0030 210 33 18 483

Skenarët fatkeqë të zgjedhjeve në Shqipëri

Juli NDRIKO 26 Shkurt 2021

Në valën e ethshme të fushatës, e cila nuk pengohet as nga situata alarmante e prodhuar nga COvid-19, ka nisur edhe gara e sondazheve, e cila pavarësisht nga shigjeta e barometrit herë majtas dhe herë djathtas bashkohet në një pikë: Asnjë nga subjektet politike nuk do të mundet të marrë numrin e nevojshëm të votave për të qeverisur.

Fushata zgjedhore në Shqipëri nuk ka nisur ende ligjërisht, por kjo nuk i ka penguar subjektet e ndryshme politike ta nisin atë faktikisht. 24 Shkurti 2021, ishe afati i fundit e regjistrimit të subjekteve dhe koalicioneve zgjedhore dhe subjektet e shumtë politikë që frymojnë në Shqipëri u regjistruan për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat nuk premtojnë në fakt asgjë të mirë për shqiptarët.

Procesi i deritanishëm zgjedhor, nuk ka ndryshime nga të mëparshmit. Asnjë surprizë në deklarimet e çdonjërit subjekt zgjedhor për peshën e tij elektorale dhe në kacafytjet tavolinave për të gjetur konsensus në emër të popullit dhe në të mirë të individëve që kanë 30 vjet që çirren për “fuqinë” e tyre.

Nuk ka asnjë surprizë as për lëvizjet e reja politike. E vetmja që ka ndryshuar deri tani është se Topi, Blushi e Bojaxhiu janë zëvendësuar nga Topalli, Patozi, Hajdari e Murrizi, që ashtu si të parët që u tretën si kripa në ujë, deklarojnë se do të jetojnë gjatë, të bindur edhe vetë se kjo nuk ka për të ndodhur.

Por nëse skenari i procesit zgjedhor është kaq i ngjashëm me proceset e mëparshme zgjedhore, rezultatet dhe ajo që vjen pas premtojnë surpriza.

Në valën e ethshme të fushatës, e cila nuk pengohet as nga situata alarmante e prodhuar nga COvid-19, ka nisur edhe gara e sondazheve, e cila pavarësisht nga shigjeta e barometrit herë majtas dhe herë djathtas bashkohet në një pikë: Asnjë nga subjektet politike nuk do të mundet të marrë numrin e nevojshëm të votave për të qeverisur. Përfundimet e sondazhit më të fundit të IPSOS se, “Shqiptarët duan Ramën kryeministër, ia besojnë luftën kundër korrupsionit Bashës”, shpjegojnë hallakatjen e elektoralit mes alternativave. 

Në këto kushte është e lehtë të parashikosh skenarët e mundshëm të pas 25 Prillit.

Skenari i parë lidhet me PS, e cila sipas disa sondazheve del në avantazh, por sidoqoftë jo fituese. Vetë PS deklaron, se falë punëve të mira që ka bërë jo vetëm që do të fitojë, por edhe do tejkalojë mandatet e 2017, që ishin plot 74. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Përtej deklarimeve këtë e dinë edhe vetë në PS. Artikulimi çdo ditë e më shumë se “…punët tona i pengoi tërmeti dhe Covidi”, se “na duhet edhe një mandat tjetër për të përfunduar çfarë kemi nisur” etj., janë shprehje e dyshimeve në fitoren e pastër në PS. Po aq e vërtetë është edhe se vetë PS nuk beson më tek vetja tek deklarohet se shqiptarët do të votojnë PS-në, pasi nuk kanë një alternativë më të mirë për të votuar. Pohim i vështirë për t’u hedhur poshtë.

Nëse kjo ndodh, pra që PS të mos sigurojë dot 71 deputetë, asaj nuk i mbetet tjetër veçse të thërrasë në koalicion të tjerë, të vegjël, por të gatshëm të kapin një pjesë të pushtetit. Gjithmonë, nëse të vegjlit do t’ia dalin të marrin ndonjë mandat.

Patozi ka deklaruar se do të ndihmojë pushtetin të qëndrojë në këmbë dhe nuk hezitoi të pranojë se kur flet për pushtetin ka parasysh Ramën dhe PS dhe jo PD-në, të cilën e refuzoi me largimin e tij dhe idealin e djathtë që tradhëtoi duke qëndruar përballë PD. Zellit të Patozit i bashkëlidhet Jozefina Topalli, që pretendon të sjellë të renë në politikë, ndonëse nuk  ka asgjë të përbashkët me të renë: as emrin, as moshën dhe as idetë.

Skenari i dytë lidhet me fitoren e koalicionit opozitar të udhëhequr nga PD. Mos të harrojmë këtu LSI-në, e cila do të dalë e vetme, por sidoqoftë e pozicionuar në krahun opozitar. Madje e mbushur plot egërsi ndaj PS.

Skenari i dytë nuk është mjaft bindës, pavarësisht lodhjes së elektoratit nga qeverisja e PS-së. Por nëse do të besonim në një mundësi të tillë, është e sigurt se qeverisja e PD, me Lulëzim Bashën Kryeministër, do të ishte një vallëzim me ujqërit. Të vegjlit e koalicionit do të kërkojnë të lëpijnë “pjesën e kockave” të tyre në qeverisje, çka premton ta bëjë qeverisjen e Bashës një ndërtim në rërë.

Dhe… nisur nga përvojat e deritanishme, LSI do të jetë aty, e gatshme të heqë mbështetjen e një qeverisje të tillë, nëse ajo nuk do të plotësojë “urinë” e saj për copat e mëdha të pushtetit.

Skenari i tretë është më surprizuesi. Ka nisur të përflitet aty - këtu nën zë. Disa mendojnë se një skenar i tillë është i pamundur dhe të tjerë se këto janë teori konspirative. Por njohësit e politikës nuk e përjashtojnë.

Ky lidhet me lodhjen e të mëdhenjve me të vegjlit arrogantë, ndonëse të pafuqishëm. Në kushtet e pamundësisë së numrit të artë 71, PS dhe PD bëjnë koalicion. Ndajnë për një kohë copat e pushtetit, eliminojnë përfundimisht të vegjlit (uroj që kjo të ndodhë një ditë në Shqipëri), dhe e çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Këtë radhë pa guriçkat që fusin në rrota partiçkat e mbira në çdo kilometër të territorit të Shqipërisë.

Për të gjithë ata për të cilët ky skenar duket i pamundur, sjell në vëmendje marrëveshjen Rama-Basha të 2017-ës. Po kështu edhe ftesat e Ramës për Bashën për t’u bashkuar me një qëllim, eliminimin e LSI-së, dashuritë e përkohshme me të cilën kanë qenë të diktuara nga numrat dhe jo nga vullnetet e lira dhe programet e përbashkëta. Dhe kjo është e njëjtë si për PS-në ashtu dhe për PD-në.

Ndoshta ky skenar duket për shumë prej jush sa i pamundur aq edhe qesharak, por në politikë “Kurrë mos thuaj kurrë”. Dhe kjo shprehje simbolizon faktin se politika na befason përherë me shfaqet e saj.

Le të shohim!

Ndaje me miqte