0030 210 33 18 483

Sizmologët grekë për tërmetin në Shqipëri

TV TRIBUNA 01 Qershor 2019

Sizmologët grekë po ndjekin me vëmendje aktivitetin sizmik në territorin shqiptar. Sizmologët thonë se mund të nxjerrin konkluzione të sakta vetëm të hënë, më 3 qershor 2019.“Lëkundjet sizmike vazhdojnë dhe ne po përpiqemi t’i regjistrojmë. Po të mos kalojnë 48 orë nuk mund të bëjmë vlerësime”, i tha agjencisë greke ANA-MPA, pedagogu i Sizmologjisë në Universitetin Aristotelis të Selanikut, Jorgos Karakaisis.

Sipas sizmologëve grekë, tërmeti kryesor me magnitudë 4.9 gradë të shkallës Rihter, që u shënua paraditen e të shtunës, e kishte epiqendrën 47 km në perëndim të qytetit të Kosturit, afër qytetit të Ersekës dhe thellësia e vatrës vlerësohet se ishte 3,5 km.

Sizmologët grekë thonë se vatra e këtij tërmeti nuk ka lidhje me pllakat tektonike që shkaktuan tërmetin mbi 6 ballë në Grevane e Kozani në 1995. Nga ai tërmet nuk pati viktima, por më shumë se 7.000 banesa u shkatërruan tërësisht apo pjesërisht, duke lënë mbi 10.000 banorë të pastrehë.

Sipas prof. Karakaisis, një zonë me rreze 40 km në të dy anët e kufirit Greqi – Shqipëri, ka dhënë në të kaluarën tërmete me magnitudë të lartë. Një tërmet i tillë ka rënë në Shqipëri në 26 maj 1960, me epiqendër në Korçë, ku u shkatërruan 1479 ndërtesa dhe gjetën vdekjen 9 njerëz. Tërmeti atëherë ishte ndjerë në Greqi në Janinë, Kozani, Kostur dhe Korfuz.

Ndaje me miqte