0030 210 33 18 483

Shqipëria, raporti i DASH dhe bastardët e politikës

Juli NDRIKO 06 Mars 2021

Ndërsa në raportin e tij DASH shkund qeverisjen e vendit, jehona e të vërtetave të frikshme të thëna aty, kaloi pa ndonjë vëmendje të madhe nga opinioni shqiptar dhe batakçinjtë e ekraneve, të cilët janë vënë në dispozicion të politikës.

Ka gati 30 vite tranzicion dhe situata në Shqipëri nuk premton ende asnjë sinjal pozitiv mbi fundin e kësaj periudhe. Edhe pse këshillimi ndërkombëtar, qoftë i Evropës, qoftë i SHBA nuk ka munguar, ende Shqipëria vuan pamundësinë e saj për të kapërcyer tranzicionin dhe për të sheshuar rrugën drejt mirëqenies qytetare, lirive liberale dhe kapitalizmit konkurrues.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), edhe këtë vit ka vlerësuar se Shqipëria jo vetëm nuk ka bërë përparime në rrugën e saj, por njëherësh ajo është shumë e ndjeshme ndaj pastrimit të parave, krimit dhe korrupsionit.

“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020. Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi të madhe parash dhe sektor informal, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e remitancave dhe investimeve të ndryshme. Krimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën” - shprehet në raportin e vet DASH, duke bërë edhe më fort të qartë se sa larg është Shqipëria nga rruga e zhvillimit.

Dhe në fakt, asgjë e deklaruar nga DASH nuk është e re për shqiptarët, të cilët shohin çdo ditë e më tepër çekuilibrin e tregut sa i takon shtëpive, shtrenjtimit të jetesës, betonizimit të vendit dhe rrënimit të bizneseve që funksionojnë jashtë tregut informal.

Por, ndërsa në raportin e tij DASH shkund qeverisjen e vendit, jehona e të vërtetave të frikshme të thëna aty, kaloi pa ndonjë vëmendje të madhe nga opinioni shqiptar dhe batakçinjtë e ekraneve, të cilët janë vënë në dispozicion të politikës. Përkundër të vërtetave të DASH, Shqipëria gjendet e mbërthyer në garën elektorale, ndonëse ligjërisht ende nuk ka filluar, dhe ekranet janë të mbushura e luftën politike, e cila nuk i ngjan aspak luftës së përhershme mes të mirës dhe të keqes. Pasi tani dhe në rreth 30 vite tranzicion, Shqipëria bën luftë mes të keqes dhe të keqes më të vogël, çka ka bërë që shqiptarët të kërkojnë përditë e më tepër të largohen nga vendi. 

Sipas raportit të hartuar nga INSTAT “Numri i individëve gjithsej të larguar nga Shqipëria, në 2019 rezulton 360.699 banorë, ose rreth 12,4 % e popullsisë....” dhe ajo që bën përshtypje nga ky raport është se dëshira për migrim është pak më e lartë në grupet që kanë të ardhura mbi mesataren se sa në ato që i kanë të ardhurat më të ulëta”.

Por përkundrejt të gjithave ajo që kanë rëndësi tani janë zgjedhjet dhe informacioni dhe debatet mbi fituesin e tyre në 25 Prill kanë eklipsuar çdo informacion tjetër.

Debatet mbi koalicionin opozitar u përcollën nga shoqëria po ndonjë interes, veç  jehonës që Luli dhe Monika do shkojnë në zgjedhje me lista të ndara. Por ajo që binte lehtësisht në sy ishte se si çdonjëri kryetar i papeshë i një subjekti politik akoma më të papeshë, bëri për të siguruar një vend të sigurt në lista. Parti që nuk lidhen askund me njëra tjetrën as me idetë e formimit dhe as me baza programore, u bashkuan në një vathë politike, me synimin e vetëm për të mundur Edi Ramën, gjë që ka pak gjasa të ndodh sa kohë që shqiptarët i njohin vemjet politike që rrëmojnë karriget e tyre, të cilat u sjellin përfitime të majme.

Koalicioni opozitar i deklaruar, përtej marrëveshjeve mes buzëqeshjesh e shtrëngime duarsh ekraneve ngjalli neveri në opinionin publik, sa kohë që figurat e vjetra të politikës premtonin programe të reja. Në luftën e pushtetit, me gjithë dëshirën për të dalë prej saj të rehabilituar duket se figurat e opozitës nuk kanë asnjë shans të dalin të pastër.

Po kaq me interes opinioni ndjek dhe kandidaturat në kampin tjetër, ku asgjë nuk premton diçka të re. Beniaminët dhe besnikët e Kryetarit janë të bindur se janë në vendet fituese të listave. Por ndërsa kjo ishte pritshmëria në kampin e rilindjes, emrat e mjekes Najada Çomo dhe inxhinieres 79 vjeçare Luljeta Bozo, e shqetësuan jo pak opinionin. E para e reklamuar nga Rilindja si heroina e situatës Covid-19 dhe e dyta si pjesëmarrëse aktive në situatën post tërmetit, duket se nuk i shpëtuan dot joshjes së politikës dhe llumit që sjell pjesëmarrja në të.

Pranimi që secila prej saj i bëri ftesës për një pjesëmarrje të tillë, më shumë se surprizë, përbën një lajm shokues, teksa kupton se as profesionistët nuk munden të mbajnë lart profesionalizmin dhe figurën emblematike të krijuar mes punës dhe urtësisë së tyre ndër vite. Të paktën këtë e themi me plot bindje sa i takon profesoreshë Luljetës, ecjet e përditshme me këmbë të së cilës, nuk premtojnë sidoqoftë një rol ndikues në politikë. Ajo që premton pjesëmarrja e L. Bozos në politikë është thjesht një fund pa lavdi, i gjithë përpjekjeve të saj individuale për të qenë një specialiste e njohur në fushën e saj të studimit. Duke mos harruar sidoqoftë se nëse gjithë jetën Bozo ka jetuar me nder nga profesionalizmi i saj, tani do të marrë një pension të mirë deputeti si 80 vjeçare, çka do t’ia kenë zili moshatarët e saj të moshës së tretë.

Sa për Najada Çomon, e cila në situatën Covid-19 nuk spikati vetëm me pamjen e saj ku flokët e kuq i vinin në pah vetullat kaleshe, por edhe për deklaratat e saj haptazi në mbrojtje të Qeverisë, surpriza lidhej me faktin se pranoi të lërë betejën në situatën Covid, për të cilën është “qarë” aq shumë, për të hyrë në ca ujëra të pista politike, që në fakt nuk janë aq të ndryshme nga ato ku ka notuar deri tani.

Por përtej faktit se si hynë në politikë Bozo dhe Çomo, ajo që e bën të vështirë përfshirjen e tyre në politikë është mësimi që ato i japin shoqërisë, të paktën asaj pakice që ende beson se mund të ndërtojë të ardhmen në Shqipëri. Pasi, nëse shoqëria nuk pret prej tyre asnjë përfitim në politikë, politika na tregoi edhe njëherë sa lehtë e ka të kthejë këdo në bastard politik.

Ndaje me miqte