0030 210 33 18 483

Refleksion post zgjedhor

Juli NDRIKO 06 Maj 2021

Procesi ka nevojë serioze për t’u analizuar, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të dhënë përgjigje të nevojshme për korrigjimin e mandej përmirësimin e sistemit. Analiza duhet bërë si në kampin opozitar për të marrë mësimet e humbjes ashtu dhe në atë fitues. Kjo e fundit, pasi në demokraci nuk mund të ketë vend proverbi “Fituesi i merr të gjitha”.

 

Sapo në Shqipëri skadoi afati i karantinës 14 ditore për udhëtarët që vinin nga Greqia, mbërrita në vendin amë. Asgjë që prek këtu nuk të lidh me situatën postzgjedhore dhe kjo ndjesi mbetet kështu nëse nuk hap mjetet informative që të përballin me vazhdimin e akuzave për zgjedhje të manipuluara në mënyrë masive, nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Meta dhe dorën e shtrirë të Ramës kundrejt opozitës së Lulzim Bashës. Them të Lulzim Bashës, pasi me ndërgjegjie Rama përjashton nga opozita që fton për bashkëpunim, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe katër mandatet e saj të fituara me shumë mund.

Ftesa e dëgjuar nga Rama para zgjedhjeve dhe e përsëritur vazhdimisht pas tyre është, në terma politikë, e pakuptueshme për shumëkënd. Ajo ka patur si përgjigje heshtjen e Bashës, i cili përsërit, ndonëse jo me tone të forta, akuzat mbi fitoren e maxhorancës nëpërmjet një procesi të manipuluar dhe të shoqëruar me vjedhje të votave.  Por, përtej këtyre deklaratave për procesin, Basha i qetësoi të gjithë brenda PD dhe jashtë si dhe ndërkombëtarët se në Shtator, bashkë me listën e tij fituese do të jetë në Parlament. Kësisoj ai vërtetë konteston procesin, por pranon produktin e dalë nga ky proces.

Përtej akuzave të Bashës dhe të të gjithë fakorit tjetër opozitar, procesi ka nevojë serioze për t’u analizuar, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të dhënë përgjigje të nevojshme për korrigjimin e mandej përmirësimin e sistemit. Analiza duhet bërë si në kampin opozitar për të marrë mësimet e humbjes ashtu dhe në atë fitues. Kjo e fundit, pasi në demokraci nuk mund të ketë vend proverbi “Fituesi i merr të gjitha”.

Zgjedhjet e 25 Prillit 2021 ishin të rëndësishme për shqiptarët. Të tilla u panë edhe nga ndërkombëtarët që e lidhën mbështetjen për përparimin e negociatave të Shqipërisë drejt BE-së, me nevojën e zhvillimit të një procesi të drejtë dhe të paanshëm. Akoma më rëndësi ato morën pasi palët, përherë të parë do të përballeshin duke qenë në pozita të pabarabarta.

PS hyri në zgjedhje me një pushtet gati absolut sa kohë kishte në dorë pushtetin ekzekutiv dhe pushtetin vendor, përjashtuar bashkinë e Shkodrës, e vetmja që i mbeti demokratëve pasi akuzat për probleme me krimin e organizuar e shtynë fituesin e PS-së Valdrin Pjetri, të japë dorëheqjen. Këtij pushteti dhe forcës së tij, i kontribuoi edhe një sasi e madhe fondesh, të mbledhura pas tragjedisë së tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe pandemisë së nisur në  9 Mars të 2020. Këto të dyja Qeveria i përdori si mall dhe i konsumoi individualisht dhe kolektivisht në funksion të fitores së saj. Puna e gjatë në terren, kalkulimet e sakta politike, ndarja administrative e vendit dhe ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës, ishin padyshim çdo element i qenësishëm që i dha fitoren Partisë Socialiste. Por shumë më tepër se këto, fitorja e PS-së u ndihmua nga vetë opozita, që siç u pa e pati të pamundur të ngrihet në lartësinë e një kundërshtari të denjë.

