0030 210 33 18 483

Sfidat e një procesi

Juli NDRIKO

13 Shkurt 2021

Mënyra se si shqiptarët do të përballen me këto zgjedhje është njëherësh sfidë e radhës. Mes angazhimeve për një proces të pavarur politikisht, që ndoshta e frymëzon një KQZ e riformatuar dhe që ka marrë konsensusin e kahjeve të ndryshme politike, përpjekja për të siguruar votën e gjithë shqiptarëve, përfshirë ata të diasporës, është sfida e radhës së këtyre zgjedhjeve. Kjo e fundit, ndonëse është synuar përherë këtë radhë është çështje e shtruar për zgjidhje në tavolinën e KQZ-së dhe të forcave politike.

 

Në 25 Prill të këtij viti shqiptarët do t’iu drejtohen kutive të votimit, në zgjedhjet parlamentare të radhës. Por ndërsa votimi do të jetë i radhës, ngërçet të cilat do të përpiqen të zgjidhin këto zgjedhje nuk do të jenë të lehta.

E para dhe më e rëndësishmja mes tyre është se, ndryshe nga çdo herë, zgjedhjet e këtij viti pritet të rregullojnë balancën e shprishur parlamentare dhe të rikthejnë Parlamentin në shinat e tij kushtetuese, ligjore dhe normale. Vendimi i opozitës shqiptare, në shkurt të 2019 për djegien e mandateve solli një klimë të pazakonshme në arenën e ligjvënësve, duke krijuar një precedent politik të kundërshtuar nga të gjithë. Deklarata e asaj kohe e Lulëzim Bashës se: “Opozita me votë unanime miratoi djegien e mandateve të deputetëve të saj brenda Kuvendit të Shqipërisë”, solli një formulë të pazakontë dhe absurde në veprimtarinë parlamentare. Ndonëse diskursi politik i opozitës u mbështoll me argumentin se: “Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor që të shembim një qeveri të krimit – për krimin dhe nga krimi, dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”, realisht u pa se asnjë prej këtyre qëllimeve nuk u arrit. Në të kundërt, largimi i opozitës prodhoi një parlament ku çudirat nuk munguan dhe ku detyrimi kushtetues i parlamentit 140 vendësh nuk u përmbush.

Gjithçka që prodhoi vendimi i 20 shkurtit 2019 pritet të restaurohet në 25 Prill dhe kjo ndoshta do të jetë fitorja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, bashkë me mësimin e dhënë se veprime të tilla jo vetëm që nuk prodhojnë kauza dhe fitore politike, por njëherësh i shërbejnë shkatërrimit të institucioneve dhe zhbalancimit të pushtetit.

Ajo që pritet tjetër nga zgjedhjet e 25 Prillit është jo vetëm riformatimi i Parlamentit, por dhe krijimi i një Parlamenti më dinjitoz për shqiptarët. “Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më shumë”, deklaroi pak ditë më parë Ambasadorja Amerikane Juri Kim, e cila ka nisur një tur lëvizjesh në këtë prag fushate zgjedhore me mesazhe të përsëritura, se është i nevojshëm shqyrtimi i kujdesshëm i kandidatëve nga partitë politike.

Pretendimet për një Parlament dinjitoz nuk mund të na bëjnë të jemi optimistë deri në qiell. Loja e madhe me listat e hapura apo të mbyllura dhe me koalicionet politike, që i ngjan proverbit të lashtë “”U mbars mali dhe  polli një mi”, tregoi se u shndërrua në një armë të re në duart e kryetarëve të partive politike për  të ushtruar presion mbi zërat kundër brenda subjekteve të tyre politike. Pavarësish kësaj, përvoja parlamentare aktuale duket se do t’i bëjë forcat politike më të kujdesshme për të qëmtuar CV-të e kandidatëve të tyre. Në depresionin e shqiptarëve të cekur lehtësisht ngado, subjektet politike do të përpiqen të përfshijnë në lista edhe ndonjë figurë të pastër, që do përdoret prej tyre për të pastruar imazhin e tmerrshëm të kriminelit të veshur me pushtet, që prodhoi ky Parlament. Nga ana tjetër, presionet e ndërkombëtarëve dhe të publikut, premtojnë një përvojë të re më pak kompromentuese dhe, në aspektin penal e civil, më të pastër. Kësaj pritshmërie gjithsesi jo fort entuziaste, i kontribuon edhe ligji i dekriminalizimit, që pritet të shërbejë si një vetting i përfaqësuesve të popullit në tempullin e demokracisë.

