0030 210 33 18 483

Shteti në drejtim të paditur...

Juli NDRIKO 10 Qershor 2021

Për fat të keq kështu do jetë sa kohë që shteti fshihet tavolinave të errëta të bizneseve me krimin dhe nuk gjendet thuajse asnjëherë në krah të qytetarëve.
Për këta të fundit, sa herë që e kërkojnë shtetin e tyre ai, ashtu si krimi, gjendet përherë në drejtim të paditur.

 

Sa herë mbaroj një shkrim i betohem vetes se herës tjetër do gjej të shkruaj diçka të bukur, një histori frymëzuese a një rrëfenjë lumturie. Por deri tani nuk ia kam dalë. Kësisoj nuk ia dola edhe premtimit të rradhës pasi Shqipëria ime, jona, me të cilën jam kaq shumë e lidhur shpirtërisht a mendërisht, nuk më le.
Ashtu si çdo herë këto kohët e fundit, edhe kjo javë nisi me lajmet për vrasjet e kryera. Vëllai vret motrën me silenciator në shtëpi në Shkodër, një biznesmen vritet në Ksamil në rrethana të paqarta, në Peqin shoku vret shokun për një gërvishje makine të ndodhur 5 vjet më parë, në Librazhd burri vret me sëpatë gruan dhe më pas vetëvaret, vjehërri vret dhëndërin teksa pritej seanca e gjyqit për divorcin e të bijës…kaq shumë vrasje sa rrjetet sociale kanë nisur të gëlojnë nga bastet si në skedina futbolli, se cili qytet do të jetë i rradhës. 
Ishte e dhimbshme të lexoje komentet mbi skedinën e një qytetari virtual që kishte parashikuar Librazhdin si qytetin tjetër të krimit, çka edhe ndodhi. Një shpërthim zemërimi dhe revolte popullore gjeje mes rreshtave të komentuesve, emëruesi i përbashkët i të cilave është pyetja: Ku është shtetit?
Rëndomë kafeneve dhe bisedave deklarohet se në botën -dhe për botën e krimit- vetë shteti lejon vrasjet, me justifikimin “kokat le të hanë”. Por si dhe vihet re, vrasjet nuk kanë vetëm motiv krimin. Ato kanë një spektër shumë më të gjerë, ku krahas pazareve të prishura në botën e krimit vijnë menjëherë konfliktet familjare dhe zënkat e çastit. 
Është dëshpëruese të shohësh numrin e vdekjeve dhe të evidentosh se sa gjaknxehtë dhe të paarsyeshëm janë shqiptarët! Është po kaq dëshpëruese edhe kur sheh tonelatat e betonit që bunkerizojnë qytetet e Shqipërisë, kur sheh kullat e larta që po privatizojnë qiellin, çmimet që rriten dhe rrogat që ulin kokat përballë rritjes së inflacionit, kur sheh se statistikat flasin për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që duan të ikin nga vendi. 
Përtej deklaratave qeveritare mbi mirëqenien në vendin tim, Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilantëve (EASO), raporton se rreth 12.000 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, vetëm për periudhën janar-korrik 2019. Veç tyre, 2000 shqiptarë të tjerë kanë tentuar rishtazi për ta fituar këtë status. Dhe të gjitha statistikat i përkasin një periudhe pandemie botërore, që mesa duket nuk e ka frenuar dot dëshirën e shqiptarëve për tu larguar. 
Për t'u larguar nga varfëria, nga pasiguria në vendin e punës, nga shfaqet për aerodrome nëpër çdo qytet shqiptar, nga vendi ku lulëzon krimi, ku niveli arsimor shënon 75% analfabetë funksionalë, ku policia gjendet rrugëve jo për të ruajtur rendin, por për të gjobitur qytetarët, nga vendi ku shteti ha bukë me krimin, ku vriten gratë, nga vendi ku ndodhin të gjitha këto, por ku shteti nuk duket gjëkundi.
Në gjithë këto ngjarje me të cilat nisi java, nuk u pa asnjë shtetar, të paktën ata që e kanë detyrë funksionale ruajtjen e rendit, si Ministri i Brendshëm a Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të reagonin. E vetmja deklaratë bajate dhe e përhershme ishte se policia po punon për kapjen e autorit/autorëve, dhe tani që shkruaj këto radhë sapo u njoftua, më në fund, një takim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me drejtuesit e policisë, tema e të cilës nuk është bërë  me dije për publikun. 
Situata duket se ka dalë nga shinat, sidomos fill pas konfirmimit të maxhorancës nga zgjedhjet e 25 prillit dhe kjo po shoqërohet me një heshtje të organeve të rendit dhe memecëri mbi përgjegjësitë e situatës. 
Duket se shteti gjendet i relaksuar nga fitorja dhe siguria se karriket e pushtetit janë të sigurta. Kësisoj pak rëndësi ka nëse po vriten qytetarë dhe krimi po lulëzon sa kohë karrikja është e ngrohtë dhe përfitimet e ardhura prej saj, të sigurta. 
Ku po shkojmë? Deri kur Shqipëria do jetë e mbërthyer nga krimi? Si mund të dilet nga kjo gjendje? Pyetjet janë të shumta dhe dilemat po kaq të shumta në një vend që edhe pas 30 viteve gjendet në tranzicion. 
Pyetjet janë të shumta dhe përgjigjet mbi to nuk mund të na i japë as shpallja non grata e Berishës dhe familjarëve të tij, as Urdhëri Ekzekutiv i John Biden për ndëshkimin e korrupsionit në Ballkan dhe as deklaratat e BE-së për nevojën e përparimit të reformave shtetformuese në Shqipëri. Përgjigjet nuk na i japin as miqësitë e mëdha me Erdogan e Viktor Urban, ashtu si nuk mund t'i japin as krekosjet mbi “arritjet shqiptare” gjoja të drejtësisë funksionale dhe zgjedhjet e lira. 

Për t'iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve të shumta duhet që shteti të marrë vendim të shkëputet nga krimi, të mos financohet nga paratë e tij, të mos mos vjedhë qytetarët me metodën e koncesioneve dhe PPP-ve, të mos rendë nëpër rrugë për të gjobitur të pambrojturit dhe të japë para publike për oligarkët që shtrijnë kthetrat e tyre në çdo centimetër tokë publike dhe jo vetëm. 
Por duket se shteti ka plane të tjera për të bërë. Ca plane që lidhen me fitimet dhe me lidhjet e nëndheshme që i shtojnë këto fitime në mënyrë progresive. Janë këto plane që nuk e lejojnë të ushtrojë detyrën për të cilën funksionarët e tij mandatohen. 
Shtetarët në Shqipëri nuk flasin për krimin, ose më saktë, nuk guxojnë të flasin për krimin. Në vend të tyre krimi flet me metodat e tij të vetme që njeh, dhunën dhe vrasjet. Kaq shumë janë këto sa kupton se jeta është e vetmja gjë që nuk ka vlerë në vendin tim. Dhe për fat të keq kështu do jetë sa kohë që shteti fshihet tavolinave të errëta të bizneseve me krimin dhe nuk gjendet thuajse asnjëherë në krah të qytetarëve.
Për këta të fundit, sa herë që e kërkojnë shtetin e tyre ai, ashtu si krimi, gjendet përherë në drejtim të paditur.

Ndaje me miqte