0030 210 33 18 483

Raporti i CIA-s për Mehmet Shehun, pse e quante “Kasapi”

TV TRIBUNA 22 Gusht 2019

Në korrik 1954, Mehmet Shehu emërohet kryetar i këshillit të Ministrave, duke u bërë edhe de jure, numri dy i pushtetit komunist në Shqipëri.

Pak ditë më vonë, CIA amerikane përgatit një raport prej 12 faqesh, një përshkrim të jetës dhe veprimtarisë së Shehut që në vitet e fëminisë e më pas në shkollën Teknike Amerikane,  Luftën e Spanjës, por sidomos gjatë luftës Nacionalçlirimtare, e pas çlirimit.

Raporti titullohet “Background për Mehmet Shehun - Kasapin’”.

Raporti është hartuar mbi dëshmitë- siç sqarohet- e refugjatëve shqiptarë në Greqi, disa prej të cilëve e njihnin personalisht Shehun që në vitet shkollore apo gjatë Luftës.

Që në hyrje ka një nënvizim mjaft interesant: “Edhe pse detajet e këtij raporti nuk mund të konfirmohen, sikur 1/10 e tyre të jetë e vërtetë, do ta bëjë lexuesin të ndjejë krupë”.

 “Ai është një vrasës i lindur, thotë një fizikan që e ka njohur Shehun personalisht dhe që është arratisur në Greqi në vitin 1944. “Ai ndjen kënaqësi kur vret me duart e veta. Arma e tij e preferuar është thika”.

Vijojnë pjesë nga raporti:

Fëmijëria

Lindi në Çorrush të Mallakastrës në janar 1911. Familja jetonte në pronat e teqesë, ku ishte sheh i jati, Ismaili.

Ka një kontradiktë për fatin e babait të Mehmet Shehut. Sipas një versioni ai vdiq rreth vitit 1948 dhe gjatë viteve të fundit shprehte krenarinë për famën në rritje të djalit të tij të madh.

Sipas një versioni tjetër, ndoshta më të mirinformuar, babai i Mehmet Shehut u ekzekutua me varje pas pjesëmarrjes në kryengritjen e dështuar të Haxhi Qamilit. Qëllimi i Haxhi Qamilit dhe i rebelëve të vet ishte rikthimi i pushtetit turk, dy vjet pasi Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Sot partia komuniste shqiptare e përkujton Haxhi Qamilin si një hero të fshatarësisë që luftoi për reformën agrare kundër bejlerëve feudalë.

 

Formimi arsimor

Pas përfundimit të arsimit fillor dhe para të mesëm në fshatin e tij, Shehu shkon në Tiranë në 1932 dhe kryen mësimet në shkollën teknike amerikane (Harry Fultz).

Dëshmia e bashkënxënësit për Shehun:

“Ai ishte i qetë dhe nuk ngacmonte e as përzihej me të tjerët. Por mbaj mend se sytë e tij ishin depërtues dhe të mbushur me mosbesim. Nuk e pëlqente sportin, nuk merrte pjesë në këshillin vetëqeverisës të studentëve apo në aktivitetet të tjera jashtëshkollore. Nuk ishte i shkëlqyer në mësime, vetëm mesatar. Kisha përshtypjen nga vëzhgimi i kujdesshëm i fytyrës, se ai ishte nevrik, por arrinte t’i kontrollonte nervat me një vullnet të fortë. Nuk fliste shumë. Të gjithë besonim se ishte një karakter i mbyllur, por shumë ambicioz”.

Shehu u diplomua për agronomi në 1931. Pastaj shkoi për studime në Itali, në Akademinë Ushtarake të Napolit, ku fashistët përgatisnin oficerë për ushtrinë shqiptare.

Asnjë prej burimeve tona nuk e di kur Shehu u erdhi në kontakt me idetë komuniste. Por po të marrim parasysh faktin se fare pak pas hyrjes në Akademinë ushtarake ai u përjashtua me motivacionin “i dyshimtë”, “anarkist”, mund të supozojmë se ishte Italia ku ai zbuloi ideologjinë politike që do të përcaktonte karrierën e tij.

Ai kthehet në Shqipëri, por nuk mundet të gjejë punë për shkak të karakteristikës së keqe që i kishin bërë autoritetet fashiste italiane.

Mesa duket, i kishte vënë vetes qëllim arsimimin ushtarak. Një nga burimet raporton se Shehu arriti të pranohet si kadet në shkollën e oficerëve rezervistë në Durrës, prej nga thuhet se doli me gradën e nëntogerit rezervë.

 

Karriera komuniste e Shehut

Në 1936, kur shpërtheu lufta civile në Spanjë, Shehu ishte tashmë një komunist i disiplinuar.

Me një grup të rinjsh ai arratiset nga vendi dhe shkojnë të luftojnë me Brigadën Internacionaliste. Ai u dallua në luftime dhe u ngjit në postin e zëvendëskomandantit të brigadës.

Në Spanjë mësoi gjithashtu “artin e terrorit” dhe binte në sy për egërsinë dhe mosrespektimin e jetës njerëzore, në likuidimin e trockistëve, anarkistëve dhe fraksioneve të tjera kundërshtare që komunistët kryen pas vijës së frontit të republikanëve.

