika e Maqedonisë Veriore”.

Vetëm atëherë, presidenti i republikës greke do të dërgojë protokollin e ratifikuar në Uashington, me qëllim që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO të ratifikohet edhe nga vendet e tjera anëtare.

Ndaje me miqte