Lidhur me opozitën duket qartë se askush nuk është i pafajshëm, dallohen ndoshta vetëm nga shkalla e ndryshme e përgjegjësisë Kështu, pas më shumë se një vit jashtë Parlamentit, më shumë se resurse njerëzore dhe financiare opozita grumbulloi mllefe ndaj maxhorancës duke mos mundur t’i përkthejë këto mllefe me aksione politike.

E gatshme të anatemonte gjithçka dhe gjithëherë dhe të fliste për oligarkët si e keqja e këtij vendi, opozita krijoi një hendek të madh mes saj votuesve që dëgjonin Edi Ramën, i cili nuk u lodh asnjëherë të përsëriste se fitorja e tretë i duhej jo për vete por “…për të ngritur Shqipërinë në majën më të lartë ku e ka vendosur Zoti”.

Humbjes së paralajmëruar i kontribuoi dhe apatia politike dhe kalkulimet e votave me apo pa koalicion vetëm ditët e fundit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore në KQZ. Sipas politologut Afrim Krasniqi, një studim i institutit që ai drejton, kishte kuptuar se në kampin opozitar nuk kuptohej qartë se çdo të thoshte ndryshimi i Kushtetutës dhe ndalimi që nëpërmjet tyre, iu bë koalicioneve zgjedhore.

Po të shtojmë këtu dhe aleancën paszgjedhore të firmosur me Kryemadhin e LSI-ës duket se mjaftojnë për të shënuar humbjen e opozitës.  Por… analiza do ishte e paplotë nëse nuk do të kërkonim rrënjët e kësaj humbjeje brenda vetë PD-së, e gërryer nga lufta e brendshme, e cila nuk mundi të mënjanohej as nga krijimi i komisionit të vlerësimit të figurave politike nga vetë PD.

Në kohën që partia e tij u gjend jashtë fushës politike, Basha nuk i rezistoi dot presionit të partive të vogla, një pjesë e kryetarëve të të cilave gjenden në listat fituese, pa asnjë kontribut personal a partiak. Askush prej tyre nuk ka bërë deri tani një ndjesë publike për minimumin historik të votave të mbledhura. Dhe jo vetëm kaq, por Kryemadhi i LSI-së, Duka i Agrares, Mediu i Republikanes, Ndoka i Demokristianes etj., nxituan të fajësojnë Bashën për humbjen. Këta arrivistë të politikës duket se nuk e kanë gati një ndjesë publike për fitoret e tyre pa asnjë mund e kontribut.

Të tjerët, inatçinj personal me Bashën, si Patozi, Hajdari e Topalli krijuan partitë e tyre që, me krijimin para zgjedhjeve dhe me dorëheqjet e menjëhershme pas zgjedhjeve, nuk shpalosën vetëm sharlantanllëkun e tyre personal dhe politik, por i kontribuan shpërndarjes së ca votave demokrate. Por turpi është një vel që politikanët e mbajnë me lehtësi dhe për këtë arsye, as këta nuk kanë ndërmend të kenë një ndjesë për humbjen në kampin opozitar.

Në fund, guri i Sizifit gjendet brenda PD. Duket se Basha nuk ia doli të jetë një lider dhe si i tillë të linte pas të djeshmen për të krijuar një forcë politike frymëzuese, që mësonte nga gabimet e saj. Duke mos u larguar dot nga trashëgimnia bjerrëse e Berishës dhe miqësitë me figura të cenuara si Xhelal Mëziu, Bujar Leskaj, Dulen, Idrizin, Salianin e sa e sa të tjerë, Basha nuk arriti ta përkthente dot nevojën për ndryshim në vetë ndryshimin që pritej.

Për të gjitha këto dhe për shumë të tjera, analiza është e vetmja rrugë që i paraprin të nesërmes dhe fitores së dëshëruar. Në funksion të kësaj siç edhe u pa, katër vjet nuk janë shumë. Por për të shkuar tek fitorja duhet më shumë se ta dëshërosh atë. Nëse PD do ia dalë të kapërcejë hendekut mes dëshirës, punës dhe politikëbërjes reale dhe ambicioze, kjo mbetet për t’u parë!

Ndaje me miqte