Pas fitores së trupave të Frankos në 1939, Shehu ishte nga të mbijetuarit e pakët shqiptarë të brigadës internacionaliste. Ai u largua nëpërmjet kufirit francez me mbetjet e çrregullta të ushtrisë republikane dhe kaloi dy vjet në kampet e izolimit.

Kjo periudhë ishte një shkollim i mëtejshëm për Shehun në metodat komuniste të intrigës dhe dhunës, pasi organizata komuniste dominoi mbi mijëra refugjatët në kampe.

Në 1941 Shehu arratiset dhe mbërrin në Shqipëri që ndërkohë është pushtuar nga fashistët italianë.

Si fshihet prej italianëve në fshatin e tij Çorrush dhe fillon menjëherë të organizojë lëvizjen komuniste në rajonin e Mallakastrës.

Në qershor, Shehu lë fshatin e tij dhe shkon në male, me një grup të vogël partizanësh.

Një grup i madh nga Vlora, i udhëhequr nga Hysni Kapo vjen në malet e Mallakastrës dhe bashkohet me Shehun.

 

Aktiviteti partizan i Shehut

Që në fillim Shehu e bëri të qartë se nuk i interesonte kaq shumë të luftonte pushtuesin, se sa të konsolidonte dominimin komunist në radhët e rezistencës dhe të vriste gjithë armiqtë potencialë  në radhët e partizanëve që kërcënonin udhëheqjen e tij.

Në atë kohë Shehu filloi të tregojë egërsinë e tij të tmerrshme dhe etjen për gjak, çka qysh atëherë e bënë të frikshëm emrin e tij në Shqipëri.

Krimi ndoshta më famëkeq nga gjithë krimet e Shehut është masakra e njësisë nacionaliste  në fshatin Shegas, afër Lushnjes, në fund të dhjetorit 1943.

Shehu dërgoi një lajmëtar te nacionalistët, duke u bërë thirrje atyre të mos luftojnë bashkatdhetarët e tyre, por të bashkohen me të kundër pushtuesve. Ai sugjeroi që komandanti nacionalist dhe stafi i tij të takoheshin me Shehun dhe të diskutonin një plan veprimi të përbashkët kundër gjermanëve.

Nacionalistët pranuan , por në një moment gjatë bisedimeve, Shehu dhe oficerët e tij nxorën armët dhe qëlluan shtabin nacionalist.

Komunistët më pas rrethuan partizanët nacionalistë që mbetën pa udhëheqës, i çarmatosën ata dhe i detyruan të bien në gjunjë, e pas kësaj nisën t’i thernin...

Me thikën e tij të preferuar, të gjatë e të mprehtë, Shehu filloi i pari të therte 75 nacionalistët e përgjunjur.

Pas tij, gjithashtu me thikë në dorë, erdhi Fiqrete Sanxhaktari, një partizane që do të martohej së shpejti me Shehun dhe menjëherë pas kësaj erdhën skuadrat e vrasësve komunistë me bajoneta, për t’u dhënë fund të plagosurve që dergjeshin në gjakun e tyre.

Në këtë ditë të zezë Shehu thuhet se ka vrarë personalisht 65 nga ballistët e pafuqishëm, duke ndalur herë pas here të kalonte gjuhën e tij mbi tehun e ngjyer me gjak të thikës. Kjo u raportua nga zv / komandanti i Shehut, Xhelal Staravecka, i cili ishte aq i revoltuar egërsia e pafytyrë e shefit të tij, saqë dezertoi nga komunistët dhe iu bashkua Ballit Kombëtar.

Në pranverën e vitit 1944, brigada e Shehut kapi 48 burra ballistë rezervistë në fshatin Dunica, rajoni i Mokrës. Të gjithë u bënë për vdekje vetë Shehu duke dhënë shembullin duke therur dy të parët me thikën e tij. Disa ditë më vonë, 40 topistë të tjerë, të cilët kishin luftuar deri sa dështuan municionet e tyre, u kapën në një takim të njëjtin fat.

Midis fshatit Hekali dhe Klosi, në pjesën malore të egër të rajonit të sipërm të Mallakastrës, gjendet një grykë shkëmbore e quajtur "Gryka e Lakuriqit" në të cilën ndodhet një shpellë e thellë e cila mendohet të jetë pa fund. Në këtë gropë bandat e vrasjeve të Mehmet Shehut hodhën kufomat e qindra të burgosurve gjermanë dhe italianë dhe antikomunistëve shqiptarë, pasi i zhveshën nga veshjet dhe çizmet e tyre.

Mendimi i njërit prej burimeve tona është që, përveçse të shuajë etjen e tij për gjak, Shehu kishte një plan të paramenduar për mizoritë e tij; ai rrekej të implikonte në këto masakra edhe vartësit e tij dhe kështu e bënte të pamundur që ata të hiqnin dorë nga partia komuniste, nga frika e hakmarrjes së miqve dhe të afërmve të viktimave.

Ndaje me miqte