Por nëse 2 pritshmëritë e para  kanë të bëjnë me substancën, mënyra se si shqiptarët do të përballen me këto zgjedhje është njëherësh sfidë e radhës. Mes angazhimeve për një proces të pavarur politikisht, që ndoshta e frymëzon një KQZ e riformatuar dhe që ka marrë konsensusin e kahjeve të ndryshme politike, përpjekja për të siguruar votën e gjithë shqiptarëve, përfshirë ata të diasporës, është sfida e radhës së këtyre zgjedhjeve. Kjo e fundit, ndonëse është synuar përherë këtë radhë është çështje e shtruar për zgjidhje në tavolinën e KQZ-së dhe të forcave politike.

Diskutimet janë të shpeshta, por ende nuk kemi një produkt dhe vështirësia për realizimin e këtij procesi vazhdon të jetë prezente. Kreu i KQZ-së Celibashi ka deklaruar se po punohet fort për gjetjen e konsensusit mes partive politike për të mundësuar një votim të tillë. Lufta politike shtrihet deri këtu dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën si të papërgatitur për një konsensus të tillë. Në debat ndërhyn Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, i cili ka deklaruar se: “...vota e shqiptarëve është e përcaktuar në ligj dhe është detyrim kushtetues...” dhe si e tillë,  KQZ nuk ka përse kërkon konsensus politik për përmbushje të një detyrimi ligjor dhe kushtetues.

Nuk është ende e mundur të jepet  një përgjigje mbi këtë temë, për të cilën siç pohohet, vazhdon puna për ta mundësuar. Pavarësisht rezultatit, mërgimtarët nuk duhet të harrojnë se sipas Kodit Zgjedhor të drejtën e tyre për të votuar mund ta ushtrojnë vetëm nëse shtetasi shqiptar me banim jashtë vendit plotëson tre kriteret e nevojshme:

1.ka vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë,

2.ka të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe

3.kërkon nga KQZ-ja që të pajiset me dokumentacionin e votimit nga jashtë.

Si raporton vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në faqen zyrtare, KQZ, në konsultim edhe me përfaqësues të organizatave të diasporës është në procesin e hartimit të rregullave të detajuara për të mundësuar votimin e bashkatdhetarëve tanë në diasporë.

Sfida të tjera e presin këtë proces zgjedhor.

A do të mund të bëhen bashkë partitë e përçara opozitare? Lulzim Basha ndodhet nën presionin e madh të “të vegjëlve” të koalicionit për t’i përfshirë në lista, me gjithë mëkatet e tyre politike. LSI, e cila po pëson përditë hemorragji të anëtarësisë së saj, të paktën si reklamohet në disa media, deklaron se në zona të caktuara do të dalë e vetme. Opozita pret një rezultat pozitiv nisur nga dështimet qeveritare, por në  kampin e saj jo të gjithë janë të bindur për këtë nisur nga përvojat politike të PD dhe nga gërryerjet prej aleatëve të saj.

PS duket më superiore në këtë garë, duke vazhduar të justifikojë dështimet me ngjarjet që shenjuan qeverisjen e saj: tërmeti dhe pandemia; si dhe duke synuar mbarimin e punëve të nisura në të mirë të shqiptarëve.

Dhe, të gjitha këto sfida që pritet të zgjidhen në 25 Prill, kërkojnë sërish votën e shqiptarëve të lodhur nga korrupsioni endemik i institucioneve dhe çoroditja e prekshme e varfërimit të përditshëm të shtresave të popullsisë.

Se kujt fitoreje do t'i shërbejë vota e tyre, mbetet të presim.

Ndaje me miqte